Prej disa kohësh qarkullon në mediat online lajmi i largimit të emisionit të humorit “Portokalli” nga televizioni Top-Channel. Por regjisori i njohur, Altin Basha, i cili prej 17 vitesh përgatit “Portokallinë” ka hedhur poshtë zërat e një lëvizje të mundshme nga Top-Channel. Ai thekson se ofertat nga televizionet e ndryshme nuk kanë munguar, madje ato janë të përvitshme.
"Problemi i disa njerëzve është që punojnë diku tjetër dhe mendjen e kanë te Portokallia. E vërteta është se kam shkuar në ABCNews për të bërë një intervistë për Teatrin. Mesa duket këtë, dikush e ka parë dhe e ka keqkuptuar si negociatë me ABCNews për shkak të thashethemeve që janë përhapur. Portokallia vazhdon. Ne jemi në punë, jemi në skenë po bëjmë shfaqje.
Oferta ka gjithmonë. Unë çdo vit kam oferta nga televizionet. Dhe për shkak se jam regjisori i trupës më kërkohet kjo gjë. Aktorëve u kërkohet. Thjesht për shkakun që jemi fiksuar me Top-Channel, s’kemi patur interes për ofertat e tjera. Vetëm tani kanë qenë 4 televizione të interesuara për emisionin tonë. Kjo nuk do të thotë asgjë, është një proces normal", tha Basha për Panorama.