Në raftet e marketeve mbizotërojnë vitet e fundit produkte ushqimore që vijnë nga jashtë që nga fasulja, mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij, deri tek frutat, zarzavatet dhe perimet. Një pjesë e mirë e produkteve ushqimore të konsumit të përditshëm, edhe pse mund të prodhoheshin në vend me kosto më të ulët dhe me vlera më të larta ushqyese, vijnë nga importi dhe po e fitojnë lehtësisht konkurencën me prodhimet e vendit. Ironikisht tingëllon sikur në Shqipëri funksiojnë politika të posaçme për të mbrojtur dhe rritur prodhimin e vendeve të tjera.
Ekonomia shqiptare vazhdoi të humbë terren përsa i përket konkurrencës edhe në tregjet ndërkombëtare. Eksportet shënuan rënie për të dytin vit radhazi në 2024. Rënia e prodhimit dhe e eksporteve do të thotë më pak vende pune dhe një persektivë më e zymtë në të ardhmen.
BE mbron prodhimet dhe tregun e vendeve të saj anëtare, në SHBA Donald Trump u rikthye në pushtet me një premtim të madh për të mbrojtur prodhimet vendase duke vendosur tarifa të larta ndaj importit, Kina po ashtu ka vite që ka pushtuar tregjet ndërkombëtare me prodhimet e saj. Një vend i papërfillshëm në tregjet botërore si Shqipëria për të qenë më i konkurueshëm në produktet e saj, si duhet të veprojë? Ose më saktë çfarë politikash duhet të ndërmarrë që ekonomia jonë prodhuese të mbijetojë?
Eksperti i ekonomisë, Forcim Kola, pjesë e Departamentit të Marketingut dhe Menaxhimit në Universitetin Europian të Tiranës, analizon për “Liberale.al” krizën e rëndë të prodhimit në tregun vendas.
“Fillimisht, një vend duhet të identifikojë importet, të cilat janë konkurruese me produktet vendase në mënyrë që të mbrojë prodhimin e vendit, si edhe potencialin e tij për eksport në lidhje me produkte specifike, në mënyrë që të stimulojë avantazhin e tyre konkurrues në tregjet e huaja”, thekson Kola.
Ritja e konsumit, ndonëse popullsia si pasojë e rënies së lindshmërive dhe fluksit të emigracionit ka pësuar rënie, u kompensua nga rritja e importeve. Rritja e importeve të mallrave kryesisht për konsum shpjegohet edhe nga një kërkesë më e lartë prej bumit të turistëve, pas pandemisë, në vendin tonë.
Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024, eksportet në vend kanë shënuar rënien më të madhe të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat e para nga INSTAT. Në anën tjetër, importet në vitin 2024 shënuan një rritje vjetore 2.4%. Në vitin 2022, eksportet ishin sa 51% e importeve, më 2023 ishin sa 51.7%, ndërsa në vitin 2024, ky raport u përkeqësua duke shkuar në 41.7%.
“Shqipëria, - shton Forcim Kola, - "duhet të përdorë një kombinim të politikave tregtare, strategjive ekonomike dhe ndërhyrjeve të qeverisë, si subvencione për industritë vendase në mënyrë që të mbrojë produktet e saj vendase nga importet konkurruese dhe të rrisë eksportet. Kjo përfshin dhënien e mbështetjes financiare për prodhuesit vendas (si konsulenca, trajnime, lehtësime tatimore, kredim me interes të ulët, etj.) dhe ndihmën për t'u bërë konkurrues me mallrat e importuara ose lançimin e fushatave te llojit “Bleni produktet kombëtare”, të cilat promovojnë produktet vendore përmes fushatave publike për të inkurajuar qytetarët që të preferojnë mallrat vendase.”
Kursi i këmbimit dhe rritja e papritur e kostove (kryesisht nga lëndët e para dhe pagat) si dhe rënia e kërkesës nga jashtë po e rrënojnë edhe më tepër ekonominë tonë prodhuese.
Të ardhurat nga eksportet vetëm në vitin 2024 shënuan rënie me rreth 670 milionë euro. Prodhuesit shqiptarë në vitin 2024 në vlerë arkëtuan nga eksportet 15.3% më pak se në vitin 2023. Rënia e prodhimit do të thotë shkurtim i vendeve të punës, si dhe mbyllje ose falimentim për shumë ndërmarrje prodhuese. Jo vetëm ato bujqësore, sektor që kontribuon aktualisht në 18 për qind të PBB, por shumë nga fasoneritë po përballen me krizën më të rëndë ndër vite. Nga ana tjetër vitin e kaluar, importet e ushqimeve në sasi u rritën me 15% dhe 7% në vlerë.
“Për të mbrojtur eksportuesit shqiptarë dhe për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve vendase, është thelbësore edhe rregullimi i kursit aktual të këmbimit, gjë që përbën një nga arsyet kryesore të rënies së eksporteve vitet e fundit. Masa të tjera që mund të zbatohen përfshijnë kuotat e importit, tarifat apo barrierat tregtare, por këto të fundit duken të papërshtatshme duke pasur parasysh procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE” thekson në analizën e tij, Forcim Kola.
“Shqipëria mund të rrisë eksportet duke zbatuar politika të caktuara, të tilla si promovimi i markave kombëtare jashtë vendit për të rritur kërkesën dhe njohjen e mallrave të prodhimit vendas. Një mënyrë tjetër për të rritur eksportet është bërja e marrëveshjeve të reja tregtare, duke negociuar marrëveshje të favorshme me vende të tjera, për të ulur tarifat dhe për të hapur tregje të reja eksporti, si dhe sërish duke reduktuar rrezikun FOREX për t'i bërë eksportet më konkurruese dhe tërheqëse për blerësit jashtë vendit” - shprehet eksperti dhe profesori i ekonomisë në UET.
Mungesa e ekspetizës ose e vullnetit për të matur produktivitetin dhe për ta favorizuar atë janë pasojat e asaj që po ndodh aktualisht në rënien e prodhimit. Deficiti tregtar u thellua në rreth 890 milionë euro vetëm për vitin 2024. Sektori i prodhimit, veçanërisht industria përpunuese po tkurret me shpejtësi.
Të gjendur pa mbështetje me politika dhe fonde në tregun ku ato operojnë fabrikat dhe ndërmarrjet prodhuese janë duke gjetur mënyra për t’u përshtatur me krizën. Duke u larguar nga prodhimi sipërmarrësit e mbetur për të shmangur falimentin e mundshëm po shtojnë investimet në sektorë tjerë më fitimprurës si në ndërtim, energjitikë dhe tregti. Fatkeqësisht prodhimi vendas është duke i zhgënjyer “patriotët” ndërsa mungesa e politikave dashamirëse ndaj produkteve “Made in Albania” është një realitet i padëshiruar që kërkon ndërhyrje urgjente.
/Liberale.al/