Dita e sotsme ishte Dita Kombëtare e Drejtësisë për Shqipërinë, që nga koha kur më 10 maj 1913, qeveria e Ismail Qemalit dekretoi “Kanunin e Zhurisë”, si aktin e parë juridik për organizimin dhe funksionimin e sistemit juridik në shtetin e pavarur shqiptar.
Sot pas më shumë se një shekull nga kjo datë, dhe sidomos pas 34 viteve tranzicion, a kanë motiv shqiptarët për të festuar se vërtetë në Shqipëria ekziston një drejtësi e pavaruar?
E gjithë përpjekja njerëzore është që të ndërtojë një shoqëri të drejtë dhe asgjë më shumë se kaq. Sepse një shoqëri e drejtë sjell nga pas zhvillim ekonomik dhe paqe sociale. Për 34 vite me radhë drejtësia në Shqipëri ka munguar. Për 34 vite me radhë në Shqipëri ka folur politika dhe ka heshtur drejtësia. Ndërsa sot ka filluar të flasë edhe drejtësia dhe politika ka filluar të alarmohet. Aq shumë e vërtetë është kjo, saqë kanë filluar të kërkojnë aleanca të gjera politike kundër saj, ashtu siukurse kanë bërë për 34 vite.
Sigurisht drejtësia shqiptare ka shumë probleme, nga më të ndryshmet dhe në nivele të ndryshme. Por ama sot, me mbështetjen e fortë ndërkombëtare, mund të themi që kemi një organ drejtësie që veçon nga tjetër dhe gëzon mbështetje të madhe popullore. Dhe ky organ quhet SPAK. Jo më kot çdo aleat ndërkombëtar i Shqipërisë thekson punën e mirë të tij në luftën kundër korrupsionit, në nivele të larta të politikës.
Ajo që ka munguar në këto 34 vite tranzicon është pikërisht konsiderimi si të barabartë i të gjithëve, përfshi këtu edhe të njerëzve me pushtet përpara ligjit. E duket sikur këtë parim jetik të drejtësisë SPAK po mundohet ta realizojë. Me problematikat e veta, me pengesat që i vihen dhe me mundësitë logjistike dhe politike që ekzistojnë, por shenjat e para të jetës, që drejtësia e re ka filluar në këtë drejtim, janë të qarta.
E pikërisht për këtë arsye politika po kërkon ta pengojë punën e saj. Me format nga më të ndryshmet, por vështirë se mund tja dalin, duke parë mbështetjen e fortë ndërkombëtare dhe qytetare që ka. Me të gjitha gjasat, SPAK është e vetmja shpresë që shqiptarët kanë për të për të realizuar parimin e shenjtë të drejtësisë ‘’të gjithë të barabartë përpara ligjit’’. Nëse dhe ky organ dështon, ditë të vështira e presin drejtësinë shqiptare.
Deri më sot Shqipëria ka patur tre lloj drejtësie. Në fillim të viteve 90 drejtësia përdorej për të sulmuar kundërshtarët politikë. Në vitet dy mijë dhe më pas, drejtësia nuk hetonte askënd nga palët politike si pasojë e një marrëveshje që ekzistonte midis tyre sepse ishte tërësisht e kapur nga politika. Ndërsa sot, jemi në fazën që gjithkush mund të hetohet.
Nuk ka rëndësi se je në pushtet apo në opozitë, nuk ka rëndësi nëse është zv/kryeminstër apo ish-kryeminsitër. Sot drejtësia po tregon shenja jete, të paktën në luftën kundër korrupsionit ndaj politikës.
Sigurisht ky është vetëm një element i drejtësisë. Drejtësia shqiptare ka probleme me infrastrukturën në terësinë e saj, me kapitalin njerëzor apo edhe me kushtet brenda të cilave punojnë magjistratët shqiptarë. Ka probleme ende me korrupsionin brenda saj. Por ama, një hap i rëndësishëm në një nga gangrenat e shoqërisë shqiptare të 34 viteve, ajo e hetimit të njerëzve me pushtet, sot është hedhur. Duket si ato hapat e elefantit, që hidhet ngadalë dhe me vështirësi. Por në momentin që hidhet nuk kthehet më pas.