Është hapur sot tuneli i Llogarasë, një ndër veprat më të mëdha në infrastrukturën publike, i pozicionuar në jug-perëndim të vendit, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë zonën jugperëndimore.
Tuneli shkurton distancën nga Dukati në Palasë nga 30 në gati 10 minuta dhe ka një gjatësi prej afro 6 kilometrash. Konsiderohet një ndër investimet më të mëdha, me vizion për zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Ndërkohë që krahas tij do të jetë edhe një tunel emergjence me gjatësi 6.04 km.
Tuneli kryesor do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.
Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët.
Sipas të dhënave dhe planit të ministrisë së Infrastrukturës, kalimi nga tuneli i Llogarasë, do të jetë këtë vit pa pagesë, ndryshe nga kalimi ne akset e Korridorit Blu ku përfshihen akset Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier, do të jetë me pagesë.
Sapo është hapur rruga Thumanë-Kashar me pagesë. Siç duhet Rruga e Kombit është aksi i parë që është bërë me pagesë në vendin tonë, për 5 euro (10 euro vajtje-ardhje). E njëjta tarifë mësohet se do të vendoset për kalimin në tunelin e Llogarasë, duke qenë se distanca është shumë herë me e shkurtër se ajo e Rrugës së Kombit dhe natyrisht edhe investimi.
Pyetja që shtrohet është: si përcaktohet tarifa, kush e përcakton atë, sa e drejtë është një e tillë dhe si veprojnë vendet e tjera?
Në vendet e tjera operohet me rregulla dhe një standard. Aty ku ka tarifë qytetarët kanë edhe mundësi të zgjedhin. Si për shembull nëse për autostradën dhe tunelin Tiranë-Elbasan do të kishte tarifë, çdokush i cili nuk do të donte të paguante një të tillë, mund të zgjidhte alternativën tjetër atë të rrugës së vjetër nga Krraba. Por nëse mungon një e tillë, pra një rrugë dytësore, si në Rrugën e Kombit, atëherë?
Problemi i dytë është tek “klientët” nëse do t’i quanim kështu udhëtarët e rrugës, duke qenë se atyre u vendoset një çmim për udhëtimin. Banorët që banojnë në Kukës ose të gjithë të tjerët mbi tunelin e Kalimashit, dhe punojnë në Tiranë, ikin dhe vijnë thuajse çdo javë ose edhe më shpesh. Mund të ketë nga ata që lëvizin çdo ditë. Ose më shumë se një herë në ditë. Që do të thotë se për “klientët e përhershëm”, nuk ka asnjë privilegj.
Edhe në tregti, tregtari e ka një logjikë. Nëse merr një produkt me shumicë afrohet një çmim më i ulët në krahasim me atë me me pakicë. Një miliarder ose turist (i pasur ose jo) që shkon për pushime në Dhërmi ose në Sarandë ndoshta nuk do të preferonte që të paguante edhe 20 euro për të kaluar në tunelin e Llogarasë, por nuk do të ishte asnjë problem për xhepin e tij kjo shifër. Ndërsa me banorët e zonës të cilët duhet të lëvizin çdo ditë, edhe jashtë sezonit turistik, do të ishte më e drejtë të negociohej për një çmim tjetër. Pak a shumë siç funksionon edhe abonoja në autobusët urbanë. Ai qytetar që udhëton shumë pak ditë gjatë muajit i bën llogaritë mirë, nuk blen abone. Ndërsa një qytetar që lëviz çdo ditë ose më shumë se një herë gjatë ditës në zonat urbane, blen obone.
Në këto kushte, pushteti lokal, kompania koncesionare dhe autoritet qendrore, ndoshta do të mund të merrnin parasysh disa faktorë, që tarifa të paktën për banorët e zonave përreth rrugëve ku është vendosur një e tillë, të ishte sa më e përshtatshme dhe e drejtë për ta.