Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka bërë të ditur se votimi elektronik nuk do të zgjerohet në të gjithë qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 11 majit, pasi Partia Demokratike nuk ka qenë dakord me propozimet e bëra.
Pas diskutimeve me partitë politike dhe shqyrtimit të mundësive, Celibashi njoftoi se votimi elektronik do të aplikohet vetëm në disa zona të Tiranës, ndërsa procesi do të monitorohet nga KQZ.
Celibashi ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt.
Celibashi shpjegoi si ky proces mund të ndikojë ndjeshëm rezultatin politik, madje edhe me një numër të kufizuar votash nga jashtë, duke theksuar se edhe disa dhjetëra vota mund të jenë vendimtare në qarqe të caktuara.
Ai sqaroi se kush do e hetojë vjedhjen e votës së emigrantëve.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Ekspert të ndryshëm ngrenë pikpyetje se si do të bëhet monitorimi i procesit të votimit të emigrantëve. Për të shmangur votimin familjar, fshehtësinë e votës, shit-blerjen e botës. Sepse duket sikur flasim për dy kode, një që do zbatohet për shqiptarët rezident dhe emigrantët.
Celibashi: Procesi i votimit nga jashtë mund të mbikqyret aq sa ky lloj sistemi e lejon mbikqyrjen dhe kontrollin nga institucionet përkatëse. Por, në momentin që fleta e votimit mbërrin në banesën e votuesit është në vullnetin e tij si do e administrojë, ne nuk mund të bëjmë më shumë.
Borakaj: Po nëse kapet në kushtet e flagrancës, ku hetohet, në Shqipëri apo në shtetin ku është rezident?
Celibashi: Në Shqipëri. Autoritetet shqiptare kanë gjithë kopetencën për t’a trajtuar këtë çështje.
Borakaj: Në zgjedhjet e 11 majit si do të procedohet me votimin elektronik? Në çfarë faze jemi?
Celibashi: Pas konsultimeve që bëmë me partitë politike dhe një kërkese që i dërguam disa partive politike, PD-ja nuk ishte dakord, të paktën për këto zgjedhje dhe për arsyet që ata i kanë bërë publike, të zgjerohej votimi elektronik në të gjithë qarkun e Tiranës. Nuk ishin dakord me të gjitha përcaktimet që ne menduam dhe tashmë nuk do ta zhvillojmë. Ne u tërhoqëm nga ideja për të zhvilluar në gjithë qarkun e Tiranës votimin elektronik. Do të shohim në cilat zona të Tiranës apo diku tjetër do ta aplikojmë.
Borakaj: Keni ju sugjerime?
Celibashi: Ne kemi menduar në të njëjtat njësi që kemi zgjedhur edhe më parë, por ngelet për tu parë.
Borakaj: A mund të ketë të njëjtën peshë vota e një emigranti që ndoshta nuk ka lindur fare në Shqipëri apo ka dekada që është larguar nga Shqipëria dhe një qytetar shqiptar në këndvështrimin tuaj?
Celibashi: Nuk doja të përgjigjesha për këtë. Ky proces tani ka filluar dhe ka argumenta pro dhe kundër. Një numër shumë i madh shtetesh ja kanë dhënë mundësinë votuesve nga jashtë të votojnë atje ku kanë vendbanimin. Diskutimi pastaj është se si vota e tyre do kthehet në rezultat.
Borakaj: Nëse numri i emigrantëve që do votojnë do jetë 50 mijë, mund ta ndryshojë situatën politike?
Celibashi: Edhe një numër më i kufizuar votuesish nga jashtë mund të ndryshojnë rezultatin në një qark të caktuar. Mund të qëlloj që në atë qark edhe 100 vota ta bëjnë diferencën. Një mandat të kaloj nga njëri krah te krahu tjetër.