Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 50 mijë shqiptarë morën nënshtetësinë e një vendi tjetër në BE, të parët në botë për braktisjen e atdheut!

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: 50 mijë shqiptarë morën

Si të luftojmë patriotizmin e rremë, duke ngritur e zbatuar politika të shëndosha dhe efikase që shqiptarët ta shohin të ardhmen në atdhe

Shifrat e fundit të Eurostat u japin një “shuplakë” të fortë “patriotëve” të cilët çirren në ekrane dhe rrjete sociale, bashkë me politikat boshe të politikanëve që gjoja flasin në emër të patriotizmit. E vërteta është se populli i parë në botë, me numrin më të lartë të shtetasve që u është dhënë shtetësia në një nga vendet e Bashkimit Europian, për vitin 2022, është populli shqiptar. Kjo do të thotë se shqiptarët janë populli i parë në botë që e shohin të ardhmen larg vendit të tyre. Drama thellohet nëse analizojmë edhe shifrat e viteve të tjera. Ato tregojnë se shqiptarët ose janë të parët ose mbajnë vendet e para prej të paktën dy dekadave të fundit. Në vend që të ngrihen politika të shëndosha të ndryshimit të këtij trendi, i mëshohet një patriotizmi të rremë, pa vlerë. Dhe si të mos mjaftojë rënia e ndjeshme e lindshmërisë dhe e emigracionit masiv, fakti që shqiptarët po integrohen në vendet e zhvilluara dhe po marrin një shtetësi tjetër, e vë kombin tonë ndoshta para rrezikut të humbjes së identitetit.  E thënë ndryshe, nëse nuk ndryshon kjo qasje, a rrezikon Shqipëria të kthehet në një komb pa shqiptarë në të ardhmen?!

Analiza e shifrave zyrtare të publikuara sot nga Eurostat, agjencia europiane e statistikave, duhet të jetë një kambanë alarmi për politik-bërësit.  

SHIFRA E DITËS: 50 mijë shqiptarë morën

 Në vitin 2022, 989.000 persona morën shtetësinë e një vendi të BE- së ku ata jetonin, një rritje prej rreth 20% (ose 163.100 persona më tepër) krahasuar me vitin 2021.

Shumica e shtetësive të reja (në shifra absolute) janë dhënë nga Italia (213.700; 22% e totalit të BE-së). Spanja (181.800; 18% e totalit të BE-së) dhe Gjermania (166.600; 17%) dhanë numrin e dytë dhe të tretë më të madh të shtetësive të reja.

Rritjet më të mëdha në shtetësitë e dhëna rezidentëve joshtetas në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, u regjistruan në Itali (92.200 më tepër), Spanjë (37.600 më tepër) dhe Gjermani (36.600 më tepër). Në anën tjetër, uljet më të mëdha u vunë re në Francë (15.900 më pak), Holandë (9.300 më pak) dhe Portugali (3.700 më pak).

Të dhënat tregojnë se 87% e të gjithë atyre që kanë marrë nënshtetësinë e BE-së, të vendit ku kanë jetuar ishin shtetas të një vendi jo anëtar të BE-së. Qytetarët e një shteti tjetër të BE-së nga vendi i banimit përbënin 12%. Pjesa tjetër kishin ose një shtetësi të mëparshme të panjohur (1%) ose ishin pa shtetësi (0.7%).

Në vitin 2022, banorët marokenë ishin grupi më i madh i qytetarëve të rinj të BE-së, me gjithsej 112.700 shtetësi. Grupi i dytë më i madh ishin shtetasit sirianë me 90.400 shtetësi, të ndjekur nga shqiptarët me 50.300 shtetësi (shih tabelën e Eurostat).

SHIFRA E DITËS: 50 mijë shqiptarë morën

Shqiptarët, nëse analizojmë numrin total të popullsisë janë të parët në botë që kanë marrë shtetësinë e një vendi tjetër. Popullsia e Shqipërisë është 2.8 milionë banorë sipas Censusit të vitit 2011, por zyrtarisht në zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të regjistruar rreth 3.6 milionë banorë. Sipas të dhënave nga Gjendja Civile, popullsia e Shqipërisë nën moshën 18 vjeç është rreth 1 milion banorë, çka do të thotë se brenda dhe jashtë kufirit jetojnë gjithsej rreth 4.6 milionë banorë shqiptarë.  

Sipas shifrave zyrtare popullsia e Marokut, vend afrikan, në vitin 2021 ishte 37.08 milionë banorë (pa llogaritur ata që jetojnë jashtë). Maroku ka një popullsi 9 deri në 10 herë më të lartë, ndërsa numri i shtetasve që morën shtetësi europiane ishte pak më shumë se dyfishi i popullsisë së Shqipërisë.

Nga ana tjetër popullsia e Sirisë, vend aziatik i përfshirë në luftë pak vite më parë  është 21 milionë banorë, gati pesëfishi i popullsisë së Shqipërisë, pa llogaritur diasporën e saj.

Nëse i referohemi shifrave, para Shqipërisë kemi të bëjmë me dy vende jashtë Europës, me popullsi çka e bën edhe më dramatike situatën e braktisjes së atdheut nga shqiptarët.  

Në vitin 2022, Rumania regjistroi shkallën më të lartë të natyralizimit midis vendeve të BE-së, me 26.8 shtetësi të dhëna për 100 banorë jo-shtetas. Suedia ishte 10.6, e ndjekur nga Holanda me 4.4 dhe Italia me 4.2. Në anën tjetër të shkallës, normat më të ulëta të natyralizimit për 100 banorë jo-shtetas u regjistruan në Letoni dhe Estoni (të dyja 0,4), Austri dhe Bullgari (të dyja 0,7) dhe Maltë dhe Çeki (të dyja 0,8).

Në total, janë 604 mijë shqiptarë të cilët janë pajisur me pasaportë të një vendi të Bashkimit Europian në 20 vitet e fundit, sipas të dhënave të Eurostat, që i raporton shifrat nga viti 2002 dhe i ka përditësuar edhe për vitin 2022.

Numri më i lartë i shtetësive të dhëna ishte në 2016, me 67 mijë, i ndjekur nga 2017-a, me 59 mijë. Më pas u shënua një tendencë e qëndrueshme në rënie, deri në vitin 2022, kur pasaportat e dhëna për shtetasit shqiptarë nga shtetet e BE-së u rritën sërish. Krahasuar me vitin 2021, numri i shtetësive të dhëna për shqiptarët është rritur me 17.900 persona, ose 55 %. Për marokenët me 26.500 shtetësi, (ose 31 %), rumunët (nga 9 100 persona, ose 32 %), sirianët (nga 6.400 persona, ose 8 %) dhe turq (nga 3.700 persona, ose 15 %).

Numri i përgjithshëm i marrjes së shtetësisë gjithashtu u rrit ndjeshëm në vitin 2022 për ukrainasit (me 8 300 persona, ose 40 %) indianët (me 7 900 persona, ose 49 %), argjentinasit (me 7 100 persona, ose 97 %) dhe moldavët ( me 6 300 persona, ose 42 %), ndërsa është ulur ndjeshëm për qytetarët britanikë (me 2 900 persona, ose 31 %). /Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH