Ervis Iljazaj
Fill pas krizës financiare të vitit 2008, që mbërtheu pothuajse të gjithë botën dhe kryesisht vendet europiane, sistemi kapitalist u vu në dyshim të thellë nga një pjesë e madhe e këtyre shoqërive. Kjo krizë u pa nga shumë si fundi i liberalizmit ekonomik, i cili i kishte sjellë Europës paqe dhe zhvillim ekonomik për 70 vite me radhë, si asnjëherë tjetër në historinë e saj. Pikërisht për këtë arsye, lindën shumë lëvizje intelektuale dhe politike që kërkuan të rikonceptonin ekonominë, shoqërinë dhe përfaqësimin politik si kundërvënie ndaj liberalizmit.
Në disa vende europiane lindën lëvizjet e para populiste të majta, që për disa vite me radhë arritën kulmin e tyre. Këto lëvizje u formuan më së tepërmi në Europën e Jugut, ku varfëria ishte më e madhe dhe kriza financiare u ndie edhe më shumë.
I gjithë suksesi i tyre, duke filluar që nga Lëvizja Pesë Yje në Itali, Podemos në Spanjë dhe Ciriza në Greqi, u bazua te kritika e ashpër ndaj kapitalizmit, ndaj pabarazisë ekonomike dhe instalimit të drejtësisë sociale, duke propozuar një ekonomi shtetërore dhe shpërndarje të pasurisë. Po ashtu, një armë tjetër e fortë ishte kritika ndaj demokracisë përfaqësuese dhe propozimi i demokracisë direkte, ku populli do të merrte në duar fatin e tij.
Deri disa vite më parë, të gjitha këto alternativa u demonstruan të suksesshme, pasi në Greqi, Itali dhe disa vende të tjera lëvizjet populiste të majta arritën të merrnin pushtetin, pasi emocionet popullore që ngjallën ishin elektorale dhe sollën konsensus.
Mirëpo, në të gjitha këto vende parti të tilla në qeverisje dështuan me sukses. Sepse të gjitha idetë e tyre për shtetëzim të ekonomisë, të demokracisë direkte apo të fuqisë së popullit ishin thjesht një utopi.
Kjo utopi është duke ju propozuar edhe shoqërisë shqiptare. Po të vësh re, në debatet publike, në lëvizjet e reja shoqërore, apo organizata të ndryshme , kudo mbizotëron një retorikë e tille, e bazuar te kritika ndaj kapitalizmit dhe ndaj sistemit aktual të demokracisë përfaqësuese. Asnjë nga lëvizjent e reja shoqërore, me ndonjë përjashtim të vogël si pershembull Alternativa, nuk ka në thelb të saj kapitalizmin apo ekonomine e tregut, por të gjitha bazohen te politikat sociale, të shtetëzimi i ekonomisë e politika të tilla që premtojnë lumturinë e përjetshme. Në krye të kësaj filozofie padyshim është Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, e cila inspiron dhe shumë të tilla dhe në Republikën e Shqipërisë. Mirëpo, fakti tregoi se nuk është e aftë të ndërtojë ende një qeveri. Sepse, parti të tilla politike bazohen te denoncimi, te revolta, ndërsa sapo afrohen drejt pushtetit rezultojnë totalisht të paafata.
Në këtë kuptim, lëvizjet populiste të majta me shumë mundësi do të vijnë dhe në Shqipëri, por fatkeqëisisht do të dështojnë, ashtu sikurse kanë dështuar kudo që janë provuar.
Çfarë është në thelb populizmi gjithmonë e më shumë në tred edhe në botën shqiptare?
Me pak fjalë populizëm do të thotë ‘’populli në politikë’’. Në kuptimin që, edhe një shtëpiake çfarëdo, në një qytet të humbur mund të merret me politikë, dhe të jetë vendimmarrëse për fatet e shoqërisë. Suksesi i populizmit vjen pikërisht nga kriza e përfaqësimit politik. Gjithmonë e më shumë, elita politike që deri më tani bazohej te një regjim demokratik përfaqësues, është larguar nga problematikat e qytetarëve duke krijuar një lloj kaste, e cila harroi misionin e saj të përfaqësimit. Si reagim i krizës së përfaqësimit politik, tanimë qytetarëve po u ofrohet një alternativë e kundërt me atë të demokracisë përfaqësuese, e cila pretendon se populli mund të bëjë politikë, ose propozon atë që quhet demokracia direkte. Me fjalë të tjera, ‘’populli merr në dorë fatet’’ e tyre. Mirëpo, pikërisht ky është rreziku i populizmit. Sepse, ata që drejtojnë këto lëvizje, janë duke krijuar iluzionin se demokracia direkte mund të funksionojë. Ky është një iluzion i rrezikshëm dhe utopi, që çdokush që ka një minimum njohurie historike dhe politike, e kupton fare mirë që kjo rrugë të çon drejt totalitarizmit.
Sepse populistët, mendojnë që populli është një trup organik i vetëm dhe i ngjashëm, dhe që nëpërmjet demokracisë direkte, mund të marrë vendime për të gjithë. Ndërkohë që, shoqëria e hapur dhe demokratike përbëhet nga kultura të ndryshme, ide të ndryshme, dhe interesa të ndryshëm. Kështu që, deri më tani, këta interesa janë munduar të realizohen nëpërmjet demokracisë përfaqësuese. E cila, në vendimet e saj, kishte si parim vendimmarrjet që negociojnë këta interesa, pavarësisht se këta vendimmarrës janë zgjedhur vetëm nga mazhoranca e një shoqërie dhe jo nga të gjithë.
Në këtë kuptim, ta trajtosh popullin si një trup organik të vetëm dhe të ngjashëm, dhe t’i krijosh iluzionin se ata mund të vendosin për fatet e tyre nëpërmjet demokracisë direkte, nuk është gjë tjetër veçse të krijosh rrugën drejt totalitarizmit, i cili pretendon se vendos në emër të tij.
Është e vërtetë që demokracia përfaqësuese dhe liberale sot është në rrezik për faj të vetë këtij regjimi. Por, fakti që ky sistem demokratik është në krizë dhe aktualisht ka defekte të mëdha, nuk do të thotë që të propozosh si alternativë një sistem të kundër me të siç është demokracia direkte dhe populiste, i cili nuk është gjë tjetër veçse një iluzion. Në këtë kuptim, shoqëritë e sotme po kalojnë një lloj krize vendimmarrjeje. Nga njëra anë nuk i besohet më demokracisë përfaqësuese, dhe nga ana tjetër demokracia direkte është e pamundur, e cila presupozon që të mbledhësh në një asamble të përgjithshme të gjithë qytetarët ku vendosin për fatin e tyre në mënyrë direkte.
Prandaj, debati duhet fokusuar se si të përmirësojmë regjimin e demokracisë liberale dhe përfaqësuese, si dhe të korrigjojmë defektet e mundshme të saj, dhe jo të propozojmë si alternativë të saj një sistem totalisht të kundërt, që ngjall vetëm emocione dhe asgjë racionale. Dhe nëse ka një gjë që autokratët shfrytëzojnë për pushtetin e tyre, janë pikërisht emocionet popullore.
Prandaj e vetmja zgjidhje edhe per Shqipërinë për të shmangur këtë rrezik është korrigjimi i defekteve të demorkacisë përfaqësuese, si e vetmja demokraci e mundshme në një shoqëri të masave dhe komplekse. Ose ndryshe reforma politike, që pas Reformës në Drejtësi është reforma tjetër e domosdoshme. Reformë politike do të thotë kryesisht reformimi i mekanizmave të përfaqësimit dhe i subjekteve që kanë eskluzivitetin e përfaqësimit, që janë partitë politike. Refomra politike ka nevojë për një ligj organik mbi partitë politike, ndryshimin e sistemit zgjEdhor, financimin e partive, dhe sidomos kthimin e politikës së ligjshme në një profesion joshës për njërzit me formim të mirë dhe me dinjitet. E thenë më thjeshtë, rikthimin e besimit te politika. Sepse, ndryshe populizmi është në prag të derës dhe në Shqipëri, e cila do të ishte një fatkeqësi dhe një regres./Gazeta Liberale