Aranit Muraçi
Kriza e çmimeve dhe rënia e fuqisë blerëse pritet të kenë ndikim negativ te më shumë se gjysma e familjeve shqiptare, në festat e këtij fund-viti. Kryesisht për shtresat në nevojë dhe ata të cilët presin pagën mujore për shpenzimet jetike, edhe ky vit nuk do të jetë njësoj. Gjeli i detit i konsideruar “mbreti” i tryezës së festave të fundvitit do t’iu mungojë shumë familjeve, ose mund të mos shoqërohet me pije të mjaftueshme ose, me dhuratat e duhura, për disa të tjera. Me bonusin prej 5 mijë lekësh që morën pensionistët për këtë fundvit, që ata ta kenë gjelin në tryezë do të kërkojnë sërish ndihmën e të tjerëve për të blerë të paktën gjysmën e tij. Sipas fermerëve çmimi i gjelit të detit u rrit nga 100 në 200 lekë për kg këtë vit (reflektim i rritjes së çmimit të ushqimit për kafshët). Rreth 40 për qind e familjeve shqiptare ndodhen në kufirin e varfërisë, ndërsa mbi 50 për qind e tyre sipas të dhënave të agjencive më serioze ndërkombëtare mezi përballojnë shpenzimet. Ndërkohë që siç edhe tregojnë të dhënat zyrtare, pas pandemisë çmimet e ushqimeve janë rritur nga 20 deri në 40 për qind. Ndryshe nga pjesa tjetër e zhvilluar, vendi ynë edhe pse nuk u ndikua direkt nga kriza energjetike, në mungesë të prodhimit importoi krizën e ushqimeve kryesisht nga vendet e BE-së. Ajo që e ekspozon Shqipërinë edhe më tepër përballë krizës është abuzimi, përveç rritjes së çmimeve.
Ndërkohë që në vendet e zhvilluara, nga Europa në SHBA qytetarët po “vajtojnë” ende krizën sidomos për festat e fundvitit, organet ligjzbatuese tregohen vigjilente dhe ndërhyjnë në mbrojtje të konsumatorit me qëllim që të të mos ketë abuzim me çmimet, historia e viteve të fundit (edhe në kohë normale) ka treguar se në Shqipëri fatkeqësisht kjo nuk ndodh.
Tregu europian
Sipas një analize të Guardian, çmimi i shpendëve në Britani është rritur 5 për qind nga viti i kaluar dhe 30 për qind nga viti 2020, që do të thotë se ushqimet do të jenë më të shtrenjta për familjet britanike këtë fundvit. Në Irlandë dhe Francë, shpendët kushtojnë rreth 25 për qind më shumë se tre vjet më parë. Në Gjermani, çmimi është pak më i ulët se vitin e kaluar, por 43 për qind më i lartë se sa ishte në prag të sezonit të festave të vitit 2020. Në pjesë të ndryshe të Evropës Lindore, krapi dhe peshku mbizotërojnë në festën e Krishtlindjes. Këtë vit, kjo traditë kushton shumë më tepër se sa dikur: çmimet e peshkut në Hungari dhe Poloni janë rritur më shumë se 60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Çmimet e peshkut në Republikën Çeke nuk janë rritur aq shumë, por mbeten ende 16 për qind më të larta se tre vjet më parë.
Gjërat nuk po shkojnë më mirë për vegjetarianët në Evropë. Çmimet e perimeve në BE dhe Britani janë rritur mesatarisht 30 për qind që nga viti 2020, ndërsa në Spanjë kostoja është rritur me 13 për qind që nga viti i kaluar.
Ndërkohë, evropianët po reduktojnë gjithashtu shpenzimet e tyre për Krishtlindje dhe festat e frundvitit. Klientët dhe shitësit në Francë dukeshin sikur ishin të dy në depresion. Sipas një studimi të publikuar më 30 nëntor nga grupi bamirës francez Dons Solidaires, 37 për qind e francezëve janë shprehur të shqetësuar se nuk mund të blejnë dhurata për Krishtlindje, ndërkohë që indeksi u rrit nga 30 për qind në 2021 në 34 për qind në 2022. Normalisht në katër javët e fundit të vitit, tregtarët e mëdhenj të ushqimeve fitojnë 9 për qind të xhiros së tyre vjetore, parfumet 20 për qind dhe dyqanet e lodrave 30 për qind, sipas firmës konsulente Kantar “Worldpanel”.
Megjithatë, të dhënat e kompanisë kërkimore të tregut NPD, publikuar në fillim të dhjetorit, treguan se tregu i lodrave ishte ulur me 10 për qind këtë sezon. Sipas kompanisë GFK, tregu i konsumit të elektronikës ra me 5.7 për qind nga viti në vit që nga 10 dhjetori.
Tregjet e dorës së dytë duken më tërheqëse për blerësit francezë gjatë pushimeve. NPD parashikon se nga pamundësia për të blerë, rrobat e përdorura mund të xhirojnë deri në 6 miliardë euro.
Tregu amerikan
Dy të tretat e amerikanëve që fitojnë më pak se 50,000 dollarë në vit raportuan shkurtime të blerjeve për pushimet e fundvitit, çka tregon një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2022. Çmimet ishin pak më të ulëta në dyqanet me pakicë në të gjithë Shtetet e Bashkuara këtë sezon festash, pas dy viteve me inflacionin e lartë. Klientët raportohet se nga kjo situatë e vështirë edhe kur blinin për festat, nuk dukeshin entuziastë.
Sipas një sondazhi të Universitetit Monmouth të publikuar të enjten, 55 për qind e të anketuarve kishin planifikuar të shkurtonin listat e blerjeve për pushimet e fundvitit, një rritje prej 9 për qind nga vitet e mëparshme.
Njerëzit që fitojnë më pak se 50,000 dollarë amerikanë në vit janë më të ndjeshëm ndaj çmimeve. Dy të tretat e këtij grupi raportuan se do të shkurtonin shpenzimet për festat, një rritje e konsiderueshme nga viti 2022 kur 48 për qind thanë të njëjtën gjë.
Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë amerikane, çmimet e disa mallrave kanë filluar të bien. Lodrat janë thuajse 3 për qind më të lira këtë sezon të Krishtlindjeve dhe pajisjet sportive gati 2 për qind më pak nga viti i kaluar, por megjithatë, shumica e ushqimeve dhe e shërbimeve janë shumë më të shtrenjta se sa ishin një vit më parë, pa u futur në ndonjë krahasim të mundshëm me çmimet para pandemisë.