Ervis Iljazaj
Pas bllokimit që Franca i bëri Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për celjen e negociatave me Bashkimin Europian, duket sikur shpresat për këto vënde janë rindezur sërish për konferencën e ardhshme të K shillit Europian. Në fakt, Franca jo vetëm që bllokoi herën e fundit negociatat, por ka shpalosur një filozofi totalisht të ndryshme për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe funksionimit të tij, duke vënë kështu në dyshim perspektivën europiane të vëndeve të Ballkanit Perëndimor.
Edhe kësaj here flitet për një metodologji të re për zgjerimin e BE-se, që në të vërtetë ende nuk kuptohet mirë se në cfarë konsiston. Me të gjitha gjasat do të jetë një rrugë e vështirë për të gjitha vëndet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së .
Me pak fjalë ende është e paqartë nëse kjo është një metodologji e ere apo avaz i vjetër i Bashkimit Europian në raport me vëndet e Ballkanit Perëndimor. Deri më tani, sigurisht duke marrë parasysh dështimet e brendshme të këtyre vëndeve dhe mosrealizmit e të gjitha kushteve, sigurisht që edhe BE ka një minimum përgjegjësie për dështimin në raport me Ballkanin.
Me gjithë përpjekjet dhe monitorimin e vazhdueshëm që bëhet në këto vende nga BE, me sa duket nuk mjafton më për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kërkohet një rol edhe më i madh dhe më i vendosur për të tërhequr drejt BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat janë si një minë me sahat për të gjithë gjeopolitikën europiane dhe përtej saj.
Në këtë drejtim, pa diskutim roli i Europës lë shumë për të dëshiruar. Politika e jashtme e saj nuk është pika më e forte, dhe këtë gjë e kanë treguar të gjitha ngjarjet ndërkombëtare ku BE pothuajse nuk ka patur asnjë ndikim, për shkak se nuk ka një qëndrim të përbashkët dhe koheziv. Edhe në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, duket qartë se SHBA janë më prezente dhe me më shumë ndikim në gjeopolitikën rajonale se sa BE.
Mungesa e një politike të fortë në Ballkan nga ana e Bashkimit Europian, për arsyen se mungon një e tillë e përbashkët, ka bërë që shumë procese t’i kenë shpëtuar nga duart në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit.
Kështu që, përtej çdo përgjegjësie që ka secili nga vendet e Ballkanit, roli i misionit të Bashkimit Europian duhet të jetë më i qartë dhe më i vendosur, qoftë edhe me vendimmarrje arbitrare, sepse populli shqiptar dhe ai i vendeve të Ballkanit Perëndimor është tërësisht me të, kundër elitës së tyre politike, që qartësisht janë në konflikt interesi me institucionet e BE-së.
Prandaj është koha që ta themi njëherë e mirë të vërtetën se, Bashkimi Europian deri më tani ka dështuar në misionin e tij për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak se nuk ka një politikë të jashtme të qartë dhe kohezive.
U bënë tashmë shumë vite që organizohen konferenca të ndryshme që kanë në fokus vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës e integrimit europian për këtë rajon, që konsiderohet i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik në betejën midis fuqive të mëdha botërore. Por, këto konferenca deri më tani nuk kanë luajtur një rol thelbësor në përpjesëtimin e procedurave të anëtarësimit. Më shumë kanë shërbyer si një instrument i Bashkimit Europian për të mbajtur nën kontroll këto shtete, se sa një shtysë konkrete drejt integrimit europian. Kjo përpjekje ka filluar qysh herët me konferencën e Selanikut dhe te i fundit, ai i Londrës.
Që nga Konferenca e Selanikut e deri te ajo e Londrës, strategjia Europiane ka ndryshuar. Për të mbajtur gjallë raportet me këtë rajon, në fokus janë çështjet ekonomike në radhë të parë.
Duket si një strategji europiane krijimi i një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në pamundësi reale për integrimin e tij të plotë.
Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk arrijnë standardet ekonomike do të përbënte një kosto ekonomike, por edhe shoqërore për të. Duke parë dhe frymën euroskeptike që ekziston në shoqëritë europiane për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm, atëherë procesi bëhet dhe më i vështirë.
Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre.
E megjithatë, askush nuk mund të vërë në diskutim që prezenca e tij në Shqipëri dhe në rajon ka patur rol pozitiv, edhe pse jo i përmbushur tërësisht. Nëse do të mungonte prezenca e misionit të BE-së në këtë rajon gjendja politike do të ishte edhe më keq seç është./Gazea Liberale