Nën drejtimin e Edi Ramës prej vitit 2013, PS është partia e vetme gjatë pluralizmit politik që fiton katër mandate radhazi. Plus dy mandate gjatë drejtimit të liderit historik, askush nuk do ta kishte imagjinuar në ditën kur nisi reformimi i saj nga Partia e Punës, të kishte një sukses të tillë
Nga 12 Qershori i vitit 1991, kanë kaluar plot 34 vite kur një pjesë e anëtarëve të Partisë së Punës që drejtoi vendin për pesë dekada, e udhëhequr nga Fatos Nano vendosi t’i përshtatej një epoke të re, duke ndryshuar emër, mision dhe program për t’u ndarë nga e kaluara.
Kjo datë shënoi lindjen e Partia Socialiste e Shqipërisë, me kryetarin e parë, liderin historik të së majtës, Fatos Nanon, i cili shumë shpejt do të kalonte në një periudhë të vështirë si në aspektin personal ashtu edhe në atë partiak.
Socialistët të paragjykuar për të kaluarën e tyre të afërt u përballën me nevojën për ndryshim, por edhe me paragjykime nga ndërkombëtarët për të kaluarën e tyre. Dhe me linjën e ashpër të pushtetit.
Viti 1992 solli për herë të parë Partinë Demokratike në pushtet.
Sali Berisha u bë President i Republikës, ndërsa brenda pak kohësh ai që konsiderohej kreu i opozitës Fatos Nano, përfundoi në burg, i dënuar me 12 vjet heqje lirie për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Fatos Nano e drejtoi PS nga qelitë e Bënçës dhe gjatrë viteve të burgut komunikonte me udhëheqjen e përçarë me anë të letrave. Kjo është periudha më e vështirë e kësaj partie të re dhe të vjetër deri në fitoren që arriti në vitin 1994 me referendumin e Kushtetutës.
Në 34-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, urimet dhe reflektimet për rrugëtimin e kësaj force politike nuk kanë munguar. Ish-ministri dhe një nga figurat e njohura të së majtës, Arben Malaj, ka uruar të gjithë socialistët dhe ka shprehur mirënjohjen për ata që, sipas tij, e duan atdheun me sinqeritet.
Malaj rikujtoi mbështetjen që ka marrë në fillim të viteve ’90 nga shkrimtari i madh Dritëro Agolli, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm në përpjekjet e PS për t’u kthyer në një forcë fituese, sidomos gjatë viteve të vështira të opozitës (1992-1997). Ai kritikoi mënyrën sesi, sipas tij, ndryshoi struktura e partisë pas vitit 2005, duke kaluar nga një model kolegjial drejt një lidershipi të përqendruar, veçanërisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
“Kam pasur përplasjet e mia në PS. Por nuk kam ikur kurrë në një parti tjetër. Besnikëria dhe mirënjohja ndaj socialistëve më kanë mbajtur këtu,” tha Malaj në “News 24”, duke shtuar se “ajo që s’të vret, të bën më të fortë, dhe unë sot ndihem i tillë”.
Ai u shpreh kritik ndaj liderëve me mandate të gjata, duke i krahasuar me figura autoritare historike, dhe theksoi se “problemi nuk është populli, por liderët”. Në fund, Malaj dha një mesazh të qartë: “Më mirë një ‘xhaketë e vjetër’ sesa rrobe të reja firmato që iu vjen era ndot,” duke aluduar për imazhin e rremë që, sipas tij, po ndërtohet në politikën shqiptare sot.
Historia ka treguar se nuk ka qenë enlehta ngjitja në pushtet për socialistët. Në zgjedhjet e vitit ‘96 socialistët akuzuan Berishën për manipulime masive, duke u tërhequr nga gara. Ndërkombëtarët duket se i mbështetën, duke kërkuar përsëritjen e tyre në një pjesë të mirë të vendit, ndërsa opozita doli në rrugë të protestonte, ku u gjakos në përplasjet me policinë.
Me trazirat sociale të vitit ’97, Fatos Nano doli nga burgu i shkatërruar i Bënçës, ndërsa socialistët erdhën në pushtet. Nano u bë kryeministër pas zgjedhjeve te qershorit.
Një grusht shteti në vitin ’98, nxitur nga vrasja e Azem Hajdarit, e detyroi Nanon të largohej nga qeveria dhe partia. Ai u rikthye sërish dhe në vitin 2001, si kryetar i partisë nisi lëvizjen e famshme për katarsis.
Konfliktet e brendshme nuk gjetën paqe dhe Ilir Meta shkëputet duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në vitin 2004. Ndarja i dha pasojat në zgjedhjet e vitit 2005, kur PS humb dhe del në opozitë.
Nano largohet nga partia, drejtimin e të cilës e merr Edi Rama, që ndonëse në opozitë arrin të fitojë edhe një tjetër mandat në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2007.
Katër vite më pas, fitorja me pak vota e Lulzim Bashës për bashkinë e Tiranës e detyron kryesocialistin Rama të merret ekskluzivisht me çështjet e partisë, të cilën e rikthen në pushtet në vitin 2013, vetëm duke u ribashkuar me atë pjesë të cilën kishte humbur rrugës, LSI-në.
Këtu nis epoka e Rilindjes e cila fitoi të gjitha zgjedhjet në 2013, 2017, 2021 dhe 2025. Me një kundërshtar të përçarë përballë, socialistët në këtë 34 vjetor, edhe pse u ngritën mbi trashëgiminë komuniste, rezultuan gjatë tranzicionit një “makineri” e vërtetë elektorale.
Për shumë analistë suksesi i PS-së i atribuohet dy faktorëve, meritës së vetë socialistëve nga njëra anë dhe dobësisë së kundërshtarit nga ana tjetër.