Ekonomi

Megainvestimet në Shqipëri, analiza e ekspertëve për Liberale, Teuta Çerpja: Turizmi, përballë sfidave të zhvillimit ekonomik!

Shkruar nga Aranit Muraçi

Megainvestimet në Shqipëri, analiza e ekspertëve për

Pas suksesit që shënoi vitin e kaluar po flitet gjithnjë e më tepër për turizmin në Shqipëri, edhe në arenën ndërkombëtare. 

Janë disa mega-investime të huaja, si ai i Portit të Durrësit apo edhe investimi i mundshëm i njerëzve të afërm të ish-presidentit Amerikan, Donald Trump, në ishullin e Sazanit.
Teuta Çerpja, eksperte e ekonomisë dhe pjesë e stafit akademik në Universitetin Europian të Tiranës, analizon për “Liberale.al” efektet që po jep zhvillimi i turizmit si dhe persektiva e këtij sektori në zhvillimin e ekonomisë sonë.

Liberale: A mund të themi se me këto ritme kemi të bëjmë me një zhvillim normal të turizmit në vendin tonë, apo politika të posaçme janë duke ndihmuar në rritjen e këtij sektori?

Teuta Çerpja: Nuk ka më dyshim që zhvillimi i sektorit të turizmit po shihet gjithnjë e më shumë si një potencial për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Kjo jo vetëm e lidhur me tendencat globale në turizëm, por duke konsideruar edhe politikat e qeverisë shqiptare e cila tashmë e ka shpallur turizmin si një sektor strategjik dhe prioritar të ekonomisë.

Në këtë drejtim janë ndërmarrë një sërë politikash mbështetëse në investimet për përmirësimin e infrastrukturës turistike, si ndërtimi i rrugëve, aeroporteve, porteve, dhe akomodimeve turistike, ashtu sikurse edhe në përdorimin e disa politikave lehtësuese fiskale të qeverisë, si ulja e taksave për sektorin e turizmit, lehtësimi i procedurave për licensimin e bizneseve turistike, etj., duke ndihmuar në këtë mënyrë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e turizmit.

Këto politika duket se kanë dhënë efekte pozitive nëse do ti referohemi trendit në rritje të numrit të turistëve të huaj në Shqipëri, rritjes së të ardhurave nga ky sektor si dhe kontributit të tij në GDP. Sipas Raportit të Impaktit Ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit 2023, të WTTC, gjatë vitit 2022 sektori i turizmit regjistroi një kontribut direkt prej 7.6 % në GDP, dhe rreth 9.2% për vitin 2023 (i parashikuar). Referuar po të dhënave të këtij raporti Shqipëria renditet ndër shtetet evropiane me rritjen më optimiste përsa i përket numrit të turistëve në dy vitet e fundit duke dëshmuar për një tendencë pozitive dhe të qëndrueshme edhe në vijim. Ndërsa të dhënat më fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se të ardhurat nga turizmi përgjatë muajve janar-shtator të vitit 2023 janë afërsisht 3.2 miliardë euro, nga 2.1 miliardë euro që ishin për të njëjtën përiudhë të një viti më pare, ndërsa numri i turistëve prej 10 milionë turistësh në vitin 2023 shënoi një rekord historik.

Liberale: Nisur nga pesha që zë turizmi në ekonomi, investimet, natyra dhe mjedisi etj, si e shihni zhvillimin në Shqipëri, në raport me vendet e tjera fqinje, dhe çfarë mendoni se duhet të ishte bërë ose duhet bërë më mirë në këtë sektor, në të ardhmen?

Teuta Çerpja: Edhe pse shifrat janë optimiste, krahasuar me vendet e tjera të Rajonit, zhvillimi i turizmit në Shqipëri është ende larg potencialit që përfaqësojnë pasuritë natyrore, historike dhe kulturore të vendit. Pavarësisht arritjeve të rëndësishme të bëra nga qeveria dhe sektori privat, ka ende sfida që duhen adresuar. Mund të cilësojmë kështu, përmirësimin në infrastrukturë dhe shërbime, përmirësimin e rrjeteve të transportit, sistemeve të ujit dhe kanalizimeve dhe objekteve të tjera bazë, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve turistike gjatë gjithë vitit, me qëllim në uljen e natyrës sezonale të industrisë së turizmit, zhvillimin e burimeve njerëzore, nxitje e nvestimeve private dhe publike, zhvillimin e turizmit në një mënyrë të qëndrueshme, duke i kushtuar vëmendje mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore etj.

Liberale: Janë disa mega-investime të huaja, që së shpejti mund të bëhen realitet. Të tilla investime a duhet të konsiderohen një tregues pozitiv për imazhin e vendit tonë dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit?

Teuta Çerpja: Kohët e fundit në Shqipëri kanë tërhequr një vemendje të madhe dy mega investime të huaja në sektorin e turizmit, ai i Portit të Durrësit nga kompania “EMAAR” e Emirateve Arabe në vlerën e 2 miliardë eurove, si dhe investimi i mundshëm i kompansë “Affinity Partners” e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, në vlerën e 1 miliardë eurove në ishullin e Sazanit. Të para në kontekstin e oportuniteteve që mund të sjellin këto investime në Shqipëri gjykoj se ata mund të konsiderohen një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar në mënyrën e duhur sektorin e turizmit. Duke tërhequr dhe përdorur në mënyrë efektive këto investime të lidhura me turizmin, Shqipëria mund të zhbllokojë potencialin e saj të plotë turistik, të nxisë prosperitetin ekonomik dhe të rrisë konkurrencën e saj globale si një destinacion kryesor turistik. Vendi ynë mund të shfrytëzojë potencialin e këtyre investimeve për të krijuar mundësi punësimi, për të zbutur varfërinë dhe për të promovuar zhvillim gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm. Për më tepër ato mund të nxisin edhe tërheqjen e investimeve të tjera të huaja serioze dhe elitare nnë vijim duke rritur besueshmërinë e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Sikurse pranohet gjerësisht investimet e huaja në Shqipëri vazhdojnë të jenë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të ekonomisë Në kushtet kur gara për të tërhequr investitorë të huaj është intensifikuar vitet e fundit në të gjithë rajonin, zgjedhja e vendit tone për të bërë investime në sektorin e turizmit në vlera të konsiderueshme mund të shihet si një “mundësi e artë”.

Megainvestimet në Shqipëri, analiza e ekspertëve për

Liberale: Cilat mund të jenë disa nga detyrat ose sfidat e vendit tonë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit?

Teuta Çerpja: Në situata të tilla megjithë efektet e pritshme pozitive janë dy gjëra të tjera thelbësore që duhet të merren në konsideratë: Së pari, bërja transparente e asaj se farë përfiton ekonomia shqiptare, duke bërë një ndarje të qartë midis përfitimeve të investitorëve dhe komunitetit, dhe së dyti, qeveria dhe institucionet vendase duhet të kenë përgjegjësinë për ndërtimin e politikave të duhura për të mbikëqyrur në vazhdimësi këto investime në mënyrë që të sigurojnë që ato të sjellin përfitime të qëndrueshme për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Kjo për të treguar që investimet strategjike të kësaj natyre janë një mundësi e mire për të zhvilluar ekonominë e vendit vonë.

E ndërsa debati publik mbi mundësitë dhe sfidat që sjellin këto investime mbetet ende në kontekstin e asaj se çfarë mund “të servirë e ardhmja” ajo që ekspertët pranojnë sot me siguri është që marketingu falas që po i bëhet Shqipërisë këto ditë do të ndikojë pozitivisht në imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.

Në përgjithësi, ndërsa industria e turizmit të Shqipërisë është ende në zhvillim krahasuar me disa nga fqinjët e saj, mund të themi se me investime të vazhdueshme në infrastrukturë, përpjekje marketingu dhe praktika të qëndrueshme turistike, Shqipëria ka potencialin për të përmirësuar më tej pozicionin e saj si një destinacion turistik konkurrues në rajon dhe më gjerë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH