Dossier

Një peng nderi për Kongresmenin Amerikan, Eliot Engel

               Publikuar në : 15:54 - 23/07/20 liberale

NGA MAL BERISHA

Hyrje

Këto ditë, pas një karriere 32 vjçare si anëtar i Dhomës së Përfaqësusve në Kongresin Amerikan, miku i shtrenjtë i shqiptarëve, Kongresmeni i njohur Hon. Eliot Engel, nuk pati sukses rizgjedhje ne primaret e Partisë së tij Demokratike Amerikane. Ai largohet nga Kongresi pasi ka mbajtur dy vitet e fundit postin e Kryetarit te Komisionit të Marrdhënjeve me Jashtë.

Engell largohet duke lënë një trashëgimi të pashembullt në politikën amerikane, ndërsa për ne Shqiptarët, si një mik i rrallë dhe i shtrenjtë ndoshta për shumë kohë edhe i pa zevendësueshëm. Në nderim te kontributit te tij, i kushtova këtë shkrim me respektin më të thellë.
Miq të mëdhenj të Shqipërisë

Historia e shqiptarëve në Ballkan është e mbushur plot me ngjarje, tragjedi, humbje dhe fitore. Por duhet thënë se në udhëtimin e vështirë të kombit tonë kemi qenë me fat pasi gjithmonë kemi patur përkrahës të huaj të cilët na janë gjetur në momentet më kritike.

Kur kthejmë kokën pas, na vijnë ndër mend emra të njohur të të huajve të cilët na kanë parë me simpati, kanë shkruar për ne, kanë ndihmuar për zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare, madje ka prej atyre që na e kanë kushtuar jetën deri në sakrificë. Lordi Bajron e bëri të njohur në tërë botën anglo – saksone trimërinë e shqiptarëve në veprën e tij aq të dashur: “Udhëtimi i Child Haroldit”. Hymnizimi i virtyteve shqiptare prej tij në atë kohë u bë frymëzim për rilindjen kombëtare shqiptare. Benjamin Disraeli, me veprën “Naltësimi i Iskanderit” iu referua heroit tonë kombëtar që e bëri të njohur vendin tonë në një kohë aq të vështirë. Veprat e “Mbretëreshës së Malsorëve”, Edith Durham, ngritën në këmbë fuqitë e mëdha dhe i mësuan se kush janë dhe çfarë përfaqësojnë shqiptarët në Ballkan. Ishte nje hebre kroat, Milan Shuflaj që i kushtoi jetën studimeve mbi shqiptarët, dhe që e pagoi me kokë për shkak të kundërshtive serbe ndaj popullit shqiptar, të cilët i morën jetën. Reverendi Charles Telford Erickson i kushtoi jetën dhe familjen Shqipërisë dhe luajti një rol shumë të rëndësishëm në bindjen e Presidentit Willson për mbrojtjen e Shqipërisë. Ishte vetë Presidenti Willson që e mbrojti ekzistencën e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919. Politikani anglez, koloneli Aubrey Herbert, loboi aq shumë bashkë me Lordin Robert Cecil për njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe antarsimin e saj në Ligën e Kombeve. Amerikano – hebreu Herman Bernstein u dashurua me shqiptarët dhe Mbretërinë e tyre të viteve ’30 – të si Ambasador i ShBA ve në Tiranë. Kjo listë do të ishte shumë e gjatë po ta vazhdoja dhe më çon pashmangshmërisht tek një emër i cili meriton të shënohet me gërma të arta në altarin e miqve më të mirë të kombit tonë, si tribun i lirisë së gjysmës së popullit tonë – atij në Kosovë.

Është Kongresmeni Amerikan Eliot Engel. Karriera e gjatë e tij politike është e lidhur prej afro tre dekadash me çështjen shqiptare. Që atë ditë kur në derën e zyrës së tij trokiti një djalë simpatik nga Kosova, mbi të tridhjetat, i quajtur Harry Bajraktari, jeta e tij u lidh me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Atë ditë Harry i rrëfeu kongresmenit rreth tragjedisë së popullit të vet. I tregoi për luftërat, përpjekjet, mundimet, dëbimet, vrasjet, ekzekutimet, shfarosjen, persekutimin, margjinalizimin, aparteidin, madje edhe për një farë forme të Hollokuastit që ushtrohej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Ai i foli për Besën Shqiptare dhe mbrojtjen e hebrejve nga shqiptarët gjatë asaj periudhe, por që tani po e përjetonin vetë shqiptarët. Ai takim kishte peshën historike të një ngjarje që do të lidhej me zgjidhjen e vetë fatit të një populli. Harry Bajraktari po i spiegonte dramën e popullit të vet një njeriu që dëgjonte me vemendjen më të madhe, një biri të një familje hebraike që i kishte përjetuar të gjitha këto në kurrizin e vet.

Që prej asaj dite, lidhja e Harry Bajraktarit me Kongresmenin Engel ishte e tillë që do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi fatin e popullit të Kosovës. Eliot Engel, me durimin dhe qetësinë e tij, i ndihmuar edhe nga shumë senatorë e kongresmenë të tjerë, miq të shqiptarëve si Robert Dole, Damato, Tom Lantosh, Benjamin Gilman, John McCain e shumë të tjerë, arritën që çështjen e Kosovës ta fusin në agjendën e politikës së jashtme amerikane. Ndarja me vijë të kuqe që Presidenti Bush, i vjetri, i bëri kufirit të Kosovës me Serbinë në vitin 1992 do të kërkonte patjetër ndihmën e Kongresmenit Engel për tu zbatuar disa vjet më vonë nga Presidenti Clinton. Dhe kjo ndihmë erdhi gjithnjë në rritje, falë ndërgjegjes së lartë humane të kongresmenit dhe njohjes që ai arriti t’i bënte Presidentit Clinton dhe administratës së tij mbi këtë çështje. Sa më shumë shtohej shtypja dhe persekutimi i satrapit Milosheviç ndaj shqiptarëve, aq më shumë intesifikohej puna e miqëve të shqiptarëve në Washington për t’i dhënë fund kësaj tragjedie që pësonte një popull i pafajshëm dhe turpit që pllakoste mbi botën e civilizuar. Në këtë dualitet të madh, veprimtaria e kongresmenit ishte qenësore pasi ishte në ballë të të gjitha këtyre përpjekjeve. Kështu u arrit deri tek ndërhyrja ushtarake, çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës. Kongresmeni Engel, edhe pse është një demokrat, iu bashkua republikanëve në mbështetje të Presidentit Bush, i riu, për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, kongresmeni e mbante një sy edhe në Shqipëri ku ndiqte me vemendje zhvillimet atje. Kështu ai u bë njëri ndër njerëzit më të dashur dhe më të adhuruar për shqiptarët kudo që jetojnë.

Falë zotëri Harry Bajraktarit, kam pasur nderin, privilegjin dhe kënaqësinë të takohem shumë herë me Kongresmenin Engel. Përherë kam dëgjuar prej tij fjalën e urtë të një burri të matur me shqetësimin për mbarëvajtjen e punëvë të shqiptarëve në Ballkan. Ai flet me simpati për shqiptarët dhe deklaron hapur se ishte takimi me Harry Bajraktarin që e nxiti të merrej me çështjen shqiptare. Kur mësova për historinë e popullit tuaj e më pas për vlerat familjare, traditën, besën, mikpritjen, rrespektin midis brezave, bujarinë, mëshirën dhe dhimbjen për të vuajturit, gjeta shumë gjëra të ngjashme me ato të racës prej nga e kam prejardhjen, ndjeva një thirrje të brendshme për t’i kontribuar kësaj çështje.

Sa herë takohem me kongresmenin ndjej se marr me vete një pasuri të madhe shprese dhe besimi tek e ardhmja e vendit dhe kombit tonë. Më ka qëlluar që në mes të darkës me të në Washington, atë ta thërrasë Presidenti Amerikan në telefon dhe ta mbajë thuajse një orë duke biseduar me të për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane. Me tu kthyer në tavolinë, ai me modestinë e rrallë që e karakterizon e vazhdoi bisedën aty ku e kishte lënë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë edhe pse kishte biseduar me njeriun më të fuqishëm të globit: Presidentin Amerikan, Barack Obama.

Në shtatorin e vitit 2016, kongresmeni dhe miku i tij Harry Bajraktari u shpallën qytetarë nderi të Lezhës. Ishte një ditë e bukur sa për ata aq edhe për qytetin. Fjalimi i kongresmenit brenda në Memorialin e Heroit Kombëtar Skënderbeg ishte një thirrje për bashkim të shqiptarëve si një herë e një kohë nën Gjergjin tonë te madh.

Një njeri aq i rëndësishëm reflektonte një modesti dhe thjeshtësi të tillë sa të ndjeheshe se ishe pranë një miku me të cilin ndan vlera dhe gjëra të përbashkëta shpirtërore.

Në një mbrëmje të shoqatës së grave shqiptare në New York, “Motrat Qirjazi”, në Tetorin e vitit 2018, zonja e kongresmenit, Pat Engel deklaroi publikisht: “Unë jam shqiptare”. Ajo pasi foli shumë për shqiptarët, Kosovën, Harry Bajraktarin dhe rrethin e tij të afërt familjar përfshirë zotëri Rrustem Gecin, iu kthye fillimit të bisedës dhe tha: “Po ju kujtoj edhe nje herë se Elioti dhe unë ndjehemi shqiptarë, pasi prej jush, shqiptarëve, kemi mësuar shume, kemi marrë aq shumë dashuri, frymëzim dhe kemi parë aq shumë vlera të rralla njerëzore.”

Me datën 30 Prill 2019 pata rastin të ndiqja seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan, drejtuar nga Kongresmeni Engel, tashmë në postin e Kryetarit të këtij Komisioni, për dhunën seksuale të ushtruar ndaj grave në Kosovë nga falangat serbe të Milosheviçit.

Në verën e vitit 2019, autoritetet lokale të Tropojës dhe Gjakovës i vunë emrin e Kongresmenit Engell, rruges që fillon ne Fierze dhe përfundon në Punashec.

Ajo rrugë në të vërtetë simbolizon kontributin e kongresmenit ne të dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptar.

Serioziteti më të cilin kongresmeni, pas njëzet vjetësh e ktheu vemendjen amerikane tek çështja e Kosovës, të bënte të mendoje dhe të bindeshe se më çfarë miku të vërtetë kishim të bënim dhe sa me fat jemi që e kemi atë!

Falemnderit i nderuar Kongresmen Engel!

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back