Aktualitet

Ndërtimi i Teatrit nga qeveria, reagon Aleanca: Fitorja jonë e parë

Shkruar nga Liberale
Ndërtimi i Teatrit nga qeveria, reagon Aleanca: Fitorja jonë e

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar pas vendimit të Bashkisë së Tiranës, e cila nëpërmjet një njoftimi publik bëri të ditur se nuk ka gjetur ende një financues privat për ndërtimin e teatrit Kombëtar, kështu që do të kërkojë para nga buzheti i qeverisë shqiptare.

Në një postim në Facebook, Aleanca shkruan se se qeveria dhe Bashkia kanë dështuar me projektin kriminal për shembjen e teatrit. Sipas saj, projekti ra, për shhkak se nuk kishte lidhje me teatrin, por flitej për një qendër komerciale.

Më tej thuhet se kjo është një fitore e parë, por jo përfundimtare, e cila do të arrihet kur Teatri Kombëtar të futet në fazën e restaurimit.

Reagimi i pplotë i Aleancës

Teatri Kombëtar, pasuri publike!

Qeveria dhe Bashkia me një deklaratë të mekur pranuan dështimin për të çuar deri në fund projektin kriminal për të shembur Teatrin Kombëtar.

Ligji special ra sepse në themel të tij kishte ndërtimin e Teatrit të ri me skemën e Partneritetit Publik-Privat - ky ishte dhe qëllimi i Ligjit, dhe nuk e dimë se ç’pritet akoma që Ligji të tërhiqet.

Projekti ra, sepse nuk kishte, nuk ka dhe nuk ka për të patur ndonjëherë lidhje me një teatër, ishte thjesht një qendër komerciale, porosi e oligarkëve dhe klikës në pushtet, për të krijuar një fabul që t'i hapte rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Fitorja e parë e madhe është që prona publike i mbetet qytetarëve megjithëse është cënuar në një kohë të shkuar, dhe nuk do të tërhiqemi pa i rikthyer çdo centimetër të cënuar pronës së teatrit si pasurisë publike.

Tani çështja është publike, dhe publiku do që godina të restaurohet, dhe ashtu do të bëhet.

Ne si Aleancë kemi komunikuar dhe mbajtur marrëdhënie vetëm me ata që kanë dëshiruar që ditën e parë restaurimin e Teatrit, konservimin e vlerave, me këtë matricë kemi dalë në publik dhe për këtë njerëzit na kanë mbështetur. Asnjë veprim nuk do të ndërmerret pa një konsultim të gjerë publik për projektin restaurator që i konservon më mirë vlerat që ka Teatri.

Kujdes, kjo nuk është fitore përfundimtare!

Kauza jonë është ndërtuar mbi themelet e drejtësisë, kjo është arsyeja që njerëzit na kanë mbështetur, se përndryshe do të përfundonim si ndonjë grup estetësh, ndaj ka qenë e pastër në mesazh dhe e pakontestueshme.

Kjo kauzë në kuptimin operativ do të mbyllet kur Teatri të futet në procesin e restaurimit, por si një kauzë për drejtësi nuk mund të mbyllet, derisa çdo qytetar i Shqipërisë të mos marrë drejtësi në çdo cep të territorit.

 

Ndërkohë, kujtojmë se vendimi për ndërtimin e e TK me fonde publike u bë i ditur sot nga Bashkia e Tiranës.

"Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.

Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.

Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë", thuhej në njoftimin e Bashkisë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH