Polemikë

POLEMIKË me Blendi Kajsiun - Nga Florian Çullhaj: Iluzioni i diktaturës liberale, si të justifikojmë pushtetin me sofizma 2:0

Shkruar nga Liberale

POLEMIKË me Blendi Kajsiun - Nga Florian Çullhaj: Iluzioni i

Florian Çullhaj

Artikulli i B. Kajsiut është një reflektim kinse i thelluar mbi gjendjen politike në Shqipëri, ku autori argumenton se vendi ndodhet në një gjendje paradoksale; më shumë liberalizëm, por më pak demokraci se asnjëherë. Ai e quan këtë situatë ‘diktaturë liberale’, duke sugjeruar se reformat liberale kanë mbijetuar dhe madje janë përforcuar, ndërkohë që demokracia substanciale është zhbërë. Por a qëndron ky konstatim, dhe më e rëndësishmja, a është e mundur të flasim për liberalizëm nën një regjim thellësisht populist si ky i Ramës?

Nëse i referohemi Alessandro Ferrara-s, një ndër mendimtarëtmë të thellë të liberalizmit bashkëkohorë, liberalizmi nuk duhet ngatërruar me disa procedura të pjesshme, si pavarësia formale e gjyqësorit, zgjedhje e lira, apo liria për të kritikuar. Ferrara, në linjë me traditën e Habermasit, Rawlsit e më gjerë, e sheh liberalizmin si një kushtëzim normativ të pushtetit. Një sistem i ndërtuar për të vetëvendosur kufij mbi mënyrën se si ushtrohet pushteti, duke garantuar barazi në pjesëmarrje, autonomi qytetare, dhe proces legjitimimi përmes argumentitpublik.

Gjegjësisht, sot nuk mjafton që të mos kemi dhunë fizike ndaj opozitës, për të pretenduar se jetojmë në një regjim liberal. Liberalizmi nuk është thjesht mungesa e dhunës, por prania e kontrollit ndaj pushtetit, e ndarjes reale të pushteteve, e mbikëqyrjes institucionale dhe e një hapësire të vërtetë publike për formimin dhe ndryshimin e alternativave politike. Kjo e sotmja, është dhunë edhe më e egër, sepse është tepër e sofistikuar për t’u luftuar sepse nuk shquhet lehtë nga shumica.

Në thelb, artikulli e sheh liberalizmin si një mbetje procedurale të sistemit politik, të shkëputur nga përmbajtja demokratike. Por ky është një reduktim i thellë konceptual.Liberalizmi nuk është thjesht ‘procedurë’, ai është sistemi i vetëm me mekanizma vetëkufizimi ku pushteti shket nëarbitraritet. Por, në anën tjetër, ai funksionon vetëm në ato kushte kur ushtrimi i pushtetit është realisht i ndarë, transparent dhe i përgjegjshëm. Shqipëria sot nuk ofron asnjë nga këto garanci. Përkundrazi, ajo përfaqëson shembullin e një shteti ku të gjitha pushtetet, përfshirë median, partinë,gjyqësorin dhe opinionin publik, janë të kapura dhe si të tillatë paafta për të ushtruar funksionin e tyre kushtetuese ndaj qeverisë.

Autori, në përpjekje për të treguar se Shqipëria është më liberale sot se dje, përmend pavarësinë e SPAK-ut, arrestimin e zyrtarëve të lartë, tolerancën ndaj opozitës apo lirinë e shprehjes. Por këto janë mjete propagandistike të përdorura nga vetë pushteti për të prodhuar legjitimitet të jashtëm. Arrestimi i disa zyrtarëve nuk është dëshmi e kufizimit të pushtetit të kryeministrit, por e kontrollit që ai ka mbi ritmin dhe objektivat e drejtësisë. Nëse kryeministri është në gjendje të kontrollojë edhe mënyrën se si përdoren mekanizmat liberale për të prodhuar legjitimitet, atëherë nuk mund të flasim më për liberalizëm. Funksionimi i SPAKU-t shfaq edhe më qartë bjerrjen e liberalizmit.

Në këtë kuptim, Shqipëria sot është shumë larg një sistemi liberal. Ajo është një regjim personalist, populist, që e ushtron pushtetin jo përmes kufizimeve institucionale, por përmes instrumentalizimit të institucioneve dhe blerjes. Ky nuk është liberalizëm, është menaxhim autoritar i simboleve liberale.

Për më tepër, ideja që në Shqipëri ka pasur përmirësim të ndjeshëm të lirisë së shprehjes apo të zgjedhjeve, është e njëanshme për mos të thënë naive. Po, në aspektin teknik procesi zgjedhor mund të duket më i pastër, por në realitet ai është i zbrazët nga përmbajtja. Partitë janë private, listat janë të mbyllura, dhe qytetari nuk ka më asnjë instrument të drejtpërdrejtë për të ndikuar në përfaqësimin politik. Në këtë kontekst, zgjedhjet janë një ritual i zbrazët, që thjesht riprodhon pushtetin ekzistues si pasojë e dorëzimit. Partia shtet, e shkrirë me flukse marramendëse parash informale thyen këdo, e përsëris këdo!

Unë e di, siç thoshte dikur Pasolini, por nuk kam prova. Unë e di që në këtë vend nuk ka më zgjedhje. Ka vetëm procese të kontrolluara, të menaxhuara deri në detaj, ku rezultati nuk është më një pasojë e vullnetit të popullit, por një produkt i makinerisë së partisë në pushtet. E di se fati i zgjedhjeve ishte i paravendosur në zyrat e shefave lokalë, në tavolinat e koordinimit elektoral, në fijet e punësimeve, tenderave dhe shantazhit.

Unë e di kush shkon derë më derë duke u thënë njerëzve si të votojnë, kush i kërcënon me bukën e gojës, kush i bën të nënshkruajnë listat. E di që ka nga ata që marrin një thes me ndihma apo një vend pune të përkohshëm si shpërblim për ‘mbështetjen’. Ka të tjerë që thjesht dorëzohen, lodhen, heshtin. Unë e di që kur ndonjë qytetar tenton të qëndrojë i lirë, të mendojë vetë, të zgjedhë ndryshe, në rastin më të mirë e injorojnë, në më të keqin e kërcënojnë.

Unë e di që komisionet janë të mbushura me militantë. E di që ka kamera të vendosura në qendra votimi jo për siguri, por për të kontrolluar. E di që vetë akti i votimit është kthyer në një akt të mbikëqyrur, të monitoruar, frikësues.

Unë e di që sistemi i patronazhimit nuk është më një thashethem, është realitet. Lista me emra, bindje politike, preferenca. E di që në këtë vend, pushteti e di për kë voton çdo njeri, dhe nëse nuk e di, e detyron atë që ta tregojë. Unë e di që kultura e votës nuk formohet më përmes debatit publik, përballjes së ideve, ballafaqimit të programeve, por përmes presionit, ofertës dhe frikës.

Unë e di. Por nuk kam prova. Nuk kam regjistrime, nuk kam video, nuk kam dokumente të firmosura. E kam parë, e kam ndjerë, më kanë treguar, por nuk kam fakte që të mbrohen në gjykatë. Unë nuk jam prokuror, nuk jam hetues. Jam qytetar, jam intelektual. Ndjek çfarë ndodh, lexoj çfarë shkruhet, kuptoj çfarë nuk thuhet. Bashkoj fije të shpërndara dhe shoh një tablo që nuk është më e mjegullt, por e qartë, assesi liberale.

E di, që kjo që po ndodh nuk është thjesht një keqfunksionim demokratik, por një projekt iliberal. Një plan për të pasur gjithmonë pushtetin, jo përmes ideve, por përmes kontrollit. Jo përmes përfaqësimit, por përmes frikësimit. Unë e di. E di që votat që numërohen nuk janë më rezultat i bindjes, por i detyrimit. E di, që pjesëmarrja publike është gjithnjë e më e ulët jo nga indiferenca, por nga dëshpërimi.

E di, që zërat ndryshe mbahen jashtë loje përmes manipulimit të listave, censurës mediatike dhe klientelizmit institucional. Unë e di, që partitë opozitare janë bërë dekor i një loje të paracaktuar. Dhe kur ndonjë prej tyre ngrihet, guxon të thotë të vërtetën, përballet me një mur të padukshëm presionesh, akuzash, shantazhi. Po ashtu, e di që dikush tjetër, ndoshta një prokuror, ndoshta një zyrtar që ka ruajtur dinjitetin, i ka ato prova që mua më mungojnë. Por nuk flet. Sepse nuk është momenti. Sepse është ‘jashte kohe’. Sepse do të presë ‘rastin e duhur’. Por ky është bash problemi. Që në këtë vend, e vërteta nuk thuhet kur duhet sepse je nën kontroll nga hiper pushtetiiliberal.

Gjithashtu, autori nuk merr në konsideratë - ose zgjedh të mos e marrë - se në regjimet populiste si ai i Ramës, vetë retorika e ‘tolerancës’ dhe ‘modernitetit institucional’ është një pjesë thelbësore e strategjisë për të ruajtur kontrollin. Populizmi nuk ka nevojë të jetë gjithmonë i dhunshëm. Në fakt, ai është më efektiv kur shfaqet si modern dhe i arsyeshëm, ndërkohë që asgjëson çdo mundësi reale për ndryshim politik.

Kjo është arsyeja pse ideja e një ‘diktature liberale’ është e dyshimtë dhe indulgjente. Sot, nuk është se kemi një diktaturë që toleron liberalizmin, por kemi një pushtet populist që përdor simbolet dhe retorikën e liberalizmit për të fshehur një pushtet të pakufizuar. Një liberalizëm fasadë që përpiqet të legjitimojë mungesën absolute të llogaridhënies në nivel tëbrendshëm e të jashtëm. Në një regjim, ku asnjë institucion nuk ka autonominë të ushtrojë ndikim të pavarur mbi qeverinë, liberalizmi nuk ekziston.

Si përfundim, ajo që po shkatërrohet dita ditës në Shqipëri nuk është vetëm demokracia, siç thotë B. Kajsiu. por vetë liberalizmi, në kuptimin më të thellë të fjalës. Pushteti i pakufizuar i kryeministrit, përmes një kontrolli holist kapilar,kapjes së partisë, medias, legjitimimit të parasë informale,heshtimit të opinionit publik për debat dhe pjesëmarrje, nuk janë thjesht simptoma të mungesës së demokracisë, janë shenja të një sistemi iliberal që ka braktisur çdo ide të kufijve parimor, të etabluara në kushtetutë në ushtrimin e pushtetit. Shkurt, atje ku nuk ka kufizim të pushtetit, nuk ka as liberalizëm, por vetëm një emulim të zbrazët i tij.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH