Politikë

Si e çmontoi “non grata” farsën e Sali Berishës!

Shkruar nga Liberale
Si e çmontoi “non grata” farsën e Sali Berishës!

Alfred Peza

Kur po mbushen 3 muaj nga shpallja “non grata” e Sali Berishës dhe familjes së tij, është hedhur dritë e plotë brenda opozitës, duke zbardhur disa të vërtetë të thjeshta që deri dje mohoheshin prej lidershipit të saj. Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, hodhi në koshin e plehrave ambalazhin plot shkëlqim kallp, duke ekspozuar në dritë të diellit “mumjen” që fshihej brenda saj.

E vërteta e parë e madhe që u zbulua, është se përballë Edi Ramës opozita ka patur si alternativën e saj të vetme edhe në këto 8 vjet, vetëm Sali Berishën. Sapo u vërtetua katërcipërisht, se Sali Berisha vijon të jetë ai që ka qenë prej 30 vjetësh me radhë; kryetari real i PD dhe lideri “de facto” i opozitës.

Sali Berisha as ka ikur nga drejtimi i partisë siç deklaroi pasi humbi zgjedhjet e 2013, as nuk u tërhoq nga nga politika aktive siç tentoi të krijonte iluzionin dhe as nuk doli në pension politik siç u rrek tua servirte shqiptarëve, propaganda e tij. Vetë tani u kuptua se ai nuk pyet as për strukturat drejtuese të PD, as për lidershipin e “Opozitësë Bashkuar” dhe as për Lulzim Bashën. Sepse vendimin për të mos ikur nga Grupi Parlamentar i PD, e artikuloi vetë publikisht, pa e konsultuar më parë me askënd.

Kaq mjafton për të kuptuar se Sali Berisha është; edhe partia, edhe opozita. Asnjë nuk ka qoftë edhe guximin, e jo më fuqinë, ta kundërshtoi atë. Nëse nuk do të ishte “non grata”, shumëkush nuk kishte për ta parë e kuptuar këtë gjë, ndoshta asnjëherë. E vërtetë tjetër e dhimbshme që zbulon kjo, është se gjithkush brenda minorancës, ndodhet aty jo për meritë por vetëm sepse kështu do ai.

Deri dje krekoseshin si ishin ata lidershipi real i PD dhe i opozitës, ndërsa sot janë zhdukur nga skena publike dhe nuk pipëtijnë më. Nëse nuk do të ishte “non grata”, propaganda do vijonte ta ushqente ende farsën e rivalitetit të paqenë mes Lulzim Bashës e Ilir Metës, për lidershipin e opozitës shqiptare.

Ku është sot Kryetari i PD? Po Kryetari i Shtetit? Pse nuk flasin? Pse nuk prononcohen? Përse nuk dalin njëri nga foltorja e SHQUP dhe tjetri live nga Presidenca? Përse nuk vendosin? Ku e kanë gjuhën që nuk po arrijnë as tij kthejnë, qoftë edhe një përgjigje formale publikisht SHBA dhe ambasadores Yuri Kim, për fatin politik dhe parlamentar të “deputetit të thjeshtë” Sali Berisha?!

Përgjigja është shumë e thjeshtë dhe e qartë: Ata nuk kanë kurrfarë pushteti brenda opozitës, as për të folur për Sali Berishën e jo më që të marin vendime për të ardhmen e tij politike, pas kërkesës së SHBA për ta larguar nga Grupi Parlamentar i PD.

Këtë të vërtetë që propaganda e opozitës bëri gjithçka gjatë këtyre 8 viteve për ta mbuluar, e kuptoi shumë mirë populli shqiptar, ndaj më 25 prill e ndëshkoi me votë alternativën e një kandidati kukull për Kryeministër siç ishte Lulzim Basha. Budallenj në politikë, janë të gjithë ata që mendojnë se qytetarët që i votojnë, janë budallenj. “Non grata” e SHBA, i ndihmoi të gjithë, ta kuptonin kaq qartë edhe këtë.

Sali Berisha me siguri që nuk do të përfundonte në listën e zezë të SHBA, nëse do ia kishte kursyer edhe vetes, edhe PD, edhe opozitës, edhe shqiptarëve, edhe ndërkombëtarëve këtë ballo me maska që ka luajtur në 8 vitet e fundit. Ai duhet ta kishte kuptuar se pas 30 vjetësh, largimi i tij nga skena politike, do i jepte fund tranzicionit. Pa ikur ai, as shqiptarët dhe as ndërkombëtarët, nuk kanë për ta parë kurrë opozitën si alternativë reale pushteti.

Sali Berishës iu dha mundësia që ta qeveriste Shqipërinë, menjëherë pas rrëzimit të komunzimit, edhe përkundrejt çmimit të burgosjes së liderit të opozitës socialiste Fatos Nano. Sali Berishës iu dha mundësia të nusëronte për herë të dytë, kur si asnjë lideri tjetër në botën demokratike, u rikthye me votë për të qeverisur pasi e larguan nga pushteti me plumba.

Kjo është e treta e vërteta. Ndaj opozita u ndëshkua dhe PS fitoi mandatin e tretë qeverisës radhazi. Lajmi i mirë është se edhe pasi dogjën mandatet e deputetëve, edhe pasi bojkotuan zgjedhjet e 2019, Sali Berisha nuk ia doli që ta merte sërisht peng Shqipërinë. “Non grata” po e ndihmon tani edhe opozitën, që të çlirohet sa më parë, nga kthetrat e tij!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH