Aktualitet

Shpopullimi i Shqipërisë, bie ndjeshëm edhe numri i bagëtive

Shkruar nga Liberale
Shpopullimi i Shqipërisë, bie ndjeshëm edhe numri i bagëtive

Pasojat e emigracionit dhe boshatisjes së fshatrave dhe mungesa e fuqisë punëtore po reflektohet vit pas viti edhe në të dhënat e blektorisë. Sipas raportit të fundit të INSTAT, viti 2022 solli një rënie të krerëve të bagëtisë me 201 mijë krerë në krahasim me vitin 2021.

Rënia më e madhe është te të leshtat me mbi 108 mijë krerë, ku përfshihen dhe delet për qumësht, por edhe qingjat për mish. Sipas INSTAT vetëm numri i deleve për prodhim të qumështit është ulur me 31,000 krerë në krahasim me 2021, ndërsa krahasuar me 2017 numri i deleve ra me 322 mijë krerë.

Numri i gjedhëve në vitin 2022 është 298 mijë krerë duke pësuar një rënie me mbi 39 mijë në krahasim me vitin paraardhës.  INSTAT raporton se vetëm numri i lopëve të cilat përdoren për qumësht ka rënë me 17 mijë gjatë vitit të fundit, ndërsa krahasuar me 2017 ka një rënie me 88 mijë krerë.

Në rënie është edhe numri i të idhtave. Për vitin 2022 u regjistruan 55 mijë krerë më pak, vetëm dhi për qumësht janë 36 mijë krerë më pak se në 2021. Ndërsa në 6 vitet e fundit numri i dhive në Shqipëri është reduktuar me mbi 154 mijë.

Ky reduktim i lopëve, deleve dhe dhive ka bërë që prodhimi i qumështit në vendin tonë të arrijë nivelin më të ulët historik. Pasi nga mbi 1 milionë tonë që është prodhuar në këto 10 vitet e fundit, për vitin 2022 u prodhuan vetëm 970 mijë tonë qumësht, duke pësuar një rënie me mbi 43 mijë tonë në krahasim me 2021. Ndërkohë që familjet shqiptare prej një viti vuajnë çmimet e larta të bulmetit dhe të qumështit.

Në rënie të ndjeshme sipas statistikave të INSTAT ka ardhur edhe prodhimi i vezëve. Sipas raportit të fundit rezulton se numri i vezëve ka rënë me 133 milionë. Në vitin 2021 u prodhuan rreth 900 milionë vezë ndërsa gjatë vitit 2022 prodhimi i tyre u ul në 766 milionë. Kjo rënie ka ardhur edhe për shkak se gjatë vitit 2022 vendi ynë u përball me gripin e pulave në disa stabilimente pularish, ku pati ngordhje masive të tyre, por edhe asgjësim nga ana e autoriteteve për shkak të infektimit.

Numri i këtyre shpendëve zbriti në nën 5 milionë në vitin 2022, duke regjistruar një humbje me 255 mijë pula më pak se viti 2021.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH