Arsimi i lartë është një pasuri kombëtare që mund të kthehet në eksport dijeje. Universitetet private shqiptare kanë ndërkombëtarizuar ofertën pa ndihmë shtetërore, duke tërhequr studentë të huaj dhe duke ruajtur standarde cilësie.
Tani është radha e shtetit të ndërtojë strategjinë kombëtare për ta çuar këtë potencial më tej
* Nga Prof. Dr. Gjokë Uldedaj
E lexova me interes shkrimin e fundit të Ben Blushit – një ndër zërat më të artikuluar publikë, që nuk i ka munguar asnjëherë guximi për të provokuar, por që shpesh ia lejon vetes luksin e përgjithësimeve të rrezikshme. Dhe kjo ndodh pikërisht kur flet për sipërmarrjen shqiptare në arsim, duke e reduktuar në një klishe populiste: “ata nuk marketojnë, nuk zgjerohen, janë mendjengushtë”.
Blushi është një stilist i fjalës, por si shumë stilistë, rrezikon ta përdorë mjeshtërinë si zbukurim dhe jo si mjet për të gërmuar thellë në realitetin kompleks. Po zgjedh t’i përgjigjem me fakte, jo me frazeologji.
1. “Biznesmenët nuk bëjnë marketing”? Kjo nuk është e vërtetë
Po, Shqipëria ka potencial për të qenë destinacion arsimor. Po, studentët nga India, Bangladeshi, Vietnami e Pakistan mund të vijnë këtu. Por nëse sot ka studentë nga këto vende në auditorët tanë, nuk janë dërguar nga shteti. Janë sjellë nga universitetet private të cilat Blushi i cilëson si “nacionalistë provincialë” – e në të njëjtën kohë u kërkon të ndërtojnë një rrjet ndërkombëtar, të marketojnë, të rekrutojnë, të ndërkombëtarizohen.
Përtej skepticizmit dhe paragjykimeve është fakt i pamohueshëm që universitetet private sot janë një realitet i konsoliduar, me kampuse moderne, staf akademik cilësor dhe përfshirje gjithnjë e më aktive në rrjetet ndërkombëtare të arsimit, duke orientuar ofertën e tyre drejt kërkesave të tregut të punës. Po këto gjëra po i bëjnë! Vetëm se i bëjnë në një mjedis pa asnjë ndihmë shtetërore, pa përkrahje fiskale, pa ndonjë strategji kombëtare. Dhe sërish ia kanë dalë, përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, akreditimeve të huaja, dhe programeve të përbashkëta me universitete europiane, duke mundësuar jo vetëm mobilitet studentor por edhe njohje të diplomave.
Një zhvillim i tillë është jo vetëm inkurajues, por i domosdoshëm për të përmbushur kërkesën për ndërkombëtarizimin e sistemit arsimor shqiptar.
2. E reduktoni sipërmarrjen universitare në një dëshirë për t’u "marrë para shqiptarëve"
Kjo është një tjetër padrejtësi. Nëse ka një sektor ku fitimi nuk vjen kurrë i menjëhershëm, është pikërisht arsimi i lartë. Universitetet private shqiptare nuk janë “skema për të thithur para të shqiptarëve të varfër”. Janë institucione që kanë kaluar sprova reale: krizë demografike, valë largimesh, stigmatizim publik, mungesë mbështetjeje.
Dhe ndryshe nga perceptimi publik, ky sektor nuk ka qenë fitimprurës, të paktën jo në mënyrë të menjëhershme. Shpesh është mbijetuar falë pasionit dhe këmbënguljes së themeluesve, duke i paraprirë reformave shtetërore që ende mungojnë. Pse? Sepse kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë se dijet janë një investim strategjik. Ky nuk është nacionalizëm dembel, por patriotizëm modern.
Një aktor tjetër që ka luajtur një rol konstruktiv në këtë proces është Liga e Universiteteve Shqiptare, që ka krijuar një frymë bashkëpunimi, vetërregullimi dhe lobimi për standarde të larta akademike. Po kështu, duhet vlerësuar hapat pozitive te Ministrisë së Arsimit në drejtim të reformave të cilat sot janë më përfshirëse dhe bashkëkohore, siç është rasti me nismat për njohjen ndërkombëtare dhe orientimin drejt modeleve të suksesshme europiane.
3. Po, Shqipëria ka kapacitete për më shumë studentë të huaj – por duhet strategji kombëtare
Këtë e kemi thënë prej vitesh. E kam thënë unë dhe shumë të tjerë përpara se Ben Blushi të shkruante për “diellin që shndrit më lirë në Shqipëri”. E kemi kërkuar me këmbëngulje një strategji shtetërore për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë. Dhe jo për të mbrojtur universitetet private – ato tashmë janë të qëndrueshme – por për të kthyer dijen në një sektor eksporti.
Kur sot themi se Shqipëria mund të presë 50 mijë studentë të huaj, nuk është fantazi: është një projekt i realizueshëm, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, punësim, konsum lokal dhe pozicionim diplomacisë kulturore të vendit. Por për këtë nevojitet një vendim politik i guximshëm: të trajtohet arsimi i lartë jo si monopol ideologjik i shtetit, por si një treg i lirë dhe i rregulluar mirë, ku cilësia ecën përpara, dhe ndërkombëtarizimi vlerësohet si meritë kombëtare.
Asnjë vend nuk ka lindur destinacion akademik – është bërë i tillë. Praga, Varshava, Vilniusi dhe Beogradi nuk ishin qytete universitare ndërkombëtare 20 vjet më parë. U bënë sepse kishin strategji, shtet, promovim dhe partneritet mes universitetit dhe tregut. Shqipëria nuk është Angli, por as nuk ka nevojë të jetë. Ka diell, diploma evropiane dhe kampuse të gatshme.
Sipërmarrja universitare, pa asnjë ndihmë nga agjencitë shtetërore, pa asnjë lehtësim fiskal dhe pa asnjë strategji kombëtare rekrutimi, ka arritur e vetme të tërheqë studentë të huaj. Po ashtu ka krijuar programe në gjuhë të huaj në fusha me kërkesë globale si mjekësia, ekonomia, teknologjia, menaxhimi, turizmi etj.
Por më e rëndësishmja, sipërmarrja universitare ka fituar pjekuri. Sot shumë universitete private në Shqipëri nuk janë më eksperimente, por institucione të qëndrueshme, që e kuptojnë mirë konkurrencën, cilësinë dhe sfidat ndërkombëtare.
4. “Ata nuk bëjnë marketing për të shitur vlerat tona”? Po kush duhet ta bëjë?
Është paradoksale që Blushi i drejtohet me kaq lehtësi biznesit për një mision që është, në thelb, përgjegjësi e shtetit: promovimi i Shqipërisë si destinacion arsimor, shëndetësor apo turistik nuk është një hobi që duhet ta ndërmarrin “ndërtuesit”, “universitetet” dhe “klinikat” për sport. Është politikë publike. Është strategji kombëtare.
Nëse Serbia shpenzon 55 milionë dollarë për marketing, kjo bëhet përmes taksave dhe buxhetit publik, në bashkëpunim me sektorin privat – jo përmes “frymës së lirë të ndërtuesve”. Shqipëria shpenzon zero. Atëherë, a është faji i universiteteve që nuk reklamohet Vlora apo Tirana në Delhi?
Nëse Shqipëria do të bëhet realisht një destinacion akademik, kjo nuk mund të ndodhë pa rolin e sipërmarrësve të saj – të cilët tashmë e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Ata nuk presin subvencione, por duan një kuadër të drejtë, një treg të hapur dhe një shtet që i mbështet kur prodhojnë vlera. Shqipëria ka avantazhe që duhet t’i shfrytëzojë: afërsinë me BE-në, koston relativisht të ulët të jetesës, një rini anglishtfolëse dhe potencial për të tërhequr studentë të huaj. Përse të mos ndërtojmë një strategji kombëtare për të sjellë studentë nga rajoni, India, Azia dhe me gjerë duke e bërë arsimin e lartë një nga sektorët strategjikë të eksportit të dijeve?
Ky është një investim afatgjatë për kombin dhe një aleancë që duhet të përkrahet – jo të paragjykohet.
5. Po, sipërmarrja shqiptare duhet të rrisë horizontin. Por ajo nuk është fajtore që shteti ka munguar
Blushi ka të drejtë në shumë pika kur thotë se “jemi ulur mbi ar” dhe nuk dimë ta shesim. Por e keqja nuk është se nuk ka kush e shet. Është se ata që e prodhojnë këtë ar – dijen, shërbimin arsimor, diplomën europiane, ambientin mikpritës – janë lënë pa asnjë mbështetje. Dhe tani, kërkohet prej tyre të bëjnë gjithçka vetë.
Nëse shteti, biznesi dhe universitetet bashkëveprojnë, mund të mos jemi Oxford, por mund të jemi Oksfordi mesdhetar i studentëve indianë dhe aziatikë që kërkojnë dije me çmim të arsyeshëm dhe jetesë dinjitoze. Ky është një moment për të zgjeruar horizontin e arsimit të lartë – jo për ta mbrojtur nga konkurrenca, por për ta hapur me guxim drejt botës.
6. Po të isha unë shteti që Blushi thërret, do ndërtoja së pari një strategji kombëtare të promovimit të Shqipërisë si destinacion arsimor, përmes ambasadave, agjencive të marketingut dhe platformave ndërkombëtare
Një ligj të ri për arsimin e lartë që garanton autonominë reale të universiteteve; lehtësime fiskale dhe mbështetje direkte për universitetet që eksportojnë arsim; një politikë për akomodimin e studentëve ndërkombëtarë, përmes konvikteve moderne, rezidencave studentore publike/private të menaxhuara dhe sigurimeve shëndetësore dhe një regjim të lehtësuar vizash dhe qasje të përshpejtuar në tregun e punës për studentët ndërkombëtarë.
Blushi thotë se Shqipëria është "parajsë e varfër evropiane". Unë besoj se Shqipëria mund të jetë qendra e re akademike mesdhetare, por vetëm nëse e trajtojmë arsimin si çështje kombëtare dhe jo si faj të biznesit. Sipërmarrja universitare shqiptare ka qenë një hap përpara shtetit. Tani është koha që shteti të ecë krah saj.
* Ish-deputet i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Dhomës së Tregtisë Tiranë, ekonomist, Rektor i KolegjitUniversitar QIRIAZI- themeluar në 1922