Preç Zogaj
Libraria “Adrion”, simotra shqiptare e librarive më të mira në Perëndim, kremtoj kësaj jave njëzet e pesëvjetorin e saj.
Njëzet e pesë vjet janë mosha më e bukur për t’u festuar. Jo vetëm për njerëzit. Edhe për një librari, mosha e së cilës është e re në raport me libraritë shekullore të botës së qytetëruar.
Në realitetin tonë, njëzet e pesë vjeçarja “Adrion” është sa e re, aq edhe ndër më të vjetrat, në mos më e vjetra si e tillë.
Sepse gjithë këto vite të tregut të lirë kemi parë mbylljen e vazhdueshme të librarive, zvogëlimin dhe zhvendosjen nëpër zgeqe të mjaft të tjerave.
“Adrion” u ka rezistuar, madje i ka sfiduar faktorët e dështimit.
Përveç hapësirës së kufizuar që tani i bie ngushtë suksesit të saj, “Adrion” nuk u lë gjë mangut librarive me të mira të perëndimit. “Adrion” shet shumë libra. E gjithë kjo falë përkushtimit plot pasion e talent të themeluesve të saj, Marjana e Teodor Misha, si dhe stafit të punonjësve aty.
Si librari moderne, “Adrion” është dallëndyshja e parë që ka mbetur e parë, pa një të dytë si vetja a më të mirë se vetja. Ka andej këndej disa librari të reja dinjitoze, që meritojnë respekt, por “Adrion” mbetet jashtë serie.
Po të kishte Shqipëria dy a tre dyzina librarish të konceptuara dhe të menaxhuara si “Adrion”, libri në shqip do të kishte një fat shumë më të mirë se ky që po përjeton prej dy-tre dekadash.
Kriza e libërshitjes dhe leximit është evidente. Më shumë se relative nëse do të krahasohej me periudhën para viteve nëntëdhjetë. Faktorët janë kompleksë. Ato nuk e përjashtojnë cilësinë e krijimtarisë letrare në shqip. Por kur shohim se edhe libra të shkrimtarëve të mëdhenj në botë, të përkthyer në shqip me cilësi të mirë, rrallë herë i thyejnë kuotat mesatare të shitjes ku dy mijë kopje cilësohen si ‘bestseller’, kuptojmë se libri në vendin tonë i ka keq punët përtej cilësisë në vetvete.
Në fakt i ka keq punët vendi që zë libri dhe leximi në jetën e shqiptarëve.
Mbyllja dhe stërkeqja e librarive lexon fatin dramatik të së shkruarës, së shtypurës dhe së printuarës në vendin tonë. E shkruara po humbet vazhdimisht terren, aq sa të duket sikur po del tepër, si një gjë e panevojshme. Dhe këtu kam parasysh edhe shtypin e shkruar në rënie të lirë. Si në asnjë vend të civilizuar të planetit.
Gjuha jonë, nga më vjetrat në botë, i mban si ujët e pakët dokumentat që datojnë gjenezën e shkrimit të saj. Ajo reklamon krenarisht monumentet e lavdisë së saj me veprat më të mira të librit në shqip, ku përfshihen kryeveprat e përkthyera nga shumica e gjuhëve të botës.
Bjerrja e shqipes së shkruar duke bërë mbrapsht te e folura i përgjigjet një vizioni distopik të lemerishëm. Në fakt do të ishte fundi i saj, duke qenë së në kushtet e sotme të babilionizimit të gjuhëve në kullën e re të erës digjitale gjuhët e folura nga një numër i vogël njerëzish, siç është shqipja, nuk do të mbijetonin si dikur.
Libri nuk e përballon xhunglën. Xhungla nuk e qas, nuk e bën librin si mall. Konceptimi dhe jetësimi i një politike të re për librin është një imperativ që nuk duron më indiferencë, zvarritje, amatorizëm, “aktivitete” sterile sa për numër, si në vatrat e dikurshme të kulturës, që s’bëjnë asgjë tjetër veçse shoqërojnë me tambure thellimin e krizës së librit dhe leximit.
Politika për librin nuk është thjesht kulturore. Është kombëtare.
Mund të fillohet me jetësimin e një projekti për hapjen e dhjetë-dymbëdhjetë librarive në qytetet e mëdha, në shembullin e “Adrion”. Për të vijuar me të tjera në Tiranë e me radhë. Ku ka shumë shitore ari, shitet me shumë ar, thotë diktoni hebre. Libri ngjan me arin në këtë pikë. Qeveria thjesht mbështet me incentiva. Ka kudo sipërmarrës të iluminuar që do të përfshiheshin me dëshirë në një projekt të tillë.
Mund të studiohet e merret ndërkaq përvoja e vendeve të tjera për konceptimin e librarive të mëdha edhe si biblioteka, në kuptimin që, në bazë të disa rregullave, dikush që e blen një libër mund edhe ta kthejë atë pasi e la lexuar. Shteti merr përsipër pjesën e kostos së funksionimit të këtyre librarive edhe si biblioteka. Synimi mbetet rritja e leximit, shtimi i lexuesve. Leximi dhe libri rrisin njëri-tjetrin.
Kritika letrare e nivelit bashkëkohor, çmimet dhe titujt letrarë, media e specializuar janë një lëmë ku lipsen përgjigje të reja për nxjerrjen e produksionit letrar nga gjendja rifigio, zallamahia dhe amatorizmi. E gjithë kjo përmes evidentimit dhe rekomandimit të librit të mirë nga kritikët, gazetarët profesionistë dhe vetë shkrimtarët e afirmuar që shkruajnë reçensa dhe ese. Por kjo nuk bëhet falas. Kërkohet projekt dhe mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës. Libri nuk është një mall si çdo mall. Siç nuk është fjala vjen farmaceutika.
Për sa thashë më lart dhe për të tjera propozime për fatin e librit dhe leximit kam bërë timen për të sensibilizuar me gojë dhe me shkrim zyrtarët më të lartë të kulturës në qeveritë e Ramës. Të tjerë njerëz publikë kanë bërë të njëjtën gjë me ide dhe propozime të tjera më të mira. Por indiferenca e qeverisë ka vazhduar të “zhurmojë” kambanat e alarmit.
Në konstast me këtë tablo të zymtë, libraria prijesë “Adrion” vazhdon të ndriçojë rrugën dhe shpresat për një të neserme më të mirë.
* Nisur nga fjala e mbajtur në ceremonië e 25 vjetori të librarisë “Adrion”