
Aranit Muraçi
7 për qind do të jetë rritja e pagave për anëtarët e stafeve pedagogjike të universiteteve tona publike nga buxheti i shtetit, sipas asaj që premtoi sot kryeministri, Edi Rama. Ndërsa ministria e Arsimit, Evis Kushi, shtoi se rritja e pagave do të shkojë deri në 15 për qind, përshirë edhe vet-financimin nga universitetet publike. Rritja e pagave, e përkthyer ndryshe, është aq sa niveli i inflacionit, sipas shifrave zyrtare të Instat, që do të thotë se indeksimi i fundit i pagave për pedagogët s’mund të përballojë as koston më të lartë të jetesës nga rritja e çmimeve gjatë muajve të fundit. Rritja me 15 për qind e pagës (nga inflacioni) vlen më pak se paga që merrnin pedagogët një vit më parë.
Kjo ka bërë që stafet pedagogjike të shprehen të pakënaqura me rritjen dhe kanë paralajmëruar bllokim të procesit mësimor, më 17 tetor, ditë kur pritet të hapen auditoret. Por, në kërkesat dhe pretendimet e pedagogëve, dhe pavarësisht vendimit të qeverisë, nuk është thënë asgjë për bursat, qiratë, transportin, dhe tarifat që duhet ta paguajnë studentët e universiteteve. Si të mos mjaftojnë peripecitë e shumta me të cilat ata përballen gjatë viteve të shkollimit, kostoja më e lartë e jetesës për studentët, nga rritja e fundit e çmimeve, duket se do të përballet 100 për qind prej vetë atyre. Ka qenë dhe mbetet mision i stafeve pedagogjike, që të ngrihej shqetësimi dhe t’i jepej zgjidhje problemit të financimit të viteve të arsimimit nga ana e studentëve (si për shembull kredi pa interes në banka dhe garantuese të dilte qeveria), siç ndodh kudo tjetër në botë, çka as nuk është diskutuar ndonjëherë.
Këtu qëndron edhe fakti që pedagogët pavarësisht të drejtës së tyre për të kërkuar rritje pagash, rreth 50 për qind sipas kërkesave të tyre (30 për qind këtë vit dhe 20 për qind vitin tjetër) nuk po arrijnë dot të fitojnë admirimin e opinionit publik, sepse së pari, ata nuk po arrijnë të fitojnë dot as përkrahjen e studentëve. Çdo qeveri gjatë viteve të tranzicionit ka investuar diçka më tepër se 3 për qind të GDP-së në arsim, niveli më i ulët në rajon dhe ndër më të ulëtit në botë. Stafet pedagogjike duhet të ishin të parat në këto 30 vite, që të organizoheshin dhe të kërkonin më tepër financime për arsimin, si e rruga më e mirë për zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e vendit.
Puna si çdo gjë tjetër është ofertë-kërkesë në treg. Për të qartësuar opinionin publik vetë pedagogët mund të kishin realizuar një studim sado modest, që nuk kërkon as shumë kohë dhe as financim, për të kuptuar se a janë ata vërtet financiarisht më të penalizuarit e shoqërisë sonë. Sa është paga mesatare e pedagogëve në universitetet e vendeve fqinje, ajo e vendeve të BE-së, dhe cili është ndryshimi mes pagës së përgjithshme mesatare të vendit tonë me vendet e tjera?
Një tjetër studim që mungon me qëllim që studentët dhe opinioni publik të kuptonte më mirë të drejtën e tyre, do të ishte ai i tregut të punës në Shqipëri. Për çfarë profesionesh ka më tepër nevojë tregu vendas, qoftë në sektorin publik dhe në atë shtetëror, dhe për çfarë duhej investuar që arsimi i lartë t’i përgjigjej këtyre nevojave, duke i afruar burime njerëzore dhe ekspertizë më të mirë.
Dy shembuj konkretë pse sikurse pagat mbetet sfidë për universitetet publike performanca dhe përmbushja e standardeve të tyre.
Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, pedagogët të cilët i kanë mbaruar studimet para viteve ’90, apo qoftë edhe në vitet e para pas rënies së komunizmit, nëse do t’i nënshtroheshin rivlerësimit të korrikulave përmes listës së lëndëve do të rezultojnë të gjithë me shkollë të mesme. Për shembull, ata që kanë mbaruar arsimin e lartë para ’90, thuajse të gjitha lëndët që shoqërojnë diplomimin e tyre nuk përputhen sot me asnjë nga lëndët aktuale të fakultetit ku ata japin mësim. Ndryshe nga ta, studentët të cilët mund të jenë larguar, t’i kenë ndërprerë ose të jenë vonuar për arsye të ndryshme në diplomim, qoftë në universitetin ku duan të mbyllin studimet, apo nëse duan t’i transferojnë ato, vuajnë pasojat e shtrembërimit të një ligji pa standarde dhe diskriminues që i penalizon rëndë ata, problem të cilin oborret akademike e njohin por heshtin. Ka vlerë kartoni, apo dija e fituar ndër vite përmes programeve mësimore?
E dyta, krahasimi me vendet e tjera, të rajonit apo të botës nuk duhet bërë vetëm në paga, por pikësëpari në cilësi. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare mbi performancën e universiteteve, cilësia e universiteteve tona publike, ndonëse financohen 75 për qind nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga tarifat e studentëve, lë shumë për të dëshiruar.
Nuk ka asnjë analizë dhe asnjë protestë nga stafet pedagogjike, për të kuptuar se ku kemi shkuar mbi cilësinë. Universitetet tona publike sipas vlerësimeve ndërkombëtare e kanë humbur garën me të gjitha universitetet e tjera të rajonit. Sipas vlerësimit më të fundit të “Ranking Web of Universities”, Shqipëria prej kohësh ka mbetur shumë pas vendeve të tjera të rajonit në cilësi. Universiteti i Beogradit renditet në vendin e 382, ai i Novi Sad në vendin e 1828. Universiteti i Shkupit në vitin 1786, Universiti “Crene Gore i Malit të Zi në vendin e 2005. Universiteti i Sarajevës mban vendin e 2338. Universiteti më i vlerësuar i Shqipërisë, ai i Tiranës, mban vendin e 4234. Përse performanca dhe cilësia më e dobët, sipas ligjeve të ekonomisë së tregut, duhet të vlerësuar njësoj si në rajon, apo më mirë?
Arsimi i Lartë në Shqipëri kërkon një reflektim të thellë, jo vetëm të stafeve pedagogjike dhe qeverisë, por edhe të mbarë shoqërisë. Debati për arsimin e lartë mbetet debati më i shëndoshë i çdo shoqërie të zhvilluar, por atë kur ndizet e shuajnë vetë oborret akademike. Vetëm debati i shëndoshë do të mundësojë dhe do të detyrojë mbi rritjen e vëmendjes shtetërore ndaj këtij sektori çuditërisht të nëpërkëmbur, të rritjes së GDP-së dhe e investimeve qeveritare, të arritjes së një standardi të pranueshëm ndërkombëtar, qoftë në mësimdhënie, kërkim shkencor, vlerësim me objektivitet të studentit dhe gradave shkencore, si dhe të ndarjes përfundimtare nga praktikat e kaluara, që universitetet publike të mos krijojnë më tej idenë sikur vazhdimisht kërkojnë “lëmoshë” nga qeveria. Në vend të kërkimit dhe shtimit të financimeve për arsimin e lartë në tërësi, dhe më pas ndarjes së tyre që të shkojnë sa më drejt në favor të arsimit, përfshirë sigurisht edhe pagat e personelit, universitetet publike përderisa heshtin duket sikur e kanë humbur me kohë, që në '90, "betejën" në tregun e konkurencës.
Ç’është e vërteta, në vend të autonomisë që pretendojnë, universitetet dhe oborret tona akademike të cilat mbahen nga taksapaguesit kanë mbetur totalisht në varësi të çdo qeverie, që ka qenë në pushtet në këto tri dekada, sepse vuajnë pasojat e “tifozllëkut” politik që qëndron brenda dhe në drejtimin e tyre, të përçarjeve dhe “gafave të shumta shkencore”, duke mos e orientuar dot arsimin si një të mirë publike, për t’iu shërbyer me të njëjtin devotshmëri të gjithë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, pa dallim krahine, gjinie, përkatësie fetare, statusi shoqëror, social, ekonomik, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin e saj të parë të ligjit për Arsimin e Lartë. /Liberale.al/