“Situata është delikate, kemi raste humbje jete, raste në terapi intensive dhe të intubuara. Këto indikatorë tregojnë që Covid po sjell një klinikë të ashpër. Ka prekje të grupmoshave të reja aktive”.
Kështu e përshkroi situatën aktuale nga pandemia në vendin tonë, zëvendëministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini në Ditari në A2 CNN. Sipas saj kjo sjellje e Covid-19 nuk ishte shprehur më herët në pandemi dhe rastet e reja kanë kërkuar trajtim spitalor edhe pse nuk kanë pasur sëmundje shoqëruese.
Por Tomini deklaroi se vendi ynë ndodhet ende në skenarin e parë përkundrejt përgjigjes së pandemisë. Këtë fakt ajo e lidh me mos ezaurimin e kapaciteteve spitalore, sipas së cilës nga 855 shtretër janë ezauruar 74% e tyre dhe 44% e reanimacionit.
“Parashikimet për vetë sezonin favorizojnë bashkimet familjare, të qëndruarit në grup dhe shumë të tjerë që prishin distancimin fizik dhe sjell të kemi aktivitet dhe transmetueshmëri. Nuk kemi ezaurim të kapaciteteve spitalore, nga 855 shtretër kemi ezaurim të 74% të shtretërve dhe reanimacioni 44 %. Jemi akoma në skenarin e parë; përgjigje spitalore të shërbimit shëndetësor dhe për të mos krijuar panik dhe vigjilenca nuk duhet humbur. Ka njerëz që nuk zbatojnë rregullat”.
E pyetur për fëmijët e prekur nga Covid në vendin tonë ajo tha se deri më tani janë 0.7 % e pozitivitetit në rang kombëtar, ndërsa dy raste janë në terapi intensive. Ajo apeloi që të mos neglizhohet asnjë rast te mosha pediatrike.
Sa i takon apelit të mjekëve për mbylljen e transportit publik dhe shkollave Tomini theksoi se Ministria e Arsimit ka vepruar sipas skenarit përkatës në bazë të indikatorëve të pandemisë, ndërsa sa i takon transportit ajo tha se administratorët e tij duhet të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat.
“Mjekët kanë paraqitur momentet ku kemi grumbullime masive në shkolla, në transportin urban apo ambiente të tjera në bare e restorante. Për shkollën është skenari i Ministrisë së Arsimit. Mbi gjithçka qëndron shëndeti dhe arsimi është i kufizuar sipas skenarëve përkatëse. Nuk është përgjegjësia vetëm për popullatën, por e secilit prej nesh, transporti ka administrator që duhet të zbatojë rregullat sipas protokollit të sigurisë. Inspektoriatet në terren janë duke vepruar kundrejt gjobëvënies e masave administrative. Administruesit duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë. Masat administrative janë eventuale për këdo biznes".
Sipas Tominit shërbimi spitalor është në kushte alerti për të dhënë një shërbim cilësor, në një kohë kur virusi ka ndryshuar sjellje, ajo apeloi që popullata të zbatojë rregullat në mënyrë rigoroze.