Procesi gjyqësor ndaj reperit të njohur Sean “Diddy” Combs ka marrë një tjetër kthesë të fortë, pas dëshmisë tronditëse të një ish-roje sigurie, i cili rrëfeu se ishte paguar për të fshehur një video komprometuese. Ngjarja lidhet me një incident të ndodhur në vitin 2016 në hotelin “Intercontinental” në Los Angeles, ku Diddy akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj këngëtares Cassie Ventura, partnerja e tij e atëhershme.
Ish-roja e sigurisë, Eddy Garcia, tregoi në sallën e gjyqit se kishte marrë 100 mijë dollarë në para të gatshme nga vetë Diddy, në këmbim të heshtjes dhe fshirjes së videos së incidentit. Sipas tij, fillimisht ishte kontaktuar nga ndihmësja e Diddy-t, Kristina Khorram, e cila kërkoi të shihte pamjet e sigurisë, por ai kishte refuzuar për mungesë urdhri zyrtar. Më pas, Diddy e kishte telefonuar personalisht, duke e lutur që pamjet të mos dilnin në publik, pasi kjo do t’i shkatërronte karrierën.
Videoja, e cila tani është provë në gjyq, tregon momentin kur Diddy ndjek Cassie në korridoret e hotelit, e rrëzon dhe e godet me shkelma. Cassie dëshmoi gjithashtu në seancë, duke treguar për dhunën që kishte përjetuar dhe për “festat freak-off”, të cilat ajo i përshkroi si ngjarje me drogim, abuzim seksual dhe filmime të fshehta.
Ndërkohë, avokatët e Diddy-t kanë pranuar se ai është përgjegjës për dhunën që shfaqet në video, por mohojnë të gjitha akuzat e tjera më të rënda, përfshirë trafikimin e njerëzve dhe shfrytëzimin seksual. Reperi ndodhet aktualisht në paraburgim, në pritje të një vendimi që mund të vendosë përfundimisht fatin e tij ligjor dhe profesional.