Artistja vlonjate Xhuljeta Ferraj i sheh me dyshim zhvillimet mbi rastin e këngëtares Parashqevi Simaku. Gjatë një interviste për “People” në Euronews Albania ajo tha se po luhet një skenar për të shfrytëzuar gjendjen në të cilën ndodhet artistja e madhe shqiptare.
“Më duket si një skenar filmi sepse nuk përputhen shumë gjera, pasi janë vite të tëra. Si ka mundësi që kolegët, familja, vëllai, të afërmit e saj dhe miqtë e kanë parë në këtë gjëndje ose shqiptarët që ajo vetë deklaron që thotë se kanë ardhur dhe e kanë takuar por nuk janë rikthyer. Në këto momente ajo ështe si e hipnotizuar dhe dikush po përfiton. Nuk e dimë kush është ky regjisor që ka bërë këto skena sepse sa shqiptarë kalojnë përditë në atë stacion dhe pikërisht u kujtuan sot mbas 10 viteve që ta gjenin dhe pikërisht tani iu dha ndihma me një unazë diamanti a ku ta di unë dhe hajde ti japim një copë bukë në një darkë që e bëjnë shumë madhështore, më duket shumë fallso”, tha artistja Xhuljeta Ferraj.
“Mendoj se të gjithë ata që janë mbrapa duke e ndihmuar është bërë një skenar më parë për të marrë sa më shumë klikime dhe për të fituar nga kjo, është si një kukull, artistja e gjorë që më dhimbset shumë, kur po e çojnë në çdo vend që secili të marrë famën dhe klikimet e veta dhe për fat të keq po përdoret. Janë shumë vite për të qenë diçka e parë rastësisht dhe duket si skenar shumë i bukur i përgatitur”, thotë Ferraj.
Sipas saj pas këtij skenari mund të qëndrojnë gazetarë dhe vetë personi që e mori Parashqevinë pasi e ka të vështirë ta besojë që kjo ndihmë është e sinqertë duke u shprehur se kjo që po ndodh është një poshtërim pasi ndihma ose bamirësia duhet të bëhet në fshehtësi dhe privatësi.
“Një gazetar e ka sjellë në Shqipëri atë video të portaleve amerikane a ku ta di unë dhe e dimë shumë mirë kush është, mbrapa këtij gazetari fshihet dikush tjetër që nuk e dimë në është burrë apo grua, ka bërë famë të madhe dhe që të bjerë një artiste e madhë në duart e një personi të tillë e gazetarëve të tjerë është skenar i përgatitur shumë bukur. Ti japësh një copë bukë një artisteje që nuk besoj se ka nevojë për një pjatë apo për një buzëkuq për mua është poshtërim. Nëse ti më do mua atë gjë që ma jep bëje në privatësi pasi është zoti që na shpërblen për të mirat që ne bëjmë dhe nëse bëj diçka të mirë e bëj në fshehtësi se zemra ma kërkon dhe nuk duhet të jetë publiku, kamera, telefoni që të na shpërblejnë për një bamirësi. I nderuar unë i njoh shumë mirë shqiptarët. Jam në emigrim ka 26 vjet po të them të drejtën, shqiptari të afrohet vetëm kur ka interes por nëse të shikon që je në rrugë aty te lë, të vë dhe këmbën dhe ta shtyp plagën që të dhëmbi akoma më shumë. Shqiptari të do vetëm kur ke karrierë, kur ke lekë, të të shfrytëzojë për bukurinë, për famën, për lekët, për çdo lloj gjëjë dhe unë nuk mendoj që këtu kemi të bëjmë me një keqardhje”, tha artistja Xhuljeta Ferraj.