Presidenti Ilir Meta është shprehur gjatë intervistës për "Çim Peka LIVE", se beson në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së.
I pyetur nëse i beson Gjykatës Speciale, Meta u shpreh se ngritja e saj ka qenë e padrejtë dhe e sforcuar, por ka qenë një kompromis që duhej realizuar.
"Nuk besoj se ka patur shqiptarë që ka qenë pro dhe e kemi konsideruar si të padrejtë dhe të sforcuar. Të gjithë drejtuesit e UÇK kanë shkuar në Hagë dhe unë e thashë edhe më pare se ka qenë një kompromis dhe siç e tha vetë Thaçi, ata e kanë marrë parasysh pse duhej pranuar ky kompromis. Më pas do të vendoste Këshilli i Sigurimit dhe situata do të bëhej më pak e favorshme për Kosovën. Jam I bindur në pafajësinë e tyre. Siç kam qenë për Haradinajn, për Limajn e për të tjerë", tha Meta