Opinion

Nga Roland QAFOKU: 21 janar 1925 u shpall REPUBLIKA SHQIPTARE - Si dhe përse u shpall 'Republika e parë' 100 vjet më parë

Shkruar nga Liberale

Nga Roland QAFOKU: 21 janar 1925 u shpall REPUBLIKA SHQIPTARE - Si dhe

Nga ROLAND QAFOKU

Deri më 31 janar 1925 Shqipëria i ngjante një trupi që nuk iiknin ethet. Në vetëm 13 vjet shtet i pavarur, vendi i dalë nga rrënojat e Perandorisë Osmane nuk kishte parë asnjë formë shtetërore të stabilizuar. Qeveritë binin si gjethet e vjeshtës dhe çdo politikan mund të ishte aq lehtë në krye të pushtetit dhe po aq lehtë të rrëzohej gjithashtu. Mes shumë konkurentëve dhe dashnorë të pushtetit dhe politikës dallim bëri vetëm Ahmet Zogu. Përveç pasionit për të patur pushtet personal, ai pati aftësinë të ketë një vizion të qartë se si stabilizohej Shqipëria. Prijës i fisit Zogolli në Mat dhe djali i një nëne tiranase nga fisi Toptani, ai diti të futet që i ri në politikë. Shënjoi startin e tij atë 28 nëntor 1912 si delegat i Matit edhe pse nuk mundi të shkonte në Vlorë dhe të firmoste pavarësinë. U bë ministër i Brendshëm në Kongresin e Lushnjes kur ishte 25 vjeç, 8 muaj e 17 ditë dhe fiks kur mbushi 27 vjeç 1 muaj e 24 ditë, mori detyrën e kryeministrit. Edhe pse e la atë detyrë pas 1 viti, rrëzimi me armë në qershor 1924 nga një grusht shteti i kryeministrit Shefqet Vërlaci, do të thoshte rrëzimi nga pushteti i Zogut. Ia ktheu reston armikut të tij politik duke bërë të njëjtën gjë natën e 24 dhjetorit 1924 teksa e përzuri nga zyra dhe vendi.

Dukej si ky ishte momenti i tij. Dhe ai nuk e la rastin të ikte nga dora. Këneta osmane kishte lënë pas një pellgaçe shqiptare që Ahmet Zogu po përpiqej ta kthente në një liqen panoramik. Mustaqet e ngjyrosura nga nikotina e duhanit, shtati i lartë dhe pamja impozante me fytyrën mustaqe alla Çaplin dhe sytë blu e thellë, ishin portreti fizik i një burri shteti që u bë shumë shpejt sinteza e cilësive dhe vetive më të mira të shqiptarëve. Mbi të gjitha të themelonte një shtet duke patur bazë republikën.

Rikthimi në pushtet duke nxjerrë nga politika, madje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë Fan Nolin si konkurentin më të fortë të tij i jepnin mundësi të mëdha. Sot e mund ta marrim me mend ato ditë janari të vitit 1925 se çmund të ketë bluar në kokë Ahmet Zogu. Ka qënë shumë i qartë në mendjen e tij dhe çdo gjë qëbëri ato ditë nuk mund tia veshës rastësisë.  

Veprimi parë që bëri ishte mbledhja më 21 janar e Kuvendit Kushtetues, fiks në 5 vjetorin e Kongresit të Lushnjes. Kjo ishte simbolika jo vetëm që ai do ta vazhdonte ku e kishte lënë duke mbajtur referencë atë ngjarje, porse do shpaloste edhe një vizion të ri për të ardhmen e Shqipërisë. Pa dyshim edhe të karrierës së vetë politike. Shtëpia e oficerëve në qendër të Tiranës u përshtat për parlament, ose siç u quajt Asambleja Kushtetuese. Pa ndonjë vështirësi në procedura dhe votim, Shqipëria u shpall republikë duke rrëzuar përfundimisht formën e shtetit të përcaktuar në vitin 1914 me princin gjerman Wilhelm Von Wied.

Veprimi dytë ishte ngritja e një komisioni të posaçëm që përgatiti projekt statutin që do përcaktonte formën e re të regjimit. Puna me ritme të shpejta solli miratimin e tij vetëm pas 10 ditëve. Më 31 janar, në një seancë të posaçme u miratua statuti i ri. Nga 64 deputetë të Asamblesë Kushtetuese, 62 votuan që Shqipëria të quhej Republikë Shqiptare duke lënë pas çdo formë të vjetër të shtetit. Fraza Republikë Shqiptare mbante nën vete kuptimin që përveç shtetit të njohur zyrtarisht nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913 të përfshiheshin edhe trojet e marra nga Jugosllavia dhe Greqia. Po atë seancë, vendimi i dytë më i rëndësishëm që lidhej ngushtësisht me të parin ishin nenet për zgjedhjen e kryesisë së Republikës. Deputetët do votonin kështu për zgjedhjen e të parit president në historinë 13-vjeçare të shtetit duke zëvendësuar regjencën e deriatëhershme që kishte funksionuar që nga mbajtja e Kongresit të Lushnjës në janar 1920. Ato çaste vetë Ahmet Zogu qendronte në rezidencë në pritje të rezultatit të votimit. Propozimin që ai kishte bërë ishte që Shqipëria të shpallej Republikë dhe ai vetë president. Në orën 15.30., unanimisht Ahmet Zogu u zgjodh president i Republikës shqiptare me një mandat prej 7 vjetësh. Pak dokumente ka që japin detaje të imtësishme për atë moment, por dëshmia e një aktori dhe faktori njëkohësisht siç ishte Eqrem bej Vlora është nga më të vlefshmet për formatin që ai përfaqësonte. Shkruante Eqrem Vlora:

“Në mbledhjen e mëngjesit të 31 janarit 1925, Asambleja miratoi krijimin e një republike shqiptare, në atë pasdite në orën 3.50 ajo zgjodhi njëzëri Ahmet Zogun si President të kësaj republike”.

Kështu, vetëm në 10 ditë, nga 21 deri 31 janar 1925 u kompletua dhe mori udhë Republika e parë Shqiptare. Presidenti ishte edhe kryetar i shtetit dhe shef i qeverisë dhe i jepej e gjithë liria të qeveriste me dorë të fortë, por pa shtyp të lirë dhe pa lirinë e fjalës. Një formë e re qeverisëse që ndonëse kishte elementë të spikatur diktatorialë, në formë mbetej një koncept modern perëndimor. Sot pas 100 vjetësh ne duhet ta kujtojmë si momentin kur shteti shqiptar kapërceu një herë e përgjithmonë anarkinë dhe mentalitetin oriental osman dhe u fut në ulluqet moderne të funksionimit të stabilizuar të shtetit duke e implementuar më vonë edhe në praktikë. E gjitha kjo i dedikohet një njeriu të vetëm që pati vizionin por edhe kurajon ta themelonte Republikën e parë Shqiptare, Ahmet Zogu.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH