Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 11.9%, pse inflacioni dyshifror në Itali është lajm i keq për Shqipërinë  

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 11.9%, pse inflacioni dyshifror në Itali

Aranit Muraçi

Kriza energjetike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë nuk e ka prekur direkt vendin tonë, por, megjithatë, duke qenë se Shqipëria është e lidhur me zinxhirët e furnizimeve europiane, humbjen më të madhe ekonomia jonë e ka pasur si pasojë e ndikimit indirekt të shkaktuar nga kriza e çmimeve jashtë kufijve, kryesisht në vendet fqinje me të cilat vëllimi tregtar zë peshë kryesore.

Sot gjashtë në dhjetë italianë e kanë të vështirësi të blejnë një makinë të re në rast nevoje. Një në katër mund të dështojë të zëvendësojë bojlerin. Inflacioni dhe jeta e shtrenjtë po gërryejnë kursimet e familjeve italiane, sipas asaj që del nga sondazhi i Acri-Ipsos i publikuar me rastin e Ditës Botërore të Kursimeve.

Vlerësimet paraprake të Istat, Instituti i Statistikave të Italisë, për muajin tetor tregon një rritje monstruoze prej 11.9% në bazë vjetore të inflacionit dhe 3.5% në bazë mujore. Asnjëherë nuk ka qenë kaq keq që nga qershori 1983, kur ndryshimi i trendit ishte 13%. Sondazhi i shoqatës që përfaqëson bankat e kursimeve portretizon një përmbysje të tendencës në krahasim me vitet e fundit dhe një skenar të ri të vështirë, shumë të ngjashëm me atë të vitit 2020, kur nisi pandemia. Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve dhe faturat e energjisë kanë ndezur një valë të re pesimizmi tek italianët, pas periudhës së besimit në vitin 2021. Në të njëjtën kohë, sipas mediave italiane, numri i të pakënaqurve me situatën e tyre ekonomike po rritet fuqishëm.

Dhe ky nuk është lajm i mirë për Shqipërinë, edhe pse shifrat zyrtare tregojnë se në vendin tonë inflacioni është më i ulët se në Itali, 7.9 për muajin shtator.

Italia vazhdon të mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në tregtinë e jashtme. Sipas Institutit të Statistikave, vëllimi i tregtisë së jashtme më Italinë thuajse në çdo muaj është duke u rritur. Gjatë vitit të fundit, eksporti më Italinë zuri 60.0 për qind dhe importi më 27.5 për qind.

Greqia është një tjetër partner i rëndësishëm i Shqipërisë. Gjatë muajit maj shkëmbimet tregtare më shtetin helen, kanë qenë në rritje, eksporti zuri 5.1 për qind dhe importi 9.8 për qind.

Çmimet e larta në BE dhe veçanërisht në Itali nënkuptojnë çmime automatikisht të larta edhe në Shqipëri. Kjo nxjerr në pah domosdoshmërinë e orientimit të ekonomisë sonë nga prodhimi. Sipas statistikave zyrtare, tregtia me vendet e BE-së, në tetë muajt e parë të vitit 2022 është 59,7 % e totalit. Në të njëjtën periudhë, pesha e eksporteve drejt vendeve të BE-së ishte 73,2 % e totalit të eksporteve, dhe pjesa e importeve nga vendet e BE-së ishte 52,4 % e importeve totale. Për shkak të varësisë nga importi, pavarësisht se ekonomia e vendit tonë nuk varet nga gazi rus, gati gjysmën e mallrave që tregtohen në Shqipëri kanë pësuar rritje të çmimit. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH