MASSIMO GAGGI
N ‘Amerikë nuk është vetëm kundërvënia rrënjësore ndërmjet demokratëve dhe republikanëve, për t’a bërë politikën të dalë nga shinat, duke i zënë rrugën kërkimit të zgjidhjeve të kompromisit. Për të shpjeguar prapambetjen e politikës, nuk mjafton as të thirret në shesh vetëkënaqësia dhe autoritarizmi i Trump-it. Në psikën e amerikanëve lëviz diçka më e thellë: një çarje që në të majtën radikale ka marrë formën e një teorie mbi “mëkatin origjinal” të të bardhëve që kanë ndërtuar Botën e Re mbi skllavërimin (me afro amerikanët, pasardhës të atyre skllevërve që sot kërkojnë dëmshpërblime), ndërsa në të djathtën gjen gjithnjë e më tepër përhapje teoria përbetuese e Great Replacement: ndërpretimi i rritjes së pakicave etnike dhe të dukurive mërgimtare si frut i një përbetimi që synon të spastrojë kulturën dhe mbizotërimin politik të bashkësisë së bardhë në Shtetet e Bashkuara.
E propozuar në një syzim të vitit 2011 nga akademiku francez Renaud Camus, teoria e Zëvendësimit të Madh ka fituar lidhtarë në të djathtën skajore evropiane, por prej ndonjë viti ka kapërcyer Atllantikun: ishte flamuri i lëvizjeve të eprorëve të bardhë që, në 2017 i dhanë njëri tjetrit takim në Charlottesville për një tubim që përfundoi në tragjedi. Është përmendur shpesh nga Trump-i kur ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe Tucker Carlson, më i ndjekuri nga gazetarët e Fox-it, televizioni i së djathtës amerikane, ka paditur edhe së fundi Biden-in se, me politikat e tij ndihmon Great Replacement. Frikërat e ushqyera nga trysnitë demografike (Nigeria po avitet të ketë më shumë banorë se Evropa perëndimore) janë toka pjellore për teoritë përbetuese, si pasoja të komploteve.
Simbas një hulumtimi të një politologu të Universitetit të Çikagos, pjesa m’e madhe e kryengritësve që më 6 janar sulmuan Kongresin, beson se Amerika po rrëshqet drejt Zëvendësimit të Madh. Përhapja e kësaj teorie mund të ndryshojë fatin e Amerikës. Nëse Trump-i ka bindur shumicën e republikanëve se Biden-i është një pushtues, kjo edhe për frikën e Replacement. Është e rëndësishme të vihet re sot, kur Trump-i po ndërton – mediatikisht, financiarisht e duke detyruar ndryshime në kolegjet e në procedurat e votimit pak demokratike në shumë Shtete – një fitore në presidencialet 2024, që në llogaritë e tij duhet të jetë jo e mundshme apo me gjasë por “e blinduar”. I përbuz të mundurit e nuk mund t’a konceptojë të jetë njëri prej tyre.
“Corriere della Sera”
Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale