Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Presidenti duhet ta kthente për bindje ligjin për komisionet hetimore

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Presidenti duhet ta kthente për bindje ligjin

Ervis Iljazaj

Presidenti i Republikës sot ka dekretuar ligjin për komisionet hetimore, për të cilin ka një debat të madh politik dhe publik, pasi është një ligj shumë i rëndësishëm për jetën parlamentare, për demokracinë dhe aktivitetin e opozitës. Në këtë kuptim, Presidenti i Republikës duhet të bënte një akt për të dhënë një mesazh të rëndësishëm duke e kthyer ligjin mbrapsht për bindje të tij personale, gjë të cilën ja lejon Kushtetuta dhe posti që ai përfaqëson. Nuk ka rëndësi nëse ai ligj është kushtetues ose jo, por vetëm për faktin sepse përbën një instrument të rëndësishëm për mekanizmat e kontrollit ndaj qeverisë, gjë e cila është një nga elementët kryesor të demokracive parlamentare.

Edhe nëse kthehej nga Presidenti, ligji me shumë gjasa do të votohej përsëri, por mos dekretimi i tij duket një rast i humbur për të treguar një pushtet balancues të Presidentit të Republikës ndaj kësaj qeverie. Aq me tepër në këto kushte ku opozita duket shumë e dobët dhe pushteti shumë i fortë. Dhe mos dekretimi nga ana e presidentit do të përbënte një lloj ekuilibri institucional, i domosdoshëm për jetën politike shqiptare në këto momente.

Jo vetëm për një arsye politike dhe mesazhi, por ligji do të duhet të kthehej edhe për përmbajtjen e tij shumë problematike. Në thelb ligji ka tre probleme kryesore. E para, mazhoranca fiton kohë dhe nuk aprovon komisionet hetimore të kërkuara nga deputetë të opozitës, gjë e cila bën që një e drejtë kushtetuese e minorancës të mos zbatohet. Dhe në këtë kuptim, është një ‘non sens’ juridik dhe logjik. Nuk ka asnjë të drejtë kushtetuese e cila të pengohet me justifikim se mungon një ligj apo se është aprovuar një ligj i ri. Sepse kushtetutat demokratike janë ndërtuara në mënyrë të tillë, që disa parime themelore bazë, siç është ky i ngritjes së komisioneve hetimore, të zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk kanë nevojë për ligje. Kushtetuta është e qartë në këtë drejtim.

E dyta, kufizon mekanizmat e kontrollit që opozita ka ndaj aktivitetit të qeverisë. Në fakt ky është i vetmi mekanizëm që opozita ka në parlament për ta ushtruar këtë detyrë të saj. Prandaj dhe kufizimi i kësaj të drejtë është i rrezikshëm për demokracinë.

Dhe e treta, ligji, ashtu sikurse është hartuar lë në dëshirë të mazhorancës për të gjykuar se cili komision hetimor mund të ngrihet apo edhe se cili komision ka një objekt hetimor kushtetues. Duke marrë kështu një rol që as nuk e ka sipas Kushtetutës së Shqipërisë, as nuk duhet ta ketë.

Kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë, kryesisht ai i opozitës në një demokraci funksionale nuk duhet të ketë asnjë kufizim. Në të kundërt, e gjithë forma e qeverisjes parlamentare siç sanksionohet në Kushtetutën e Shqipërisë deformohet.

Edhe nëse ka vërtet një abuzim me këtë të drejtë nga ana e opozitës dhe ka patur gjithmonë, parime të tilla nuk ndryshohen vetëm si pasojë e kontekstit aktual, por duke patur parasysh të ardhmen e mekanizmave demokratikë të Shqipërisë. Mirëpo dihet që politika shqiptare mendon sot për sot, dhe jo për të ndërtuar një sistem demokratik që t’i shërbejë brezave që do të vijnë. Edhe nëse më këtë të drejtë është abuzuar, është më mirë për një vend dhe demokracinë e tij, që të abuzohet më të drejtat se sa të kufizohen ato.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH