Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për vdekjen e Lear Kurtit. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se, kjo situatë kriminale ka mbështetës dhe frymëzues kryeministrin Edi Rama.
Ai ka kërkuar, largimin e menjëhershëm të Ramës dhe Ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi, si përgjegjësit kryesorë të krimeve shtetërore të përsëritur.
“Rastin tronditës të humbjes së jetës së Lear Kurtit, qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror. Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e freskët në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme. E mbushur me patronazhistë, të frymëzuar dhe të mbështetur politikisht nga arroganca e kryeministrit dhe sjellja dhe qëndrimet e njëjta me të dhe të Ministrit të Brendshëm, policia sot nuk shihet më si një institucion që mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por si kërcënim kriminal për ta”, tha Meta, ndërsa kërkoi më tej, edhe procedimin e drejtorit të AMP, Ardi Veliu. /Liberale.al