Politikë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e skualifikoi, Lulzim Alushaj kundërshton vendimin, dorëzon padinë

Shkruar nga Liberale
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e skualifikoi, Lulzim Alushaj

Emri i ri i kryeprokurores/kryeprokurorit do të vonojë edhe për një kohë të pacaktuar. Skualifikimi nga gara për Prokuror të Përgjithshëm të Lulzim Alushaj, ka futur në ngërç procesin. Avokati ka ankimuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili e përjashtoi atë nga gara për Prokuror të Përgjithshëm në Gjykatën e Apelit Administrativ. Lulzim Alushaj u skualifikua pasi nuk plotësonte kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur. Padia e tij bllokon procesin derisa të shprehet Gjykata e Apelit Administrativ.

Tre kandidatët që kishin mbetur në garë Fatjona Memçaj, Arta Marku dhe Olsian Çela për momentin nuk do thërriten për intervistim derisa të shprehet gjykata e apelit administrativ. Në një kohë që të premten prokurorët do i drejtohen kutive për të votuar anëtarin më të ri, në garë për vendin e mbetur bosh janë Esmeralda Cami dhe Vladimir Mara. Sakaq vetëm dy ditë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që të shtynte për në mbledhjen e radhës miratimin e metodologjisë për vlerësimin dhe caktimin e pikëve për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas nënkryetarit të KLP-së, shtyrja erdhi pasi anëtarët e Këshillit kërkuan më tepër kohë për të shqyrtuar kandidaturat. Kandidatët në garë do të vlerësohen nga 40 në 100 pikë ku do të përzgjidhet edhe kandidati i denjë për postin e Kryeprokurorit të vendit. Në garë janë Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsjan Çela.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të vijojë me vlerësimin dhe më pas renditjen sipas pikëve të të tre kandidatëve. Në fund do të jetë parlamenti ai që do të marrë vendimin përfundimtar. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon një shumicë të cilësuar me 3 të pestat e parlamentit. Në rast se ku quorum nuk arrihet, atëherë automatikisht, posti i kalon kandidatit të renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zonja Marku kërkon të marrë një mandat të plotë, pasi u emërua nga parlamenti me një mandat provizor në dhjetor të vitit 2017.

Prokurori Çela shihet si një favorit i fortë në garë, pasi ka kaluar pa asnjë problem procesin e rivlerësimit, në të 3 kriteret e tij, atë formimit profesional, të pastërtisë së figurës si dhe të pasurisë. Kandidatja e tretë Memçaj, ishte ndër të parët që kaloi testin e rivlerësimit. Ndërsa ka zhvilluar studime edhe jashtë vendit, ajo ka mbuluar detyrën e Prokurores së Apelit që prej viti 2013, ndërsa më parë ka mbuluar detyra administrative në Presidencë, apo për disa muaj dhe si drejtore kabineti e Prokurorit të Përgjithshëm në periudhën janar-shtator 2013. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH