Globi

Rreziqe të rinj, prova e Parisit

Shkruar nga Liberale
Rreziqe të rinj, prova e Parisit

Nga ALDO CAZZULLO

​Një luftë në bregun lindor nuk mund të mos pasqyrohet në gjithë Mesdheun. Hapet balli evropian i krizës. E Vëndi kyç është Franca. Dhjetë aeroporte të mbyllura. Pallati mbretëror i Versajës i zbrazur tri herë nga alarmi terrorizëm, ashtu sikurse edhe Luvri. Mësuesi i Arras-it i goditur me thikë nga një terrorist islamik. Ndalimi I manifestimeve pro-Palestina. Ambasadat e kryeqyteteve të ish perandorisë koloniale, nga Tunizi në Beirut, të rrethuara nga manifestuesit; mbas grushteve të shtetit kundërfrancezë në Shtetet afrikanë, në të cilët ushtria kishte ndërhyrë për të luftuar Isis-in. Shënjat janë të gjitha. E gjëndja politike është po aq serioze.

​Emmanuel Macroni ka në shtëpi gjashtë milionë myslimanë, shumë prej të cilëve mjaft të zemëruar për hesap të tyre, siç është parë në këtë verë me kryengritjen e rrethinave. Dhe ka një të djathtë skajore, ndërmjet Le Pen dhe Zemmour, përtej 30%. Mos të tallemi: mund të jenë edhe sovranistë (a thua se Macroni nuk është) dhe kundër globalistë; por karburanti i Marinës e i partisë së Erik Zemmour-it – që jo rastësisht quhet Ripushtim – është imigracioni, veçanërisht ai islamik.

​E majta është e ndarë: socialistët kanë prishur aleancën me Jean-Luc Mélenchon, kundër perëndimor I bindur, që nuk pranon t’a quajë Hamasin një grup terrorist.

​Një fitore e Marine Le Pen mbas tre vite e gjysmë do të ishte një shpërthim përfundimtar, veç fundit të Bashkimit Evropian. Kërkimi i një tjetër Macroni, në të djathtën republikane ose ndërmjet reformistëve, nuk është një gjë e lehtë: trashëgimtari i caktuar dukej se ishte kryeministri Eduard Filipi, por një sëmundje që e ka bërë të bardhë e pa qime i ka minuar, nëse jo fizikun, përfytyresën publike. Por piskama nuk është 2027, është e sotmja.

​Makroni ka ndaluar manifestimet për të shmangur skenarë të luftës civile. Por kjo masë është edhe shenjë dobësie. Policia franceze është e stërvitur me sheshet. Në këta raste rrjeshtimet lejohen, përkufizohen, lihen të shfryjnë. Nëse ndalohen është sepse nuk ka siguri kontrollimi.

​ Bashkësia hebraike franceze, shumë më e gjërë se ajo italiane, ka frikë. Prej kohësh ka filluar dyndja drejt Izraelit. E megjithë se ka shprehur një kryeministër – Larent Fabius – një ministër Ekonomie – Dominique Strauss – Kahn, që pa skandalin seksual do të ishte bërë president – dhe intelektualë të një prestigji të pamasë, nga Claude Lévi-Strauss tek André Glucsmann, po ndjehet gjithënjë e më shumë e lënë mënjanë nga Republika.

​Islami francez është I vështirë të deshifrohet. Nuk ka më një kryetar. Njëherej për t’a kuptuar shkonje në Xhaminë e Madhe të Parisit, të ndërtuar në stilin e Marrakeshit si një shpërblim për ushtarët myslimanë të rënë në luftën e parë botërore, pastaj strehë e sigurtë për qindra hebrej sefarditë gjatë pushtimit nazist, e të ofronin një çaj me mente nga rektori Dalil Boubakeur, që sapo kishte qënë në Elize e përforconte miqësinë së pari me Mitterrandin pastaj me Chirakun (më shumë me të dytin se me të parin: Dalil Boubakeur ishte një votues i madh i së djathtës, ndërsa i ati Hamza, i lindur në një oaz të Saharasë algjeriane dhe rektor para tij, ishte socialist). Kur mbas Bataclanit shkuam të flasim me rektorin e xhamisë së Corcouronnes, periferia nga vinte njëri ndër masakruesit – i njohur nga një pjesë e gishtit tregues të majtë – gjetëm përballë një poncpilat që ngriti duart duke thënë: “Nuk kam qënë un që kam radikalizuar vrasësit, por një imam shumë më I fuqishëm”. Kush? “Imami Google”. Donte të thonte se propaganda e terrorit ose dhe vetëm e urrejtjes kundërperëndimore udhëton në Rrjetet.

​Parisi tragjikisht është mësuar me terrorin islamik. Mbrëmjen e së premtes tre tetor 1980, në fillim të Shabbatit, një bombë vrau katër hebrenj në sinagogën e rrugës Kopernik; proçesi është nisur vetëm këtë vit e i pandehuri i vetëm Hasan Diab, ka ikur në Kanada. Më 9 gusht 1982, në orën e drekës, një grup i Abu Nidalit hodhi një granatë në restorantin hebraik më të famshëm të Marais, Jo Goldenberg, e pastaj hapi zjarr: gjashtë të vdekur, 22 të plagosur; sot n’atë vënd është një dyqan xhinsesh. Më 17 shtator 1986 një bombë përpara një magazine të madhe të Montparnasse lë shtatë të vdekur e 55 të plagosur.

Në verën e vitit 2005, e para e Shirakut president, Gia algjeriane shkaktoi viktima në Harkun e Triumfit në sheshin e Bastijës, për të ndëshkuar mbështetjen franceze Algjerisë laike që me çmimin e shumë gjaku ka shtypur Algjerinë integraliste.

​Më 19 mars 2012 masakrohen tre fëmijë të shkollës hebraike të Tuluzës nga Muhamed Merah, një ujk i vetmuar me një telekamera në gjoks, që vret edhe rabinin që u përpoq t’i mbronte; këtu vjen në mëndje ati Zhak de Jesus , prifti katolik i filmit “Mirupafshim djema”, i internuar dhe i vrarë në Mauthausen sepse kishte fshehur fëmijtë hebrenj nga nazistët. Një tjetër meshtar, ati Zhak Hamel, u ther në altarin e Rouenit më 26 korrik 2016.

​Dy ditë mbas masarës së redaksisë në Charlie Hebdo, fajtore sepse kishte qeshur me Muhametin, Amedy Coulibaly – ish grabitës e shpërndarës droge, i radikalizuar në burg – sulmon një supermerkat kosher, vret katër hebrenj e plagos katër të tjerë. Franca shkruan në Rrjet e në muret “Un jam Charlie”; komiku antisemite Dieudonné, i dënuar për shakatë e një shijeje tepër të keqe mbi Shoah-un, bën dinakun e shkruan “Un jam Charlie Coulibaly”; përfundon në burg për mbrojtje të terrorizmit, i dënuar me dy muaj burg, shmang atë por përzehet nga Facebooku dhe Instagrami.

​Gjithë këtyre Franca u ka qëndruar e është kundërpërgjigjur.

Edhe Bataklanit, edhe plojës së 14 korrikut 2016 në Nica. Në disa vështrime, Parisi mbas goditjes është bërë më njerëzor, më pak krenar, më i vetëdijshëm për caqet e tij. Houllebecq, shkrimtari i “Nënështrimi”, ka pranuar – në një intervistë me korrespondentin tonë Stefano Montefiori – se e ka tepruar me alarmin islamik; në fakt ideja e një presidenti mysliman të zgjedhur nga e majta që detyron sharian do të kishte qënë një gjetje e efektëshme letrare, por politikisht ishte marrëzi.

​Tani Parisi përgatit një takim që lajmërohej shumë i bukur por që vërtetohet i ndërlikuar, në njëqind vjetorin e filmit “Çaste lavdie”. Ishte çështja Rusi, që mund të ishte zgjidhur me formulën që më 1980 i lejoi Italisë të merrte pjesë në Lojrat e Moskës, të bojkotuara nga amerikanët: as hymne as flamuj; zyrtarisht skuadra ruse nuk ekziston, marrin pjesë atletët e veçantë.

Por nëse lufta e Gazës vazhdon e zgjerohet, si do të kundërveprojnë Vëndet arabe? Çfarëdo vetoje mbi Izraelin natyrisht nuk do t’ishte e pranueshme; por për Francën një tendosje me ish kolonitë e saj (Algjeria juridikisht nuk ishte një koloni, ishte një krahinë franceze, si Provenca dhe Borgonja) do t’i çonte Lojrat drejt një shkatërrimi, pa mbajtur parasysh shtrëngesat nevojshme për sigurinë. Dramat e vërteta të kësaj krize natyrisht janë të tjera; por shpresa e dialogut duhet të mbahet e ndezur në çdo mënyrë, e në muajt e ardhëshëm Parisi do të jetë ende një herë në qëndrën e luftës e të paqës.

​“Corriere della Sera”, 19 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH