Florian Çullhaj PhD
Seneka në librin e tij, de Naturales quaestiones, rrëfen ngjarjet sizmike të vitit 62 pas Krishtit që ndodhën në një rajon jugor të Italisë, ku ndër efektet e para të tërmetit rendiste tronditjen psikologjike të popullsisë. Ai vinte në dukje një farë raporti ndërmjet, pafuqisë së individëve në shpjegueshmërinë e fenomenit dhe terrorit të thellë dhe të pakontrollueshëm që dridhja e tokës shkaktonte atëbotë tek qeniet njerëzore.
Fatkeqësisht, për sa i përket tronditjes së shkaktuar nga ngjarjet e fundit në Shqipëri, shumë pak ka ndryshuar nga reagimet njerëzore që nga antikiteti e deri sot. Kjo sepse tërmeti godet dy elementët më bazik mbi të cilët themelohet simbolikisht ekzistenca jonë, toka dhe shtëpia.
Duke parë tokën që të dridhet nën këmbë, e cila është simbol i reales, i të qëndrueshmes, tërmeti na vetëdijëson për limitet e kontrollit që ne si qenie njerëzore ushtrojmë mbi botën. Ndërsa humbja e shtëpisë, është njëjtë si të humbësh vetveten, sepse shtëpia është imazhi simbolik i personalitetit dhe i dinjitetit tonë.
Frika është pjesë e natyrës sonë dhe njerëz të ndryshme kanë qenë dëshmitarë të terrorit të shkaktuar nga tërmetet, ku një mori syresh ende kujtojnë eksperiencën tronditëse dhe dramatike të tërmeteve që kanë goditur Shqipërinë përgjatë historisë së saj.
Këto ditë, siç theksohet nga intervistat, transmetimet televizive dhe dëshmitë e përhapura në rrjet, lëkundjet sizmike vazhdojnë, të cilat shkaktojnë frikë kronike dhe një gjendje ankthi në popullsi, e cila me kalimin e kohës mund të përkthehet në patologji edhe më serioze. Siç po dëshmohet, çdo pasgoditje është e shoqëruar me ankth e cila lexohet në zërin e të gjithëve, sepse lëkundja më e vogël është e mjaftueshme që të të vendosë në gjendje alarmi.
Si gjithmonë në tilla raste, emocionet kryesore janë frika, ankthi, dhimbja, ndjenja e humbjes, por edhe mllefi i pafuqishmërisë kundër një “armiku” të padukshëm e të pakontrollueshëm. Por si kundërpërgjigje, reagimi ynë natyral ndaj këtij “armiku” të të gjithëve është solidariteti i fortë, dialogu i rinovuar, mbështetje dhe ndihmë reciproke; diçka që bëri të mundur kapërcimin ose pezullimin të paktën për një hop, të përçarjeve të zakonshme dhe dialektikave ataviste midis fraksioneve sociale, kulturore dhe politike.
Një hap i parë i vërtetë në lidhje me këtë solidariteti u shfaq me ndihmat e mbledhura, qofshin ato materiale apo monetare. Pavarësisht se, më shumë se gjysma e personave të prekur mundet që dimrin ta kalojë në çadra ose hotele, me idenë se asgjë nga jeta e tyre tashmë nën rrënoja, është e pamundur rikuperohet.
Gjegjësisht, ndërtimi i shtëpive për familjet e goditura duhet të jetë detyrë parësore e kësaj qeverie dhe e cilësdo që do pasojë. Sot mund të themi se pjesërisht emergjenca ka përfunduar, por ama vetëm ajo sizmike, sepse ajo psikologjike nuk mbaron me kaq. Akomodimi i sotëm duhet të jetë sa më i përkohshëm sepse - veçanërisht në lidhje me ata banorë që kanë mbetur nën qielli të hapur - eksperienca na mëson se në ditët në vazhdim do të ketë një lloj diaspore të këtyre banorëve, të cilët do vendosen andej-këtej në vendbanime të përkohshme. Por, nuk duhet të ndodhë që këto vendbanime të përkohshme, në momentin kur do të shuhen dritat e kamerave, të kthehen në vendbanime të përhershme. Nëse nuk ka një rikonstruksion thelbësor të shtëpive në zonat ku ata kanë jetuar dhe nëse nuk shmanget shpërndarja permanente e banorëve në vendbanimet të tjera, nuk do të ketë rikonstruksion të vërtetë të identitetit shoqëror. Nuk do të ketë ulje të vërtetë të dëmit psikologjik. Në fazën e ndërtimit dhe rindërtimit është e nevojshme të veprohet në sinergji dhe unitet, duke i dhënë rëndësi kujtesës shoqërore, të zakoneve tradicionale të zonës së goditur që rikuperimi psikologjik i të mbijetuarve të jetë sa më i plotë.
Si përfundim, edhe nëse asgjë nuk mund të shlyejë jetët e humbura, dëmet dhe shqetësimet e shkaktuara atyre që u goditën nga tërmeti, ky është bash momenti të fillojmë të mësojmë nga gabimet tona. Të kërkohet me insistim monitorimi i territorit si dhe inventarizimi i të gjitha ndërtesave në rrafsh kombëtar, në mënyrë të tillë që të parandalohet rreziku i humbjes së jetëve në të ardhmen. Si dhe të intensifikohen kontrollet për respektimin dhe përmirësimin e normave antisizmike tek ndërtimet e reja. Këto duhet të jenë ndër detyrat më parësore të kësaj qeverie si dhe për të tjerat që do pasojnë. Të cila duhet të trashendojnë çdo ndasi në emër të bashkimit e vlerës së jetës, duke u ngritur kështu në nivelin e popullit. /Gazeta Liberale