Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 86% e shqiptarëve largohen për kushte më të mira pune. Kush duhet të afrojë zgjidhje?

Shkruar nga Aranit Muraçi
SHIFRA E DITËS: 86% e shqiptarëve largohen për kushte më

Shumica e shqiptarëve largohen jashtë vendit për mundësi më të mira punësimi. Zyrtarisht njihen shifrat por jo “diagnoza” prej së cilës mund të vijë parandalimi.

Ashtu siç ndodh me pacientin i cili vuan nga ndonjë sëmundje dhe nuk mund të kurohet ose më pak të shërohet pa iu gjetur diagnoza, ashtu edhe parandalimi i largimit masiv nuk mund të ndodhë nëse nuk zbulohen shkaqet.

Parandalimi i fenomenit të largimit të të rinjve në emigracion kërkon jo vetëm njerëz të aftë që ta njohin atë, analizë të imtësishme rreth problematikës por edhe dëshirë, vullnet dhe madje patriotizëm.

Një raport i Ministrisë së Brendshme për migracionin gjatë periudhës 2019-2022 tregon se 86% e shqiptarëve që kanë emigruar në vitin 2022 kishin si faktor shtytës punësimin, ndërsa rreth 6% rezulton se janë larguar për bashkim familjar dhe gati 4% për mundësi më të mira studimi.

Përgjatë vitit 2022 rreth 46 mijë e 500 shqiptarë janë larguar nga vendi, niveli më i lartë që nga viti 2014. Largimet reflektohen edhe në kërkesat në rritje të shqiptarëve për azil.
Në vitin 2022, 25 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, Britani, Amerikë, Kanada dhe Australi, rritje me 83% krahasuar me vitin 2021.

Më shumë se gjysma e kërkesave rezulton të jenë bërë në Britaninë e Madhe, pasuar më tej nga vendet e BE-së.

Sa i përket azilit arsyet kryesore lidhen kryesisht me çështjet ekonomike.
Për Ministrinë e Brendshme shqetësues mbetet trendi në rritje edhe i emigrimit të të miturve kryesisht drejt vendeve të BE-së.

Gati 5.600 të mitur shqiptarë kanë kërkuar azil në vitin 2022, shumica në Britani dhe Francë. Në krahasim me vitin paraardhës ka pasur një rritje 85%. Në kushtet kur Shqipëria vazhdon të prodhojë flukse emigrantësh ekonomikë, sipas Ministrisë së Brendshme është e nevojshme që të intensifikohen përpjekjet për mirëqeverisje në vend.

Shumë fshatra dhe qytete po zbrasen me shpejtësi, pasi veç emigracionit, është Tirana që po i tërheq gjithnjë e më shumë qytetarët, çka përbën një tjetër problematikë që mund të trajtohen përmes politikave efikase. Si shembull, braktisja e fshatit nga një familje, anëtarët e së cilës nuk kanë as arsimimin dhe as kualifikimin e duhur për të siguruar më shumë të ardhura në metropol, mund të parandalohet përmes politikave efikase që trajtojnë dhe analizojnë ndërveprimet e një sërë faktorësh si lëvizjet e demografike, resurset natyrore, burimet njerëzore apo edhe prioritetet dhe mundësitë ekonomike.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH