Editorial

Vetëvendosja jonë anglo-amerikane dhe europiane

Shkruar nga Liberale
Vetëvendosja jonë anglo-amerikane dhe europiane

Preç Zogaj

Zgjedhorja është reforma me inflacionin më të lartë në  Shqipëri.  Ajo  riciklohet rregullisht si e tillë  prej  gati tre dekadash,  zgjedhje pas  zgjedhjesh,  në bazë të një  skede  të pandryshueshme: manipulim i zgjedhjeve të radhës- paketë rekomandimesh nga OSBE- reformë bipartizane-zgjedhje  të manipuluara përsëri. Dhe kështu  pa mbarim, nja  tetë a nëntë  “ reforma zgjedhore” radhazi në një spirale rregullimesh që nuk mbarojnë kurrë.

Nuk ka  në botë ma merr mendja një Kod Zgjedhor  që të ketë pësuar kaq shumë  ndërhyrje dhe arnime. Në këtë zinxhir eksperimentesh është  kuptuar qartë se prishja e zgjedhjeve në Shqipëri  shumë pak ka të bëjë me  ligjin. Ka  të bëjë para së gjithash  me njerëzit. Kjo prishje, në thelb, vjen si produkti  fundor i  një sistemi  shumë partiak të  mbyllur ku  konkurrenca dhe sundimi i ligjit janë  shndërruar në parulla.

Nga kjo pikëpamje, qytetarët shqiptarë nuk se kanë pritur e presin ndonjë gjë të madhe nga reforma e re zgjedhore. Kjo nuk do të thotë që ajo të mos qëllojë njëherë në shenjë, apo të mos marrë një rendësi të shtuar në një kontekst politik  siç  është ky i sotmi. Reforma zgjedhore kësaj radhe, përveçse si një mundësi për  përmirësime, është parë  nga partnerët  amerikanë  dhe europianë edhe si një letër lakmusi  për riafrimin e  palëve rreth rregullave të lojës dhe  kthimin e konfrontimit politik në  hullinë e një dialektike demokratike. Prej këtu edhe vendosja e  kësaj reforme  nga  BE  si kusht për të avancuar  me hapjen e negociatave për anëtarësim.

Të gjitha këto dalin e teprojnë për ta vlerësuar. Ndaj  mendoj  se shumica  e shqiptarëve  kanë sot një falënderim të madh për ambasadoren e SHBA, zonjën Yuri Kim, për ambasadorin  e BE-së, zotin Luigi Soreca, për ambasadorin e Mbretërisë  së Bashkuar, zotin Norman Duncan dhe për të gjithë  miqtë e partnerët  e huaj që po kontribuojnë  për këtë reformë.

Pa përfshirjen  dhe vendosmërinë e tyre nuk do të kishim marrëveshje. Me durim  dhe në frymën e  konstruktivitetit  të treguar,  u gjend zgjidhja  edhe për  garancitë që kërkonte  opozita për administrimin e votave. E gjithë kjo në ruajtje të bashkëpunimit  dhe sintonisë me SHBA dhe BE që për opozitën janë  jetike.

Diskutohet gjithnjë në Shqipëri për rolin e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht  të  SHBA dhe ambasadës  amerikane  në politikën  shqiptare. Gjëja me e lehtë në këtë diskutim, për aq sa bëhet, është referimi  i sovranizmit që duhet të kenë partitë dhe aktorët politikë  vendas për t’i zgjidhur me njëri tjetrin problemet. Kush nuk do të donte të ndodhte kështu,  kam bindjen se vetë  partnerët amerikanë dhe europianë  këtë duan. Po tjetër janë dëshirat dhe tjetër realiteti.  Historia jonë tregon  qartë  se pa  SHBA dhe Europën  gjërat në Shqipëri  kanë shkuar keq dhe do të kishin shkuar sot e kësaj dite shumë më keq. Lista e  ndërhyrjeve vendimtare nga ana e tyre gjatë tre dekadave të fundit për të mbajtur  vendin tonë në kursin e demokracisë, deri në  shmangie të konfrontimeve me nxitje armiqësore, është shumë e gjatë.

Angazhimi i tyre për reformën zgjedhore këto ditë   ka disa specifika. Ajo  shënon precedentin e zhvendosjes  në  “tokën amerikane” të takimeve të formatit shumëpalësh si ky i Këshillit Politik. Nuk është thelbësore të mësohet nëse këtë e kërkoi një palë apo një tjetër. Fantazia këtu mund të fluturojë  nga të dojë dhe si të dojë. Rëndësi kanë faktet. Dhe fakti është se marrëveshja në dukje  rutinore për reformën zgjedhore nxori në pah   protagonizmin e  dy vendeve që nuk janë pjesë e BE-së  (madje Britania  e Madhe sapo ka dalë nga BE). Do të thotë se rëndësia e marrëveshjes  kësaj radhe  sheh më larg  dhe përbën një zhvillim domethënës  në shërbim të stabilitetit të qëndrueshëm e  afatgjatë në Shqipëri e rajon. Në këtë kontekst, mua më duket se investimi ndërkombëtar për këtë marrëveshje drejtohej kundër  “marrëveshjes” së shfaqur në format karakteristike shqiptare për të mos e bërë atë.

Ky investim pa precedent dëshmon gjithashtu ngritjen  në një nivel të ri të angazhimit  dhe “përfshirjes” anglo-amerikane dhe europiane në të ashtuquajturat  punë të  brendshme të Shqipërisë.  Ky është një  lajm i mirë për ne.  Po të bëhej një referendum në  Shqipëri, kam  një bindje  të mbështetur  në shumë testime të tjera të përafërta se  shumica  absolute e qytetarëve  shqiptarë do të  votonin  në favor të rolit aktiv të SHBA-së dhe vendeve europiane mike në Shqipëri.  Me  kujtesë, me zgjuarsi, me arsye, por edhe në mënyrë empirike shqiptarët e dinë se roli i aktiv i miqve perëndimorë  në Tiranë  nuk bie ndesh me vetëvendosjen e tyre.  Vetëvendosja  jonë  si parim dhe si praktikë e kërkon, e përfshin,  e nënkupton bashkëpunimin e ngushtë me SHBA, BE, Anglinë. Vetëvendosja jonë është anglo-amerikane dhe europiane. Kjo është  lidhja organike mes asaj që duam  dhe asaj se me kë dhe si mund ti realizojmë  aspiratat  tona demokratike dhe kombëtare. Falë kësaj lidhjeje, Kosova është sot  e lirë dhe pavarur në rrugën e integrimit  euro-atlantik.  Shqipëria është bërë pjesë  pjesë e NATO-s dhe po kërkon  të sfidojë  përmes  drejtësisë së  re me bashkautorësi amerikane dhe europiane  gangrenën e pa ndëshkueshmërisë në sferat e larta.

Përpjekjet  për ta shkëputur vetëvendosjen tonë nga simbioza me euro-atlantizmin, qoftë nga kuptimi libresk i saj,  qoftë  nga naiviteti, qoftë  për shkak të  frymëzimeve   politike-ideologjike antidemokratike dhe antiperendimore, qoftë si një  mënyrë për mbajtjen e pushtetit me çdo çmim, kanë   prodhuar  vetëm  fatkeqësi për vendin tonë. Këto përpjekje  kanë  mbajtur gjallë  mosmarrëveshjen  e mallkuar,  për të cilën ka shkruar  gjerë e gjatë shkrimtari ynë i shkuar Ismail  Kadare në esenë homonime  “Mosmarrëveshja” , ku Shqipëria  del se ka qenë  jo pak  herë  “siç e do armiku”, siç thoshte poeti kombëtar  Gjergj  Fishta.

E reja, e mira, fatlumja  në kohën që jetojmë  është se falë   rolit aktiv të SHBA dhe mbështetjes së gjerë popullore që ka  euro-atlantizmi në Shqipëri dhe Kosovë  këto përpjekje janë pa të nesërme dhe kanë një fat: të dështojnë.  /Gazeta Liberale

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH