Piketat e gazetës së re
Gazetat e regjimit, ato që na kishin shoqëruar në jetën tonë dhe vazhdonin të botoheshin, i kishim gjetur të krijuara. Nuk mbaja mend të ishte krijuar ndonjë gazetë e re qëkurse kisha filluar unë të lexoja. Bota e shtypit kishte lindur e mbetur përgjithmonë e njëjta. Përballë kësaj magme të vjetër e të ngrirë, ideja e krijimit të një gazete të re, dukej sa emocionuese e tërheqëse, aq edhe hënore, fantastike, e rrëshqitshme, e pasigurt.
Do të bëni gazetë? Gazetë të re?
Mjaft prej atyre që pyesnin kështu nuk e përfytyronin dot si mund të ndodhte kjo. Tradita jonë parakomuniste ishte plot me përvoja themelimi gazetash e fletushkash, por ajo ishte një kohë e largët.Komunizmi e kishte fshirë lirinë e shprehjes.Gazetat financoheshin e kontrolloheshin nga regjimi. Gazeta që isha ngarkuar të themeloja do të ishte e para që do të prishte këtë rregull.
Bërthama e gazetarëve stabël do të ishin gazetarët e gazetës “Studenti”, kryesisht nga Filologjiku, por edhe nga ndonjë fakultet tjetër, që kishin marrë pjesë në Lëvizjen e dhjetorit, “Blendi Fevziu me shokë”, siç thosha atëherë, duke qenë se Blendi ishte më i njohuri ndër ta. Shkruanin bukur, ishin të kulturuar, me aspirata dhe ambicie. Blendi ishte një djalë i hijshëm shtatmesatar, vishej me shije dhe kishte sjellje të fisme që e hijeshonin më tej pamjen e tij. Tekstet e tij plot finesë dhe gjallëri ishin një ilustrim tipik i shprehjes së njohur të Bualosë “stili është njeriu”. E thirra një ditë për t’i parashtruar në vija të përgjithshme projektin e gazetës, rolin e tij dhe të studentëve në këtë projekt. E dinte se unë isha ngarkuar nga Komisioni Nismëtar të nxirrja gazetën e Partisë. Edhe pse kishte një si alergji brezi për gjithçka që kishte brenda fjalën parti, pranoi pa asnjë ngurim të bëhej pjesë e stafit dhe të krijonte me kërkesën time një bërthamë studentore që do të punonin si reporterë në gazetë. Emrat ishin pak a shumë ata që unë kisha në mendje, por Fevziu i njihte më mirë, e dinte më mirë se kush ishte shpirtërisht me partinë e re dhe kush kishte qenë me pluralizmin, por nuk kishte ndërmend të bëhej me PD-në.
Brenda pak ditësh krijova një listë me tridhjetë-dyzet persona që mund të shkruanin në gazetën e re, gazetarë, shkrimtarë, intelektualë që kishin rënë në sy si njerëz kurajozë e mendjehapur. Kisha ndërmend t’i thërrisja të gjithë në një takim në kinoklubin e qytetit “Studenti”, t’u bëja me dije projektin e gazetës, të merrja mendime dhe sugjerime prej tyre, të ndjenim fuqinë e bashkimit rreth asaj që po krijonim, të nxirrnim Këshillin Botues me procedurën që ishte ndjekur për zgjedhjen e Komisionit Nismëtar. Përveçse një vitrinë, përveçse një forum të urtësh e të diturish, Këshilli do të votonte edhe kandidatin për kryeredaktor, që do të propozohej nga unë në emër të Komisionit Nismëtar. Duke i dhënë këtë kompetencë një bordi intelektualësh unë doja të krijoja një marrëdhënie tjetër të Partisë me shtypin, të ndryshme nga ajo e Partisë së Punës me shtypin e saj; doja të nxisja dhe mbroja lirinë e kryeredaktorit dhe gazetarëve, të cilët do të respektonin pa dyshim linjën politike të PD-së, por nuk do të ishin në presionin e partishmërisë së tipit të vjetër që shkatërronte profesionalizmin; doja të krijoja perceptimin dhe sendërtimin e një gazete të hapur, që vërtetë po lindte si botim i Partisë Demokratike, por në rrethanën e dhënë ishte thirrur në kauzë të përmbushte edhe funksionet e gazetës së parë të lirë në Shqipëri. Më fjalë të tjera, me shumë se një gazetë e parë antikomuniste, apo njëherësh me të qënët antikomuniste, gazeta që po krijonim duhej të ishte e lirë, demokratike. Liria ishte substancë e antikomunizmit.
E gjithë kjo nuk ishte e lehtë si ta shkruaje në letër. Vendosja e pluripartitizmit, themelimi i PD-së, hapja ndaj perëndimit, futja e elementëve të para të ekonomisë së tregut të lirë, paralajmërimi i lindjes së shtypit të ri, e tjerë, kishin sjellë e po sillnin ndryshime të thella në shtypin ekzistues. Gazetat “Drita” dhe “Zëri i rinisë” ishin bërë më të hapura, madje në shumë aspekte edhe të lira. Gazetat kryesore politike të vendit, “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi”, sidomos kjo e fundit, po thithnin gjithashtu frymën e re të lirisë dhe po thyenin tabu. Kritikët e regjimit të vjetër, publicistët dhe intelektualët që po “reflektonin” e kishin me të lehtë se më parë të botonin në të përditshmet ekzistuese. Vetë regjimi po përzgjidhte si normë të vetëmbrojtjes përshtatjen me kohën, duke shmangur fanatizmin e vjetër. Në këto kushte, ne kishim edhe një sfidë tjetër për të përmbushur: të merrnim në gazetën e re “RD” penat me të mira. Të mos ia linim kundërshtarit. Kjo ishte një betejë morale dhe kulturore që duhej ta fitonim. Do të ishte ironike që gazetat e vjetra të regjimit të merrnin në kuadrin e përshtatjes me kohën atributet e tribunave të elitës. Një shembull emblematik i gjuetisë së penave më të mira nga ana jonë do të ishte rasti i shkrimtarit dhe gazetarit kritik, Teodor Keko. “Duhet ta marrim patjetër Dorin”, u kisha thënë në intimitet miqve të mi. Dhe kisha shtuar me të qeshur, në stilin autosarkastik të vetë Dorit, pa e menduar se do t’i shkonte fjala: “Jo se na bën ndonjë dobi këndej, por na bën shumë dëm po e lamë andej”. Dorit, mikut tim të shtrenjtë, që tani konkuron me nënën time për numrin e poezive dhe elegjive që i kam dedikuar pasi ndërroj jetë në lule të moshës në vitin 2004, i kishte pëlqyer shumë kjo menyrë të thëni. E tregonte kudo, duke komentuar nga vetja, sidomos kur mbante në dorë ndonjë gotë të mbushur me birrë, se unë isha treguar maskara i madh. “Domethënë si aleat nuk vlej për asgjë”, thoshte, “por si kundërshtar ta nxij jetën! Po a mund të jetë Dori jetënxirës? Në asnjë mënyrë! Por edhe mund të jetë ore, se njerëz jemi. Njeriu e ka më të lehtë të bëjë keq se mirë”.
Me Berishën dhe Azem Hajdarin kishim folur edhe për kryeredaktorin. Unë e kisha një emër: Mitro Çelën. Ky ishte zgjedhur anëtar i Komisionit Nismëtar, kishte përvojë si gazetar, kishte punuar për disa vite në sektorin ekonomik të gazetës “Zëri i popullit”, prej nga ishte shkarkuar “si kritizer” për të përjetuar paskëtaj kalvarin e zakonshëm të kritikëve brenda sistemit. Berisha e mirëpriti pa asnjë rezervë kandidaturën e Mitros.
E fjetëm mendjen, por një rrethanë e padëshirueshme na privoi për momentin nga shërbimet e Mitros. Ky kishte ndjerë disa shqetësime shëndetësore. Mjekët që e kishin vizituar i kishin thënë se vuante nga një sëmundje shumë e rrallë, e patrajtuar ndonjëherë në vend, prandaj duhej të bënte çmos të shkonte për një ekzaminim jashtë shtetit. Kur shkova dhe e takova në shtëpinë e tij pashë se sëmundja misterioze e kishte trembur, i kishte hyrë frika se mund të vdiste, por këtë e thoshte me te qeshur, duke mbajtur pamjen e pandryshuar të një burri që rrezaton mirësi, intimitet dhe humor. Kishte shpresë të shkonte për kurim në Itali me ndihmën e disa miqve. Mendova se po hyja në gjynah duke e përfshirë në muhabetet e punës. Por nuk mund të rrija pa sqaruar me të situatën e drejtimit të gazetës. Ramë dakord se duhej të gjenim një kryeredaktor tjetër. Një kandidat i përshtatshëm ishte Frrok Çupi. Mitro ishte dakord. Më tha se kishte menduar të njëjtin emër kur ishte përballur me sëmundjen e tij. Katërshja e figurave kryesore të partisë nuk bënë asnjë objeksion për Frrokun. Frroku vinte gjithashtu nga fronti i gazetarëve të dënuar të gazetës “Zëri i popullit”. Por dënimi i tij kishte qenë shumë më i ashpër se i Mitros. Një korrespondencë e tij pa pretendime, me nota fejtoni, për peshkun që zihej në Ulzë, magazinohej në Lezhë dhe prej atje kthehej për t’u shitur përsëri në Ulzë ishte bërë shkak që mbi të të shpërthente furia e kupolës më të lartë të Partisë së Punës. U tha atëherë se vetë Enver Hoxha, edhe pse në zgrip të jetës, ishte tërbuar me këtë parodi të organizimit të punëve në Shqipërinë e tij. Kishte urdhëruar verifikimin e shkrimit, duke shtuar: “Po të dale, siç thotë gazetari, të ndëshkohen përgjegjësit. Po të dalë se shkrimi është trillim, të ndëshkohet gazetari”. Do të ndëshkohej gazetari. Midis pranimit të një budallallëku që demaskonte degradimin e sistemit dhe fajësimit të padrejtë të gazetarit, verifikuesit zgjodhën të dytën. Frroku përfundoi një punëtor i thjeshtë i sektorit të gjeologjisë në malet e Mirditës, një i internuar pa vendim, pasi shtëpinë dhe familjen i kishte në Tiranë. Pas disa vitesh, falë ndërhyrjes së ndihmësit të ri të Ramiz Alisë, Guro Zeneli, një burrë zemërgjerë dhe i drejtë, që e kishte provuar vetë shijen e hidhur të ostrakizmit politik, Frroku u hoq nga malet e Mirditës dhe u sistemua me punë në ndërmarrjen artistike “Migjeni” në Tiranë. Gjysma e së keqes. Sëpaku kishte mundësi të mblidhej çdo natë në familjen e tij dhe të përpiqej më shumë për t’u rehabilituar si gazetar. Lëvizja e dhjetorit 1990 do ta gjente specialist në Institutin e Folklorit. Emërimi në këtë institut kishte qenë përmbyllja me happy end e kalvarit të tij disavjeçar. Por unë e dija se nuk ishte i lumtur, ëndrra e tij ishte kthimi në profesionin e gazetarit.
Peripeci të krijimit të gazetës
Mbledhja e parë e Këshillit Botues të gazetës “RD” u zhvillua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishin Kujtim Çashku, Petraq Kolevica, Mitro Çela, Natasha Lako, Teodor Keko, Edi Hila, Ajet Haxhia, Ilirian Zhupa. Atje paraqita kandidaturën e Frrok Çupit në detyrën e kryeredaktorit, që u miratua nga të gjithë dhe bëra prezantimin e studentëve që do të punonin si gazetarë të brendshëm të gazetës. Në të njëjtën sallë do të zhvillonim edhe mbledhjen e parë të redaksisë ku parashtruar edhe peripecitë që duhej të përballonim. Në atë kohë shtypshkronjat ishin të gjitha shtetërore dhe redaksitë e gazetave financoheshin nga buxheti i shtetit. Nuk ekzistonte koncepti i kontratës. Si do të dilte në këto kushte një gazetë e re që nuk ishte në sistem, nuk ishte shtetërore, nuk ishte parashikuar në buxhetin e shtetit si gazetat dhe revistat e tjera.
Shtypshkronjat e kombinatit Poligrafik ku shtypeshin librat e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe shumica e gazetave të kohës, si “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Puna”, “Mësuesi”, “Luftëtari” vareshin nga Ministria e Kulturës. Bashkë me Frrokun I shkuam në zyrë Ministrit Alfred Uçi. Na priti në zyrë me mirësjellje dhe njerëzi. Rreth të gjashtëdhjetave, i gjatë, i mbajtur, me një fytyrë të gdhendur prej fisniku dhe intelektuali, ai nuk kishte asgjë të përbashkët në paraqitje me tipologjinë e zyrtarit të ngurtë të regjimit. Ishte entuziast për opozitën dhe i dëshironte një të ardhme të mirë asaj. Çfarë problemi kishim? Shtypjen e gazetës se re? Do të rregullohet edhe kjo punë. Tani jemi në pluralizëm. Posaqë shtypet “Zëri i popullit”, do të shtypet edhe gazeta e Partisë Demokratike. Nuk mund të ketë diferencime. Më vjen mirë që i keni dalë ju për zot. Besoj se do të jetë një gazetë e mirë, e drejtë, e ndershme, kombëtare më shumë se partiake në atë kuptimin e ngushtë të fjalës. Si thatë do ta ketë emrin? Ah, e paska pagëzuar Rexhep Qosja! Shumë mirë, shumë mirë!
Më nismën e Alfred Uçit qeveria nxorri një urdhër që udhëronte shtypjen në shtypshkrinjat e shtetit të gazetave të partive dhe sindikatave të reja. Por në rrugën e saj drejt numrit të parë, gazeta “RD” do të kalonte nëpër një mori pengesash e vështirësish të vogla, nga ato që të hanë shpirtin, të presin krahët e të helmojnë gjakun. “Nuk kemi letër” “Nuk kemi flane”. “Nuk e përballojmë dot me të njëjtët punëtorë! Nuk e përballojmë me rrotativët që kemi, duhet të heqim ndonjë gazetë ekzistuese pa t’i hapim vend të resë”.
Shtypshkronja s’kishte linotyp për të radhitur një gazetë që po futej si pykë. S’mund të prishnin radhën për ne. S’mund të detyroheshin linotypistët të punonin jashtë orarit. Me nerva të dobësuara nga këto yçkla, që nuk ishin krejt pa baza, m’u desh të kthehesha edhe njëherë në zyrën e ministrit Alfred Uçi. Kësaj radhe nuk e gjeta në formë si herën e parë, por u mbush me hidhësi kur e vura në dijeni për pengesat e reja. Foli me dikë në telefon, të cilit i tha me ton se kishte një urdhër të firmosur nga kryeministri dhe ministrit i Kulturës për shtypjen e gazetave të reja të opozitës dhe sindikatave. “Çojeni gazetën, më njoftoni kur ta çoni”, më tha në inercinë e zemërimit me personin më të cilin kishte folur.
Përgatitja e numrit të parë
Meqenëse vonesat na kishin përplasur me festat e Vitit të Ri, vendosëm që numrin e parë ta çonim në shtyp më 4 janar 1991. Tashmë kishim edhe një zyrë redaksie në godinën modeste që i ishte dhënë Partisë në rrugën “Fortuzi”. Atje, në shkallët e ngushta dhe zyrat e vogla të asaj godine kryqëzoheshin, hynin, dilnin, bisedonin, diskutonin, debatonin, replikonin, grindeshin e pajtoheshin nga mëngjesi në mbrëmje vonë lloj-lloj njerëzish, themelues të Partisë së re, anëtarë të komisionit nismëtar, nismëtarë të krijimit të degëve në rrethe, gazetarë shqiptarë dhe të huaj, të afërm të të burgosurve politikë që nuk ishin liruar akoma nga burgu, ish të burgosur e të persekutuar politikë të liruar më parë, studentë, të papunë, shkrimtarë dhe artistë të goditur nga regjimi apo me cene në biografi, ish-pronarë të vjetër nga Tirana dhe nga rrethet që vinin për të pyetur çdo të bëhej me pronat e tyre të sekuestruara nga regjimi, dokumentat e të cilave i kishin ruajtur me kujdes në sepete, në hatllat e shtëpive, a kush e di ku. Nuk besoj se kishte në Tiranë një ndërtesë me dendësi më të madhe vizitorësh se sa ajo godinë e vogël ku ishin rrasur Partia dhe redaksia. Ishte e pamundur të punoje, të shkruaje, ose të redaktoje atje, mes zhurmave, hyrje-daljeve dhe tymit të dendur të duhanit që endej si re shkallëve, korridorit dhe zyrave të vogla. Ajo ishte një pikë e madhe kontakti me Shqipërinë tjetër, me Shqipërinë e panjohur më parë, me Shqipërinë që kishte pritur lindjen e një alternative të re politike.
Koha shtërngoi për ne në ditët e para të vitit të ri. Gazetarë, anëtarë të këshillit botues, anëtarë të komisionit nismëtar, miq të mi, miq të Frrokut dhe studentëve të angazhuar si gazetarë hynin e dilnin pa pushim në redaksinë -zyrë. Frroku kishte mbledhur në një dosje shumicën e lëndës. Kishim dashur e donim të kishim sa më shumë tituj dhe emra në gazetë. Numri i parë duhej të ishte edhe njëlloj vitrine e lidershipit politik dhe mbështetjes intelektuale të forcës së re. Nga Rexhep Qosja, që kishte reputacionin e një ikone të intelektualit antikonformist dhe atdhetar, kishim marrë me faks një përshëndetje të posaçme për numrin e parë. Ikona tjetër e Lëvizjes demokratike, Ismail Kadare, nuk mund të mungonte në faqen e parë të numrit të parë të RD-së. Ishim përpjekur të lidheshim me të por nuk ia kishim dalë. Atëherë vendosëm të botonim deklaratën që kishte bërë me rastin e largimit nga Shqipëria. Tekstin e kësaj deklarate dhe një foto të shkrimtarit e solli Blendi Fevziu nga shtëpia e tij. Një përshëndetje për numrin e parë kishim marrë, me kërkesën tonë, edhe nga shkrimtari tjetër i shquar, Dritëro Agolli. Patën debate në zyrën-redaksi për ta botuar apo jo përshëndetjen e tij. Një anëtar i Komisonit Nismëtar na kujtoj se Agolli nuk e kishte përshëndetur lëvizjen studentore. Unë nuk e kisha venë re këtë hollësi. Në përgjithësi nuk bija dakord me kritikat e serta dhe sulmet e kohëve të fundit në adresë të Agollit, sikur ky kishte qenë dhe ishte dogmatik, shërbëtor i regjimit, e tjerë. Ai kishte qenë një kryetar liberal i Lidhjes së Shkrimtarëve. Kishte ndihmuar për t’u regjistruar në shkollë të lartë sa e sa letrarë të rinj që pengoheshin nga kriteret politike të “biografisë së keqe”, përfshirë mua. Me autoritetin e tij kishte mbështetur e rritur rëndësinë e gjithë poetëve dhe artistëve të talentuar në provinca. Shumë prej tyre i kishte ndihmuar të transferoheshin me punë në Tiranë. Ai na kishte dhënë hapësirë dhe mbrojtje në të gjitha konferencat letrare ku kishim kërkuar të thyenim klishe dhe tabu. Unë nuk mund t’i harroja këto dhe kisha bindjen se pavarësisht se në cilën parti do të qëndronte, ai do të mbetej kurdoherë një humanist. Ndaj nuk mund të pranoja që përshëndetja e tij të mos botohej. Nëse kishte qenë kundër Lëvizjes, gjë që unë nuk e dija atëherë, (më vonë do të mësoja se në plenumin e Komitetit Qendror në datë 11 dhjetor kishte mbështetur me forcë dhe pa asnjë ekuivok pluralizmin), me përshëndetjen që na kishte dërguar kishte kapërcyer mbi paragjykimet e tij dhe ishte dëshmuar një njeri i lirë. Ne, forca e re, nuk mund të gjykonim me standartet e vjetra, nuk mund të ishin më pak të hapur se vetë Agolli. Në fund të fundit, në diktaturë, asnjë njeri, sado i mirë të jetë, nuk mund t’i ndihmojë të gjithë të privuarit nga të drejtat. Për të gjykuar për këtë njeri, arsyeja e shëndoshë na thotë t’i numërojmë të mirat që ka bërë dhe jo çfarë nuk ka mundur të bëjë. ÇMe çerekun e këtyre argumenteve unë mbrojta botimin e përshëndetjes së Agollit në numrin e parë të “RD”-së. Pala kundërshtare “fitoi” mosbotimin e fotos së shkrimtarit. Ky ishte “kompromisi”. Teksti po, fotoja jo. Blendi Fevziu do të shkruante më vonë se kur do ta shihte Dritëro Agollin duke u përballur me nostalgjikët e komunizmit në Kongresin e transformimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste në qershor të atij viti, do t’i vinte shumë keq që numrin e parë të RD-së fotoja e Dritëro Agollit nuk ishte botuar përbri përshëndetjes së tij, njëlloj si fotot e Kadaresë dhe Qoses.
Nga Sali Berisha kishim përzgjedhur fjalimin e tij në mitingun e legalizimit të PD-së më 22 dhjetor. Do të botohej për herë të parë i plotë në një gazetë shqiptare. Pashkos i morëm një intervistë ekskluzive. Ishte i vetmi tekst i numrit të parë ku goditej me emër Enver Hoxha, teza e tij e njohur dhe e marrë mbi të cilën kishte projektuar izolimin e Shqipërisë “bar do të hamë por parimet e marksizëm-leninizmit nuk i shkelim”. Mjaftonte sa për fillim. Aurel Plasari, një përkthyes i talentuar, debutoi me një artikull për Gjergj Fishtën, poetin kombëtar të ndaluar, anatemuar dhe profanuar për së vdekuri nga regjimi i Hoxhës. Unë botova artikullin politik “Partia Demokratike nuk është macja e zezë”, Frroku shkroi kryeartikullin.
Me porosinë time, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku dhe Ben Blushi kishin dorëzuar për botim një reportazh të plotë për lëvizjen studentore. E kishin shkruar shumë bukur, të vetëdijshëm se po i përcillnin publikut shqiptar për herë të parë me shkrim një pamje të gjerë të ngjarjeve që kishin ndryshuar historinë. Reportazhi ishte i gjatë dhe s’mund të ishte ndryshe. Frroku më tha se duhej shkurtuar për arsye vendi, por unë nuk e mora përsipër. Atëherë e “qethi” vetë, jo pa dhimbje. Thirri edhe Blendin për ta ndihmuar më duket.
Për të bërë planfaqosjen e numrit të parë të gazetës kërkuam ndihmën e Remzi Lanit, kryeredaktorit të gazetës “Zëri i rinisë”. S’kishte dritë në zyrën e redaksisë sonë dhe u detyruam të shkojmë te kafeneja e Pallatit të Kulturës. Kur gjithçka dukej se po shkonte mbarë më në fund, odisesë sonë i ishte rezervuar edhe një pengesë tjetër. Shtypshkronja nuk kishte mundësi të rradhiste atë ditë gazetën e re. Kishte pësuar defekt një linotyp apo nuk po vinin dot në punë një linotyp shtesë, këtë hollësi nuk e kuptuam mirë. U bëra tym kur ma thanë. Mendova se dikush kërkonte të na vononte përsëri. Kushedi çfarë kishin në kokë. Bëra fjalë me njërin prej drejtorëve të shumtë të Kombinatit Poligrafik, i tregova urdhrin e Kryeministrit Çarçani dhe Ministrit të Kulturës, Uçi, ma ktheu se nuk ishte kundër urdhrit, “por ju e njihni shtypshkrimin, s’bëhet me gishta”.
“Ta merr mendja se kryeministri dhe ministri që kanë lëshuar urdhrin mendojnë se bëhet me gishta”?
“Ju lutem, ne po mundohemi të gjejmë zgjidhjen”.
“Sot”!
“Sot nuk besoj”.
“Sot”! bërtita unë dhe bëra të dal. Mendova ta mbaj frymën edhe njëherë në zyrën e ministrit të Kulturës, por s’qe nevoja sepse një drejtor tjetër (nuk kuptohej mirë se kush e bënte ligjin tamam në atë kombinat si hieroglife kineze), propozoi ndërkaq një zgjidhje provizore që ia kishte bërë me dije edhe Frrokut: gazeta të radhitej në katin e tretë të shtypshkronjës së librit artistik dhe prej aty faqet në plumb të transportoheshin dorazi në repartin e rrotativëve të shtypshkronjës së gazetave në një ndërtesë tjetër. Ishte një zgjidhje e rrezikshme. Faqet prej plumbi të shtërnguar me korniza hekuri peshonin jo pak, por ishin edhe shumë delikate. Mund të liroheshin, të hapeshin dhe të derdheshin për tokë nga pakujdesia më vogël. Nga përvoja e punës në gazetën “Zëri i rinisë” e dija se edhe kur i lëviznin brenda repartit këto lloj faqesh për t’i çuar në flan tipografët i merrnin me shumë kujdes me pirunj. Merrej me mend sa e pasigurt ishte t’i zbrisnim me krahë natën nëpër shkallë. Por ishte zgjidhje gjithsesi. Pranuam sepse nuk donim të vonoheshim më.
Shtypja dhe dalja e numrit të parë
Katër janari ishte një ditë e jashtëzakonshme për gjithë redaksinë. Minutat dhe orët sikur fluturonin me shpejt se çdo herë tjetër. Anëtarë të Komisionit Nismëtar të PD-së, Berisha, Imami, Pashko, Hajdari… vinin e shkonin në shtypshkronjë për të parë ç’po bëhej. Ishin të emocionuar edhe ata. Linotipistët dhe radhitësit e shtypshkronjës së librave u treguan shumë të dashur e bashkëpunues me ne. Njëri prej tyre preu njërin gisht nga pakujdesia. Pashë gjakun që po i rridhte, më erdhi shumë keq, por ai ma ktheu se ishte një ogur i mirë për gazetën.
Vonë, aty afër mesnatës, filluam transportimin e faqeve të radhitura në plumb nga kati i tretë i shtypshkronjës së librave në katin e parë të shtypshkronjës së gazetave disa metra me tutje. Në shkallët e brendshme të ndërtesës ishte errësirë. Asnjë llampë e ndezur. Mua më lanë të bëja dritë me një si pishtar të sajuar me letra të zhubrosura. Tipografët dhe gazetarët që mbanin faqet zhvendoseshin nga njëra shkallare në tjetrën të heshtur, ngadalë, me shumë kujdes.
Pas këtij “udhëtimi”me gjak të ngrirë, të gjitha faqet mbërritën shëndosh e mirë në shtypshkronjën e gazetave. Atje u stampuan në flan, u derdhën në plumb, u mbërthyen në rrotativ dhe ja ku erdhi momenti për t’ dhënë startin gazetës së parë të lirë në Shqipëri pas gjysëm shekulli. Ofsetisti i turit shtypi butonin, ingranazhi groteskt i rrotativit u vu në lëvizje ngadalë, me gulshe që erdhën duke u fashitur derisa të gjitha pjesët e makinerisë u vunë në akord si një orkestër. Kopjet e para dolën si zakonisht “me rrudha” dhe njolla boje. Ishin skarcitetet e përhershme të startit. Dy -tre minuta me vonë tërhoqa nga rrotativi një kopje të mirë, të cilën e shpalosa mes thirrjeve të gëzuara të stafit dhe disa punëtorëve që kishin pritur bashkë me ne daljen e kopjeve të para. Kishte kaluar ora 01.30 e pasmesnatës. Ne kishim porositur shtatëdhjetë mije kopje, tirazhi më i madh që ishte shtypur ndonjëherë në atë shtypshkronjë, me bindjen se do të shitej i gjithi pa rënë fare në tokë. Vonë, kur s’kishim më asnjë punë për të bërë, morëm rrugën për në shtëpi duke zvarritur me këmbët e mpira dilemat e numrit të dytë. Por nuk donim të flisnim për këto dilema.
Nuk e pashë mëngjesin e ri të Shqipërisë me gazetën e re “Rilindja demokratike”. Nuk i pashë radhët e gjata për të blerë një kopje të saj, por më thanë për to rreth orës 10.00, kur shkova në selinë e parti-redaksisë. Më thanë edhe tjetrën që Gramoz Pashko më kishte kërkuar që në mëngjes herët për kafe. Vazhdonte të ishte shumë i lumtur kur u takuam te ura e madhe e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Unë i dukesha ndryshe dhe ai më dukej mua ndryshe. Në atë lloj habie të ndërsjelltë po lindte miqësia ime me atë njeri, që dukej si gjithkush kur e kishim pranë, por që krijonte papritur një gropë të madhe mungese kur nuk ishte, kur do të ikte larg, për disa kohë, për disa muaj, për disa vjet dhe, së fundi, përjetë. Gropa e mungesës së tij sikur padiste praninë tonë: po ju, pse jeni këtu, ju?
Gjatë ditës do të merrnim lajme të tjera nga rrethet për rradhët e gazetës dhe sherret që kush e kush të merrte një kopje. E kishim shtuar edhe një radhë për popullin e radhës. Por kjo ishte një radhë e mirë.