Analizë

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Vizita e Blinken, më shumë drejtësi dhe siguri për shqiptarët

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Vizita e Blinken, më shumë drejtësi

Ervis Iljazaj

Departamenti i Shtetit Amerikan ka zyrtarizuar vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Shqipëri, në datat 14-17 Shkurt. Sa herë që një zyrtar i lartë i këtij niveli viziton Shqipërinë, ky është një lajm i mirë për shqiptarët. Nuk është hera e parë që një Sekretar Shteti viziton Shqipërinë, dhe sa herë që kjo ndodh, përbën një ngjarje domethënëse për vendin tonë.

Sigurisht kjo vizitë me të gjitha gjasat vjen si pasojë e konteksteve gjeopolitike të cilat prekin edhe rajonin dhe Shqipërinë. Konflikti në Ukrainë ka kthyer vëmëndjen e ShBA-ve në rajonin e Ballkanit dhe shqiptarët përbëjnë një aleat historik të amerikanëve. E duke parë që situata gjeopolitike botërore nuk është aspak e qetë, Ballkani Perëndimor është shumë afër konflikteve, me çështjet e Kosovës që është gjithmonë në qëndër të diplomacisë perëndimore, kjo vizitë është një siguri dhe një mbështetje më shumë për shqiptarët e Shqipërisë dhe rajonit.

Prandaj vizita e Blinken duhet parë në këtë këndvështrim. Në kuadër të aleancës që ShBA ka me Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe kjo është një aleancë e cila jo vetëm që duhet ta nderojë vendin tonë, por duhet ta bëjë të ndihet edhe më i sigurt duke qenë se bëjmë pjesë në organizatat ndërkombëtare të sigurisë si NATO, falë të cilës sot shqiptarët jetojnë më të mbrojtur në territorin e tyre.
Sigurisht në politikën shqiptare të ditës, qeveria dhe kryeministri do mundohet ta kthejë këtë vizitë në favor të tij politk dhe do ta propagandojë si mbështetje ndaj tij. Të gjithë duhet ta kuptojnë se amerikanët në Shqipëri nuk mbështesin ndonjë politikan të caktuar, por popullin shqiptar në të gjitha sfidat e sigurisë dhe politikës që ata kanë.

Këtë mbështetje Amerika e ka treguar prej dekadash ndaj shqiptarëve. Patjetër që i kanë bërë edhe për interesin e tyre gjeopolitik. Por për sa kohë interesat e tyre përkojnë me interesat tona, kjo është një aleancë e cila do të duhet të jetë e patjetërsueshme për shtetin dhe popullin tonë.
Kjo gjë duhet theksuar sa herë që të jetë mundësia, sepse për interesa personale të disa politikanëve në Shqipëri ka filluar të vihet në dyshim kjo aleancë.

Nën petkun e sovranizmit, kohët e fundit po mundohen ti thonë shqiptarëve se marrëdhëniet me Amerikën duhen parë, se ne jemi vend autonom dhe ajo nuk ka pse ndërhyn në punët tona të brendshme. Një dritshkurtësi kjo bëhet vetëm për disa interesa meskine të brendshme.
Nuk e kuptojnë akoma që në situatën ku ndodhet bota sot, me konflikte të cilat po shpërthejnë gjithandej, gjeopolika është bërë politikë e brendshme. Nuk ka politikë të brendshme pa politikë të jashtme. E në këtë kuptim, qëndrimi pa ekuivok krah për krah Shteteve të Bashkuara duhet të jetë qëndrim i gjithë klasës politike shqiptare. Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse kjo aleancë është interesi ynë kombëtar. Jo vetëm për Shqipërinë, por mbi të gjitha për bashkëkombasit tanë në Kosovë. Historikisht, sa herë që shqiptarët kanë patur në krahë ShBA-të dhe Perëndimin kanë fituar, sa herë i kanë patur kundër kanë humbur.

Nuk ka rrugë tjetër përveçse kësaj aleance për interesin kombëtar shqiptar. Prandaj, vizita e Sekretarit Blinken është një lajm i mirë për shqiptarët kudo ata jetojnë në rajon, dhe kështu është. Jo vetëm për sigurinë por edhe për drejtësinë, duke qenë se emerikanët janë mbështetësit kryesorë të drejtësisë së re, SPAK dhe luftës ndaj korrupsionit. Me përjashtim të ndonjë politikani i cili ndodhet në gjyq ndërkombëtar me të.

/Liberale.al/

Poll
SHQIPENGLISH