Aktualitet

Nga spikatja e të rinjve, te vlerësimi i grave në letërsi, ja çfarë ka sjellë Çmimi Kadare në 10 vite

Shkruar nga Liberale
Nga spikatja e të rinjve, te vlerësimi i grave në letërsi,

Çmimi Kadare, jo për shkak të emrit që mbart, ka qenë pjesë e diskutimeve  në tavolinat letrare, duke dëshmuar rëndësinë dhe impaktin e tij. I mbështetur nga Instituti Europian Pashko, përgjatë 10 viteve të jetës së tij, ka mbledhur dorëshkrime të shumta e ka nxjerrë libra të pëlqyer për lexuesin, me autorë të njohur dhe të panjohur, të rinj të talentuar apo autore gra, të pavlerësuara sa duhet.

Që në gjenezën e tij, në shtatorin e 2014-s, qëllimi i ideatorëve të këtij çmimi ishte vlerësimi i prozës shqipe, jo aq si mbushje të një boshllëku, por si një domosdoshëmri e kohës dhe nevojës për autorët shqiptarë. Një nxitje për zhvillimin e prozës shqipe dhe një shtysë për autorët, për promovimin dhe ardhjen sa më parë  te lexuesi. Çmimi Kadare theu paragjykimet për çmimet në Shqipëri, të cilët qarkullonin brenda një rrethi vicioz, ndërsa të rinjtë dhe autorët e diasporës qëndronin përballë një vije të kuqe.

I pari që hapi siparin e vlerësimeve ishte Rudolf Marku, me librin “Tre Divorcet e zotit Viktor N”, i spikatur deri atëherë në fushën e poezisë. Edicioni i dytë rezultoi me fat për shkrimtarin Shkëlqim Çela, i cili jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai kishte marrë pjesë një vit më parë, por u zgjodh fitues me librin me tre novela, “Embriologji”.

Musa Ramadani nga Kosova do të rrëmbente Çmimin Kadare në edicionin e tretë, me librin “Profeti nga Praga”. Motivacioni për shkrimtarin dhe dramtaturgun, do të lexohej gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand, duke theksuar se autori sillte “një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja”. Edicioni i katërt do ta rikthente çmimin sërish në Shqipëri, për autorin Virgjil Muçi me romanin “Piramida e shpirtrave”, i vlerësuar nga juria për veçantinë gjuhësore në ndërtimin e  rrugëtimit jetësor.

Fituesi i vitit 2019 do të ishte një autor i ri, Loer Kume, me profesion stomatolog, i pasionuar pas artit dhe letërsisë, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”. Juria e cilësoi si përfaqësues të një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili “eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes”.

Pas ndërprerjes nga pandemia, Çmimi Kadare do të udhëtonte drejt Kosovës më 2021. Gazetari, shkrimtari Gani Mehmetaj, jo shumë i njohur për Shqipërinë, do të fitonte me romanin “Zogjtë e qyqes”. Nëpërmjet historisë së një koloni serb, Mehmetaj shpalosi përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, kronikën dyzetvjeçare të fatit të njerëzve dhe historisë së dy vendeve fqinje në luftë mes tyre.

Një tjetër dimension do të shfaqej me edicionin e shtatë. Shkrimtarja Vera Bekteshi do të bëhet e para grua që rrëmben Çmimin Kadare, me romanin “Pusulla të verdha”, dedikuar personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri ende skematike dhe përjashtuese për ndryshmin.

Nurie Emrullai, me romanin “Duhet të jetë Dashuri” rrëmbeu çmimin për vitin 2023, duke u bërë kështu e dyta grua që fiton këtë çmim, por edhe më e reja në moshë. Tashmë Çmimi Kadare shkeli edhe trojet shqipfolëse në Maqedoninë e Veriut, duke mos vendosur asnjë lloj kufizimi për askënd që shkruan shqip, mjafton të jetë një vlerë e shtuar për letërsinë, prozën dhe shoqërinë shqiptare.

Aplikimet për fituesin e prozës më të mirë për vitin 2024, çelur më 18 dhjetor, do të qëndrojnë të hapura deri në fund të javës së dytë të muajit janar 2024. Autorët e interesuar duhet të dërgojnë, bashkë me dorëshkrimin, një përmbledhje të krijimtarisë së veprës së tyre në adresën e email-it: [email protected].

Selektimi dhe përzgjedhja do të kalojë në disa faza. Javën e fundit të janarit do përzgjidhen 10 dorëshkrimet më të mira, ndërsa në fund të javës së dytë të shkurtit do të nxirren prej tyre pesë më të mirët, prej nga do të shpallet fituesi. Emri i ri do të bëhet i ditur gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, e cila do të mbahet në javën e tretë të muajit shkurt, në Llogora.

I gjithë projekti kap shifrën e 10 mijë eurove, ku krahas vlerësimit monetar për fituesin, Instituti Liberal Pashko dhe shtëpia botuese UET PRESS botojnë veprën që do të gjykohet më e mira dhe e përcjellin tek audiencat dhe lexuesit përmes tureve promovuese, bisedave të hapura, panaireve të librave, kronikave në medie, etj.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH