Pak ditë para vendimit të Këshillit Europian, kryeministri duket pesimist për çeljen e negociatave. Qëndrimet kundër të Francës dhe Holandës, si politika të zgjerimit dhe ristrukturimi të BE-së ,të cilat sipas kreut të qeverisë nuk kanë lidhje me plotësimin apo jo të kushteve nga Shqipëria. Por megjithëse detyrat sipas tij janë kryer dhe certifikuar nga KE, Rama ka quajtur përgjegjëse opozitën jashtëparlamentare për minim të procesit të integrimit.
Entuziazmi i pak ditëve më parë, kur falënderonte kancelaren Merkel për “Po”-në gjermane ishte shndërruar në nota pesimiste ditën e djeshme në fjalimin e kryeministrit nga foltorja e Kuvendit. Ndërsa dita e përgjigjes përfundimtare nga Këshilli Europian për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë, Rama duket se po i bën gati qytetarët për gjasat e një “Jo”-je, duke folur pa kursim rreth politikave të brendshme të shteteve anëtare kundër zgjerimit, si çështje që ka fare pak të bëjë me nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe se i veshin Shqipërisë zhgunin e deles së zezë, sa herë u volit për ta parë me skepticizëm zgjerimin e familjes së madhe europiane.
Sipas kreut të qeverisë, edhe shtetet anëtare të BE-së, sot nuk do të arrinin çeljen e negociatave me rigorozitetin e kërkesave dhe kushteve që janë vendosur.
Rama nuk e kurseu zhgënjimin e grumbulluar që prej vitit të shkuar, kur vendet anëtare votuan kundër hapjes së bisedimeve për anëtarësim.
“Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto tre kushte. Ti shkon me tre kushte të plotësuara dhe të thonë: “Na fal se kemi edhe 9 të tjera!” Çfarë do të thotë kjo?! Kjo do të thotë se ata, me të cilët ti do të bësh krushqi, nuk janë gati ta bëjnë krushqinë. Mos u bëni qesharakë. Nuk janë gati ata”, do të shprehej kryeministri, i cili vetëm dy ditë më parë do të thoshte se vizionin e presidentit francez ndaj zgjerimit të BE-së, zor se mund ta ndryshonte krijimi i Gjykatës Kushtetuese apo miratimi i Reformës Zgjedhore.
Ndërsa citonte fjalët e Sami Frashërit, i cili në vizionin e tij e pat parë Shqipërinë në Europë qysh në fund të shekullit 19, Rama do të ulte me këmbë në tokë pritshmërinë e kujt në shekullin 21 e shihte si mundësi të shpejtë. Por kjo, jo sepse Shqipëria nuk është gati. Sipas kryeministrit, vendi është më gati sesa mund të kishin qenë tani vendet anëtare, nëse do të kishin pasur statusin e kandidatit.
“Sot, Shqipëria kërkon çeljen e negociatave dhe cila është pikëpyetja? Pikëpyetja “sa” dhe “si”, Franca do ta adresojë këtë kërkesë të Shqipërisë, është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë. Shqipëria sot, në raport me momentin kur mori statusin e kandidatit është ku e ku në raport me kriteret dhe në raport me kërkesat e vendosura”.
Në një panoramë të ecurisë së vendeve të rajonit me procesin e anëtarësimit, Rama do të shprehej ndryshe nga pranvera e këtij viti, ku pas takimit të Berlinit do ta shihte të mundshme çeljen e negociatave këtë vit. Sipas Ramës, Maqedonia e Veriut, e cila nga shumica e vendeve të BE-së është parë më pozitivisht për çeljen e negociatave pas përmbushjes së kushtit kryesor rreth çështjes së emrit, do të duhej t’i ishin çelur vite më parë, ndërsa Malit të Zi ende nuk i është hapur kapitulli i parë dhe Serbia pas “po”-së ka marrë 36 muaj kohë.
Duke parashikuar “Jo”-në e mundshme të 18 tetorit, por edhe i pakënaqur me nëntë kushtet e vendosura nga parlamenti gjerman, që sipas tij votoi pro çeljes së negociatave për shkak se kancelarja Merkel vuri veton që dy kandidatët të mos ndaheshin, Rama do i kthehej edhe njëherë tezave të muajve më parë kur me presidentin Thaçi bënin deklarata rreth heqjes së kufijve mes dy vendeve.
Ashtu si Thaçi doli i zhgënjyer nga Takimi i Berlinit, ku Kosovës nuk iu premtua liberalizim vizash, Rama do ta cilësonte si padrejtësi.
“Si e shpjegoni që BE-ja i thotë Kosovës që të liberalizoj vizat me ty, ti duhet të bësh delimitimin e kufirit me Malin e Zi dhe ndërkohë hap kapituj negociatash me Serbinë që nuk e njeh fare Kosovën dhe jo më të ketë bërë delimitimin e kufirit?”, do të thoshte dje në Parlament kryeministri, ndërsa shtonte “BE-ja u ka dhënë të drejtën që të hyjnë në Bashkimin Europian pa vizë, që nga vitit 2014, mbi 100 milionë njerëzve. E dini nga? Nga vende ku e ku më larg zemrës së Europës sesa Kosova. Çfarë është kjo, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë?! Kush i ha këto! I hani ju? Në qoftë se nuk i hani, atëherë mos ia jepni shqiptarëve t’i hanë se këto janë broçkulla.” Sipas Ramës, Shqipëria është më gati edhe se vendet e tjerë fqinje si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Serbia, të cilat do të duhet të përballen me pastrimin e sistemit të drejtësisë, proces që ende nuk e kanë nisur, ndërsa fqinjët tanë kandidatë u përfshinë pak muaj më parë në skandalin “Zhvatja” me kryeprokuroren speciale të akuzuar për korrupsion e tashmë të burgosur.
“Nëntë kushte nuk janë 9, janë 999 dhe këtë bëni mirë ta mësoni edhe ju që nuk e dini dhe bëni mirë t’ua thoni të gjithë shqiptarëve. Sepse në procesin e integrimit duam dhe duhet të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu”
Sipas kryeministrit, edhe nëntë kushtet gjermane, i janë vënë Shqipërisë kandidate, për politikën e brendshme të Gjermanisë.
“Pse edhe në grupin më të madh parlamentar në Gjermani bëhet një debat deri në momentin e fundit, sikur çfarë po i japin Shqipërisë, ka vota “pro” dhe vota “kundër”, me gjithë kushtet? Për politikë të brendshme”, do të thoshte Rama, ndërsa konservatorët e CDU/CSU nuk e kanë fshehur skepticizmin dhe qëndrimin se Shqipëria nuk ishte ende gati për çeljen e negociatave. Por ishin ata deputetë skeptikë, që udhëhoqën procesin drejt “po”-së së Gjermanisë për çeljen e negociatave, për shkak të vetos së kancelares Merkel.
“Ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë, të cilat si u thanë, si s’u thanë, do të bëhen patjetër”, ka premtuar kryeministri, i cili ka folur se pas pastrimit të sistemit të drejtësisë, edhe ata që nuk e kanë kaluar vetingun do të japin llogari, përtej largimit nga detyra.
Një nga kushtet gjermane kërkon pikërisht ndjekje penale për ata zyrtarë të sistemit të drejtësisë që nuk kanë mundur të justifikojnë pasurinë në veting.
“Arrestojeni thonë. Mësojeni që nuk arreston Kryeministri dhe nuk arreston qeveria, por arreston drejtësia. Procesi i një drejtësie që të arreston është ky që po bëjmë”, do të thoshte duke e cilësuar sukses procesin e pastrimit, duke e lënë vendin pa gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese. Megjithëse e ka theksuar qëndrimin e Francës, e cila mund të dalë në përgjigje krejt ndryshe nga ajo e Gjermanisë, Rama sërish ka bërë thirrje opozitës jashtëparlamentare për plotësimin e dy kushteve të para.
“Në qoftë se jeni patriotë dhe në qoftë se vërtetë e keni të ndarë Europën nga qeveria socialiste, duhet urgjent bashkërisht të bëjmë reformën si fazë të parë. Jo të mbyllim komisionin e reformës, por të ulemi dhe t’i marrim një e nga një rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ato s’kanë nevojë as të diskutojmë ne, as të merremi vesh ne, as të dëgjoj se çfarë mendon ti dhe as të dëgjosh çfarë mendoj unë. Ato janë e zeza mbi të bardhë, merren dhe futen në ligj dhe me atë letër i thuhet Gjermanisë mike, që është avokate e çeljes së negociatave sot, ne i kemi plotësuar të gjitha”, i është drejtuar kryeministri dy opozitave, asaj brenda parlamentit që ngulmon në ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe asaj jashtë, që është zotuar për të bërë gjithçka ka në dorë që vendit t’i çelen negociatat.
Ashtu si edhe në deklaratat e mëparshme, kur ka refuzuar propozimin e PD-së për krijimin e një strukture ndërkombëtare për Reformën Zgjedhore dhe ndërsa nuk do ta shihte të keqen nga sistemi zgjedhor, kryeministri ua ka bërë të qartë se nuk do të plotësojë pesë pikat e opozits jashtëparlamentare, e cila kërkon largimin e opozitës së re nga komisioni i Posaçëm për Reformën dhe largimin e kryetarit Damian Gjiknuri.
Rama i ka kthyer sërish përgjigje kreut të opozitës, Basha dhe deklaratës së tij për të hapur krahun nëse nuk e zbaton planin antikrizë propozuar nga PD dhe aleatët e saj.
“Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë të drejtën që të më çosh mua planin?! Kush je, kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë, bashkë me veten”, do të deklaronte dje Rama, por pa harruar të përsëritë ftesën për dialog rreth Reformës Zgjedhore.
Por, megjithëse e sheh urgjente, edhe për fatet europiane të vendit, Reformën Zgjedhore, Rama nuk e ka përjashtuar opsionin se deri më 18 tetor, mund të dalin kushte të tjera nga vendet anëtare. Në konferencën për shtyp me kancelaren Merkel, kryeministri holandez Rutte ka zbuluar se në javët e ardhshme do të diskutohet në parlament rreth çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa pak muaj më parë shihte këtë të fundit më gati për një “po”.
“Nuk mund të rrimë të presim të biem të gjithë dakord për të gjitha, por në këtë pikë të biem dakord për Europën, që ju e doni shumë dhe e keni në majë të gjuhës sa herë flisni dhe e përdorni shpesh si shkop për të gjuajtur në krahun tjetër”, ka thënë Rama, i cili nuk e sheh si dhuratë të gjermanëve, por si dhënie e meritës. Por megjithëse flet për politikat e brendshme të vendeve të BE-së, që e rrotullojnë gjuhën sipas interesit dhe e bëjnë Shqipërinë dordolec për interesa politike, Rama ka bërë përgjegjëse opozitën jashtëparlamentare e cila sipas tij, pas djegies së mandateve, kanë ndikuar negativisht në procesin e integrimit Europian dhe imazhin e vendit.
“Çfarë ngarkese dhe çfarë pengesash i krijoi ai operacion Shqipërisë dhe çfarë ushqimi u dha përditë atyre që jo nuk duan Shqipërinë, por nuk duan zgjerimin, jo nuk duan Shqipërinë, por nuk duan hapjen e Europës! E që iu erdhi nga qielli. Me fotografi, me filma, me deklarata, me sherre dhe filluan të na nxjerrin në pazarin e gjësë së gjallë. E shihni, me këta do merreni?!”
Në një intervistë televizive me gazetarin Sokol Balla, dje në mbrëmje kryeministri Rama foli për një grup të strukturuar, që sipas tij ka bërë gjithçka për të penguar integrimin.
“Përdorën dhe keqpërdorën miqtë e tyre në Bundestag. Por e kemi kapërcyer këtë situatë”, do të thoshte Rama.
Kreu i PD-së, në një dalje për mediat tha se e kishte parashikuar prej dy muajsh fjalimin e kryeministrit në parlament, ndërsa sipas tij dështimi me negociatat mban vulën e Ramës.
“Premtoi se do hapë negociatat, por dështoi, siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Ky është dështimi më i fundit në kaosin, ku e ka futur vendin”, është shprehur Basha, duke iu kundërpërgjigjur Ramës rreth Reformës Zgjedhore me kushtet gjermane se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Plani është mbi tavolinë dhe ta zbatojë, për hir të qytetarëve shqiptarë ose të hapë krahun. Kjo është një betejë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Tani është momenti të marrim përgjegjësitë”, ka thënë Basha, duke shtuar se ky është shansi i fundit i PS, që të kontribuojë për zgjidhjen e krizës politike.
Ndërsa kryeministri përdor progres raportin dhe rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave pa kushte të Komisionit Europian si treguesi se vendi i ka kryer detyrat, drejtuesit e institucioneve të BE -së si Tusk, Juncker, Von der Leyen, Sassoli i kanë dërguar letër vendeve anëtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe BE-në. “Nuk është dështimi im që Emmanuel Macron sheh një Europë tjetër dhe do të rishikojë metodologjinë e zgjerimit”, do të thoshte Rama dje në mbrëmje në emisionin “Real Story”. Vitin e kaluar, ka pranuar Rama, në mënyrë jo zyrtare, vendeve kandidate u është thënë se për shkak të zgjedhjeve të parlamentit europian. Duke i ikur problematikave vendase, që reflektohen edhe në kushtet e detajuara të parlamentit gjerman për “po”-në e negociatave, Rama e gjen argumentimin e një refuzimi të radhës në tablonë e madhe të politikës Europiane.
“Nuk është e vërtetë që Europa nuk na do. Nuk ka një Europë, është një Bashkim Europian dhe një tërësi shtetesh që kanë interesa legjitime. Franca ka themeluar BE-në dhe është legjitime të kërkojë një BE krejt ndryshe dhe nuk është momenti të mendojë se ç’do të bëjë me ne”, thotë kryeministri, duke e mbështetur mendimin e tij tek bllokimi i negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë “Dhe po përpunon një qëndrim tjetër, nuk e imë sesi do të materializohet. Ky hyn kjo me votimet në Dibër?!”, shtonte kryeministri, ndërsa një nga nëntë kushtet që i duhet të plotësojë për të vijuar në procesin e hapjes së bisedimeve, janë edhe procedimet penale për autorët e shitblerjeve të votave.
Edhe përgjimet e publikuara në gazetën gjermane “Bild” sipas kryeministrit kanë shërbyer për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë në vendet e BE-së dhe për të rritur skepticizmin edhe tek ata që janë pro zgjerimit.
“Mjaft më, 30 vjet duke minuar për të sotmen, rrugën e përbashkët të së ardhmes dhe duke gënjyer e gënjyer gjithë kohës. Shpif, shpif se diçka do të mbetet. Duke u gëzuar nga çdo lajm i keq për Shqipërinë dhe duke u bërë distributor të lajmeve të këqija për Shqipërinë, duke prodhuar skena, për t’i shpërndarë në të gjithë botën, të Shqipërisë ku po digjen institucionet”, do të thoshte Rama dje, i cili në fjalimin e tij e pa zhgënjimin kudo, nga interesat politike të BE-së deri tek minimi i integrimit nga aktet e opozitës jashtëparlamentare, veç qeverisjes së tij gjashtëvjeçare./Gazeta Liberale