Projekt-raportet për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) nxjerrin në pah detyrat e shtëpisë për vendin tonë. Slogani politik i PS-së, “Shqipëria 2030” duket se ka lidhje pikërisht me këtë objektiv, teksa pozicioni strategjik i vendit dhe i rajonit tonë i japin shansin e në BE, megjithëse një i tillë nuk mjafton sepse duhet përmbushur standardet dhe arritur objektivat. A është duke e çuar përpara integrimin partia në pushtet që qeveris prej 12 viteve? A mund të kishte bërë hapa më të mirë Shqipëria ose a mund të bëjë, në rast qeverisjeje nga opozita?
Pyetje që vështirë se mund të marrin një përgjigje, por edhe brenda kampeve politike duket se ka një mungesë të theksuar interesi për të zhvilluar një debat të tillë.
Vlerësimet e fundit të BE-së
Dokumentet theksojnë se shteti i së drejtës mbetet një çështje kyçe për këto vende dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të krijojnë një administratë publike më efikase. Duke iu referuar situatës aktuale në Bosnje, disa eurodeputetë nënvizojnë "tendencat thellësisht shqetësuese secesioniste" të zyrtarëve në entitetin Republika Srpska, në Bosnjë.
Andreas Schieder (S&D), Raportuesi i PE-së për Shqipërinë, vuri në dukje se vendi ynë po përparon mirë në rrugën e tij drejt BE-së, gjë që u reflektua nga fakti se Kapitulli 1 dhe Kapitulli 6 u hapën vitin e kaluar, por se "shumë sfida duhet të adresohen ende për të arritur objektivin ambicioz, por realist, për të qenë gati për BE në vitin 2030".
Sipas Schieder, Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në shtetin e së drejtës dhe demokracinë, por ka sfida kryesore që vazhdojnë, përfshirë: polarizimin e brendshëm politik, reformat kundër korrupsionit, reformën zgjedhore, pavarësinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit.
Duke paraqitur një draft raport për Maqedoninë e Veriut, Thomas Ëaitz, Raportuesi i PE për vendin tonë fqinj, përmendi tragjedinë katastrofike në Koçan dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. Ai shtoi se në tragjedi dukej se “ka qenë i përfshirë korrupsioni”. Ëaitz nënvizoi se ndryshimet kushtetuese ishin parakushtet kryesore për “zhbllokimin” e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
“Fillimi aktual i bisedimeve të anëtarësimit do të bëhet sapo të mundësohen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë në tryezë dhe nënkuptojnë përfshirjen e disa pakicave etnike në Kushtetutë”, tha Thomas Ëaitz. Më tej zyrtari i BE-së shtoi se sfidat e tjera lidhen me reformat e shtetit ligjor, ngritjen e administratës publike të bazuar në merita dhe forcimin e mëtejshëm të medias.
Ondrej Kolar (EPP), Raportuesi i PE për Bosnje dhe Hercegovinën, vuri në dukje se përshkallëzimi i krizës në vend ishte "i thellë" dhe se të gjithë sytë në rajonin tonë duhet të jenë te Bosnja.
"Bosnje-Hercegovina do të duhet të përmbushë 14 prioritetet kryesore për të siguruar një shtet funksional demokratik, mundësi të barabarta për njerëzit, efikasitet të administratës publike dhe rritje ekonomike", theksoi Kolar. Përveç kësaj, ai dënoi "përdorimin e përsëritur të retorikës nxitëse dhe miratimin e ligjeve dhe politikave secesioniste nga udhëheqja e njësisë së Republikës Srpska". Sipas Kolář, "veprime të tilla minojnë Besnjen dhe janë të papajtueshme me procesin e saj të pranimit në BE".