Globi

"Largohuni nga Ukraina", Irani paralajmëron shtetasit e tij

Shkruar nga Liberale
"Largohuni nga Ukraina", Irani paralajmëron shtetasit e tij

Ministria e Jashtme e Iranit ka këshilluar qytetarët e saj që të përmbahen nga udhëtimet në Ukrainë “për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak dhe rritjes së pasigurisë në Ukrainë”.

Ministria ka thënë përmes një deklarate më 21 tetor se iranianët në Ukrainë këshillohen të largohen nga ky shtet “për sigurinë e jetës së tyre”.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt, të dyja palët kanë luftuar në disa rajone të shtetit, sidomos në lindje dhe jug.

Në javët e fundit, Rusia ka nisur një mori sulmesh me raketa dhe dronë kamikazë në qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kievin.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më 20 tetor se Irani i ka ndihmuar Rusisë rreth operimit me dronë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se iranianët janë në Krime, duke iu ndihmuar rusëve që të shënjestrojnë Ukrainën me dronët iranianë.

Në deklaratën e ministrisë iraniane nuk është përmendur kjo çështje.Megjithatë, në një tjetër deklaratë të 21 tetorit, pas bisedës telefonike mes ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Teherani ka ripërsëritur se “hedh poshtë pretendimet që i ka dhënë Rusisë dronë për luftën në Ukrainë”.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Një sondazh i Gallupit, i kryer në fillim të muajit shtator, dhe i publikuar më 18 tetor, ka treguar se 70 për qind e ukrainasve dëshirojnë luftë deri në fitore, derisa 91 për qind e konsiderojnë fitore në luftë edhe rikthimin e gjithë territorit të pushtuar nga Rusisë, përfshirë Krimenë.

Vetëm 26 për qind e respodentëve kanë thënë se Ukraina duhet të negociojë fundin e luftës sa më shpejt që është e mundur.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH