Letërsi

11 presidentë në 100 vjet Republikë/ Roland Qafoku promovon librin me portretet e tyre - Botim i UET Press

Shkruar nga Liberale

11 presidentë në 100 vjet Republikë/ Roland Qafoku promovon

Përveç markës së kryeministrave, gazetari dhe publicisti Roland Qafoku merr tashmë edhe markën për presidentët. Portretet, historiku, kontekstet dhe rrugëtimi i 11 presidentëve vijnë të përmbledhur në një libër nga shtëpia botuese UET Press, në këtë 100 vjetor të Republikës së Shqipërisë.

“11 presidentët 1925-2025. 100 vjet republikë shqiptare” u promovua në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë konferencës së Akademisë së Studimeve Shqiptare për 105 vjetorin e parlamentarizmit, duke u bashkuar kështu nga i njëjti muaj, të njëjtët organizatorë, nga i njëjti përkushtim dhe devotshmëri, por nga dy ngjarje të ndryshme historike.

Më 31 janar të 1925 u themelua institucioni i Presidentit me zgjedhjen nga Asambleja të presidentit të parë Ahmet Zogu, teksa Shqipëria u shpall Republikë. Rrugëtimi nuk ishte aq jetëgjatë për shkak të ambicies së Zogut, i cili më 1 shtator 1928 e shpalli Shqipërinë Mbretëri dhe veten mbret, duke e shuar kështu Republikën.

Ardhja sistemit komunist riemërtoi Shqipërinë Republikë dhe vendi funksionoi me Presidium të Kuvendit Popullor, i cili kishte atributet e kreut të shtetit në një formë kolegjiale.

Gjatë katër dekadave njihen tre kryetarë të këtij institucioni: Omer Nishani, Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia, të cilin autori e quan diktatorin e fundit dhe demokratin e parë. Rrëzimi i sistemit dhe vendosja e pluralizmit kalon përmes gjithë proceseve të nevojshme që kanë parë të gjitha vendet ish-komuniste. Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani, Ilir Meta dhe Bajram Begaj janë presidentët e tranzicionit, ku gjithsecili ka kaluar nëpër beteja, me pengesa, kontestime, luftëra personale, por gjithmonë në të njëjtin sistem, atë të konsolidimit të demokracisë.

Qafoku tregoi se shtysë për finalizimin e këtij libri u bë botuesi Henri Çili, së bashku me Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe Institutin Europian Pashko, për të vulosur kështu në një farë forme historinë 100 vjeçare të Presidencës, e duke shërbyer si një katalizator për nxitjen e një reflektimi kritik të rrugëtimit të pesë republikave të ndryshme dhe mjaft të dallueshme nga njëra-tjetra.

Duke u ndalur personalitet e librit, Qafoku tha se imagjinon secilin prej tyre në krye të detyrës, në përballjen mes pritshmërive dhe sfidave të panjohura, të diktuara nga koha, bashkëpunëtorët, apo nga presioni i faktorëve të tjerë të brendshëm dhe të jashtëm.

“E sigurtë është që të 11-të presidentët, kur kanë hyrë në godinën e shtetit, të lumtur që u zgjodhën në atë detyrë, por e rëndësishme është nëse kanë qenë po aq të lumtur kur e lanë atë detyrë. Historia e tyre na ka treguar se sa e vështirë është të jesh president i Shqipërisë. Me apo pa kompetenca, ajo është një detyrë që vazhdon të ndjekë rregullin e Kennedy-t, që nisi si ëndrra e mamasë që ta ketë president pa qenë politikan. Në këtë pikë Shqipëria nuk ndryshon nga Amerika", theksoi autori.

11 presidentë në 100 vjet Republikë/ Roland Qafoku promovon

Pjesë nga libri: “11 presidentët 1925-2025. 100 vjet republikë shqiptare”

Presidentët më të votuar dhe më pak të votuar

Fuqia e një presidenti nis nga mbështetja që ai ka marrë kur është zgjedhur. Edhe pse në sisteme të ndryshme, vota për zgjedhjen e tyre ka treguar shumë. Kështu, presidenti që ka marrë më shumë vota si i zgjedhur në parlament rezulton Ramiz Alia. Sigurisht që atë e ka favorizuar funksionimi I një regjimi diktatorial teksa u zgjodh unanimisht si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në vitin 1982, duke marrë 250 vota në një parlament me 250 deputet. Por, Ramiz Alia është rekordmen edhe me zgjedhjet demokratike të zhvilluara më 30 prill 1991. Ai ka marrë 172 vota pro, kundrejt 2 votave të kandidatit Namik Dokle në një parlament me 250 deputetë.

Presidenti i dytë më i votuar është Haxhi Lleshi që si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor mori 126 vota pro, asnjë kundër, në një parlament me 126 deputetë. I treti president më i votuar është Sali Berisha kur u zgjodh herën e dytë si president më 3 mars 1997 teksa mori 113 vota pro, 1 kundër, 4 abstenime në një parlament me 140 deputetë. Ndërkohë kur u zgjodh në vitin 1992 Berisha kishte marrë 96 vota pro, 35 kundër dhe 1 votë e pavlefshme në një parlament me 153 deputetë. I katërti dhe i pesti vijnë Ahmet Zogu dhe Omer Nishani që rezultojnë me vota të barabarta dhe unanime. Secili mori 101 vota në një parlament me 101 deputetë. I gjashti president më i votuar rezulton Rexhep Meidani. Kur u zgjodh në vitin 1997 ai mori 110 vota pro, 3 kundër, 7 të pavlefshme, 2 abstenime në një parlament me 160 deputetë; I shtati për numrin e votave, edhe pse u zgjodh me konsensus është Alfred Moisiu.

Në vitin 2002 kur u zgjodh, ai mori 97 vota pro, 20 vota kundër, 13 abstenime, 4 fletë të pavlefshme në një parlament me 140 deputetë. Pas tij vend të tetë vjen Ilir Meta që u zgjodh duke marrë 87 vota pro, 2 kundër, në një parlament me 140 deputetë. Në vend të nëntë është Bamir Topi mori 85 vota kundrejt Neritan Cekës që mori 5 vota, në një parlament me 140 deputetë. Në vend të dhjetë është presidenti aktual Bajram Begaj. Kur ai u zgjodh në vitin 2022 mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstením, ndërsa 57 deputetë mungonin në sallë në një parlament me 140 deputetë. Në vendin e njëmbëdhjetë dhe presidenti më pak i votuar rezulton Bujar Nishani mori 73 vota në një parlament me 140 deputetë.

Katër presidentë në pranga, një i dënuar me vdekje

Sa herë që shkruhet për pasojat që kanë pasur politikanët shqiptarë, historia është e shoqëruar me një thënie lapidare të klerikut Dom Simon Jubani, i cili në fillim të viteve '90-të tha se të merresh me politikë në Shqipëri, do të thotë të jesh me një këmbë në varr dhe një në qeli. Sigurisht që presidentët nuk janë përjashtim. Madje, ata janë vetë rregulli.

Katër nga 11 presidentët e Republikës Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë arrestuar pasi kanë lënë detyrën e kreut të shtetit. Haxhi Lleshi është i pari dhe i vetmi kryetar shteti i dënuar me vdekje për shkak të ushtrimit të detyrës si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ky vendim u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë pas akuzës gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Më pas Gjykata e Apelit e dënoi me 5 vjet liri me kusht. Presidenti Ramiz Alia u arrestua dy herë dhe në fund mori dënimin me disa vite burg.

I treti është Sali Berisha, që me akuzën e përfitimit pas një vendimi të qeverisë kur ai ishte kryeministër qëndroi i izoluar 331 ditë në arrest shtëpie nga dhjetori 2023 deri në nëntor 2024. I katërti është Ilir Meta, i cili u arrestua më 2 tetor 2024 pas një urdhri të SPAK dhe ende qëndron në një qeli në burgun 313 të Tiranës me tre akuza për përfitime gjatë kohës që ka mbajtur detyra të larta shtetërore.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH