Shumë vende të zhvilluara kanë rritur tatimin mbi fitimin deri në 70 për qind në këtë periudhë krize sa u përket çmimeve, ndërsa vendi ynë e ka rritur një të tillë krahasuar me një vit më parë jo më shumë se 20 për qind.
Sistemi i tatimit vijon të bazohet në tatimin mbi të ardhurat, madje mbi të ardhurat individuale duke goditur kryesisht shtresat e mesme dhe profesionet e lira.
5.7 miliardë lekë u arkëtuan ose rreth 55 milionë Euro nga tatimi mbi të ardhurat personale në muajin Janar të këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave duke shënuar rritje me 8.6% më shumë se Janari i 2023.
Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për muajin Janar të 2024, reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve, nënvizon dikasteri i Financave.
Duke iu referuar të ardhurave totale për Janarin e këtij viti, Ministria e Financave evidenton se ato u realizuan në masën 100.6% të planit të së njëjtës periudhë. Gjithashtu indikatorë pozitive shënuan edhe të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin. Bazuar në shifrat zyrtare, ato u realizuan në masën 2.9 miliardë lekë, ose 19.3% më shumë se Janari i vitit 2023.
Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2024, arritën në rreth 38.6 miliardë lekë me një realizim në masën 89.2% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, ky zë ka rezultuar 10.3% më i lartë, ose rreth 3.6 miliardë lekë më shumë.