Për të gjithë qytetarët të cilët nuk deklarojnë adresat e tyre në e-albania, nuk do të mundësohet marrja e shërbimeve nga gjendja civile. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Vangjush Stavro, qytetarët duhet të ngarkojnë një dokument të banesë, certifikatë pronësie ose kontratë qiraje.
“Adresa që të jetë e saktë duhet të ketë tetë elementë, bashkinë, njësië administrative. Kjo është një adresë e vlefshme, të tjerat janë deklarime të vjetra që ne kërkojmë ti plotësojnë. Duhet të ngarkojë një dokument, certifikatë pronësie, kontratë qiraje.
Në rast se nuk deklarohet adresa, ne kemi bërë propozim t’i ndalohet shërbimi. Ne nuk mund të ofrojmë shërbim nëse nuk kemi një adresë”, deklaroi Stavro.
Por cilën adresë duhet të deklarojë dikush që ka më shumë se një shtëpi? Apo një student që familjen e ka në një qytet tjetër dhe vetë jeton në Tiranë?
“Për ne është e rëndësishme të deklarohet vendbanimi kryesor dhe nëse ndryshon ta deklarojë brenda 30 ditësh. Vendbanimet e tjera mund t’i deklarojë, por kjo është me dëshirë. Në qoftë se një shtetas është në një familje dhe ata banojnë në Korçë, një ka ardhur në Tiranë me punë, këto raste duam t’i anulojmë ose t’i heqim. Nëse ka lëvizur vendbanimin, të shkëputet nga trungu familjar, dhe të deklarojë këtu vendbanimin e ri”, u shpreh më tej Stavro për Abc News.
Adresën duhet ta deklarojnë dhe ata që jetojnë jashtë vendit.
“Është ligji i 2016 të deklarojnë adresën jashtë vendit përmes aplikimit në e -albania. Duhet të ngarkojnë një dokument që vërtetojnë atë deklaratë të tyre dhe të bëjnë deklarimin jashtë, kanë opsion të zgjedhin dhe anëtarët e familjes”.
Synimi i ndryshimeve ligjore sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile është standardizimi dhe unifikimi i regjistrit të adresave.