Xhezair Zaganjori
Pavarësisht përkufizimeve të shumta apo kuptimeve të ndryshme gjatë gjithë zhvillimit historik, kudo pranohet se shteti si mekanizëm, makineri apo organizim politik i shoqërisë njerëzore, ka si detyrë të tij primare mbrojtjen në cdo kohë e në cdo rrethanë të qytetarëve të tij. Ky është në fakt edhe vetë kuptimi i qeverisjes, si një kontratë shoqërore e lidhur në mirëbesim mes njerëzve të thjeshtë dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e drejtimit shtetëror. Ky mesazh përcillet qartësisht që nga Kodi i Hamurabit, Egjypti i Vjetër, filozofët e Greqisë së Lashtë, shtetarët romakë, mendimtarët e mëdhenj të Rilindjes Europiane, baballarët e kombit amerikan e deri në ditët e sotme. Tomas Xheferson theksonte në mënyrë brilante se “Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëzore, dhe jo shkatërrimi i tyre, duhet të jenë objekti i parë dhe i vetëm i punës së cdo qeverisje të mirë…”. Ky detyrim i rëndësishëm shtetëror përmëndet formalisht edhe në kushtetutat bashkëkohore, por ajo që është edhe më e rëndësishme, në vëndet demokratike ai evidentohet qartë edhe përmes jurisprudencës së Gjykatave të Larta e Gjykatave Kushtetuese të vendit. Janë me qindra e qindra vendime, përmes të cilave këto instanca të larta gjyqsore konfirmojnë me pa asnjë mëdyshje detyrimin e shtetit për të garantuar në mënyrë të plotë e të vazhdueshme mbrojtjen efektive të qytetarëve të vet.
Një nga sprovat më të mëdha të këtij angazhimi është aktualisht edhe përballimi i Pandemisë Covid – 19, e cila ka vënë në alarm thuajse të gjitha shtetet e botës. Përgjithësisht kudo po punohet seriozisht për të luftuar këtë armik tepër të rrezikshëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe ekonominë e vendit. Njerëzit kanë nevojë më tepër se kurrë për më shumë vëmëndje, përkrahje, solidaritet e siguri nga shteti i tyre, aq më tepër që kriza dhe kohëzgjatja e saj vazhdojnë të kenë shumë të panjohura. Prandaj kërkohet përgjegjësi maksimale e atyre që drejtojnë vëndin, shoqëruar kjo me marrjen e vazhdueshme të ekspertizës së duhur nga specialistët e fushës si dhe reagimin e kujdesshëm e të përgjegjshëm të cdo qytetari. E mbase është pikërisht kjo arësyeja që shtete si Gjermania apo Koreja e Jugut janë ndër shtetet që po e përballojnë gjer tani më mirë se të tjerët këtë krizë të rëndë. Nga ana tjetër, në shumë vënde ka patur dhe ka probleme të mëdha në këtë drejtim, përfshirë këtu edhe shkeljen e rëndë e të panevojshme të të drejtave të njeriut. Sidoqoftë ndër vëndet më problematike në menaxhimin e pandemisë mendohet se është Brazili. Gjer pa ditë më parë, konkretisht deri më 10 tetor 2020, sipas statistikave serioze, nga Covid – 19 numërohen gjer tani aty rreth 5 milion e 200 mijë të infektuar dhe rreth 150 mijë të vdekur. Përgjegjëse për këtë situatë të rëndë bëhet qeveria braziliane, e në mënyrë të vecantë Presidenti i vendit Jair Bolsonaro, kompetencat kushtetuese të të cilit në drejtimin e vëndit janë të mëdha, pasi Brazili është Republikë presidenciale. Vlerësohet që masat e marra për përballimin e pandimisë kanë qënë një dështim total. Për më tepër, vihet në dukje se vetë Presidenti Bolsonaro ka përqeshur masat, ka refuzuar publikisht mbajtjen e maskës mbrojtëse dhe është treguar indiferent e mospërfillës ndaj masave të propozuara nga ekspertët epidemiologë të vëndit apo Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO). Ndër të tjera theksohet gjithashtu se për Bolsonaron, më shumë rëndësi ka shmangia e një krize të rëndë ekonomike se sa interesat e shëndetit publik të popullsisë. Përmëndet nga ana tjetër se në detyrat më të larta të administratës shtetërore ai ka emëruar ushtarakë, përfshirë këtu edhe Ministrin e Shëndetësisë, të cilët nuk kanë dhe nuk mund të kenë ekspertizën e duhur për të drejtuar sektorin apo fushën që mbulojnë ligjërisht. Së fundi evidentohet gjithashtu se pikërisht gjatë periudhës së pandemisë, ai vuri veton mbi dy ligje të rëndësishme të miratuar nga Parlamenti (Kongresi Kombëtar), duke bllokuar kështu zbatimin e tyre. Njëri prej tyre bënte fjalë për masat mbrojtëse të popullsisë indigjene të Brazilit nga virusi Covid – 19, ndërsa tjetri përcaktonte në hollësi kushtet dhe kriteret e përdorimit të maskës mbrojtëse në ambientet publike dhe ato të punës.
Pikërisht për sa më sipër, 223 organizata e shoqata të ndryshme qytetare të sektorit të shëndetësisë; organizata për mbrojtjen e popullsisë indigjene e të tjerë, që në tërësi përfaqësojnë rreth një milion e gjysëm qytetarë si dhe një parti politike (Partia e Punëtorëve Demokrate-PDT) kanë paraqitur disa kërkesa në Zyrën e Prokurorit pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), përmes të cilave Presidenti i vëndit Jair Bolsonaro akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “Krimit kundër njerëzimit” ndaj popullsisë braziliane, si dhe veprën penale të “Genocidit” kundër popullsisë indigjene në Brazil.
Pavarësisht rëndësisë dhe sensibilitetit të cështjes, vështirë të mendohet së këto kërkesa me permbajtje thuajse të njëjtë, mund të merren në konsideratë nga ICC, funksionimi i së cilës ka filluar që në vitin 2003. Sipas Statutit të kësaj gjykate (Statuti i Romes – StR), vetëm Zyra e Prokurorit mund të urdhëroje fillimin e hetimit të një cështje për një nga katër veprat penale vecanërisht të rënda, qe përbëjnë në fakt edhe hapësirën juridiksionale të saj, të cilat janë: Krimi i Genocidit, Krimet kundër Njerëzimit, Krimet e Luftës dhe Krimi i Agresionit (shih nenin 5 te Statutit të Romës). Për këtë qëllim, Zyra a Prokurorit pranë ICC mund të kërkojë e të marrë informacion nga organe shtetërore të shteteve palë, nga organizata ndërqeveritare ose joqeveritare, nga organet e OKB, apo edhe nga burime të tjera. Por vetëm kaq. Vendimin për fillimin e hetimeve e merr vetëm kjo Zyrë, e për më tepër, asaj i duhet të marrë paraprakisht për këtë qëllim edhe pëlqimin e Dhomës apo Kolegjit Paragjykimor të ICC. Në këtë kuptim, kërkesat e shumta të ardhura nga Brazili kundër Presidentit Bolsonaro mund të shërbejnë vetëm si indicie për të filluar ose jo hetimet. Megjithate, gjer tani nuk ka asnjë shenjë që këto hetime do të fillojnë dhe vështire, në mos e pamundur, se do të ndodhë një gjë e tillë, pavarësisht faktit shumë të njohur tashmë se Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të shteteve anëtare në këtë Statut nuk gëzojnë imunitet në këtë Gjykatë (ICC), në një kohë që brenda vëndit e kanë një të drejtë të tillë. Nga ana tjeter, duhet ditur se në bazë të parimit të subsidiaritetit, fillimi i hetimeve nga Zyra e Prokurorit të ICC lidhet ngushtë me konstatimin e qartë të mungesës së vullnetit të shtetit respektiv për të bërë vetë hetime dhe për të ngritur akuzë ndaj personit në fjalë. Mungesa e vullnetit mund të shfaqet edhe përmes zvarritjeve apo vonesave të pajustifikuara brënda vëndit në hetimin e gjykimin e cështjes apo edhe përmes hetimeve formale ose dënimeve shumë të buta ndaj personave të akuzuar (neni 17/3 i StR).
Përvec elementëve formalo – juridikë të përmëndur më sipër, me rëndësi është të vlerësohet vetë përmbajtja e akuzave të ngritura në kërkesat e shumta me shkrim të dërguara nga Brazili ne Zyrën e Prokurorit të ICC. Më konkretisht, duhet bërë vlerësimi paraprak e në parim nëse veprimet e Bolsonaros përbëjnë apo jo Genocid apo Krim Kundër Njerëzimit, dy nga katër veprat e rënda penale që sic kemi theksuar më sipër, përbëjnë në fakt edhe kompetencën lëndore të kësaj gjykate (ICC).
Pa dashur të zgjatemi pa nevojë në këtë artikull të shkurtër, mund te theksohet vetëm që sipas Statutit të Romës, si rregull, konsumimi i veprave penale të Genocidit dhe Krimit Kundër Njerëzimit, kërkon realizimin e veprimeve aktive e të qellimshme: “..Per shkatërrimin pjesor apo tërësor të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial, apo fetar,….. përmes vrasjeve masive, dëmtimin e rëndë trupor e mendor të anëtarëve të grupit…”, e të tjerë (neni 6 i StR- Genocidi) apo “..sulmeve në formën e veprimeve sistematike ose të përhapura gjërësisht kundër popullsisë civile,… duke shkaktuar vrasjen, shfarosjen, torturën, përdhunimin, skllavërinë seksuale….”, e të tjerë (neni 7 i StR – Krime Kundër Njerëzimit).
Duke patur parasysh sa më sipër, duket qartë që veprimet që i ngarkohen Presidentit Bolsonaro nuk janë të dhunshme. Megjithatë, dispozitat e mësipërme lënë të kuptohet se veprat penale të Genocidit dhe Krimit Kundër Njerëzimit mund të realizohen përjashtimisht edhe përmes akteve jo të dhunshme, e për më tepër edhe përmes mosveprimeve. Kështu për shembull, neni 6/c i Statutit të Romës përcakton se Genocid kemi edhe atëhere kur “…ka cënim të qëllimshëm e masiv të kushteve të jetesës së një grupi të caktuar, duke synuar shkatërrimin fizik të tij…”. Po kështu mund të interpretohen edhe pikat “j” dhe “k” të paragrafit të parë të nenit 7, i cili bën fjalë për Krimet Kundër Njerëzimit. Aq më tepër që edhe Aparteidi, si sistem apo politikë institucionale e diskriminimit racial, që përbën pjesë në Krimet Kundër Njerëzimit, realizohet si rregull pa veprime të dhunshme. Mbi këtë bazë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur në disa raste edhe vetë ICC, duke patur parasysh në mënyrë të vecantë pasojat e mosveprimeve të personave të caktuar të veshur apo jo me pushtet si dhe mënyrën e sjelljes së tyre, që mund të jetë pra në raste të vecanta edhe mosveprim. E nëse është kështu, atëherë formalisht duhet patur parasysh se e gjithë politika shtetërore, mosveprimet e Bolsonaros e administratës së tij, kanë patur pasoja shumë të rënda. Injorimi i mendimit të ekspertëve, mosvlerësimi i rekomandimeve të WHO, mosmarrja e masave efektive, paralizimi thuajse total i shërbimit shëndetësor, ndikuan dukshëm në përhapjen masive të Covid-19, në mungesën thuajse totale të kontrollit të situatës pandemike si dhe ekspozimin e plotë të popullsisë indigjene ndaj virusit, duke shkaktuar “vuajtje të mëdha dhe dëme serioze në shëndetin fizik dhe mendor” të popullsisë si dhe vdekjen e rreth 150 mijë personave në Brazil (deri tani). Për këto arësye, të gjithë këto pasoja të rënda e ndoshta katastrofike për grupe të caktuara të njerëzve, janë tregues që provojnë të paktën gjer më tani, dështimin thuajse të plotë të politikës shtetërore ndaj situatës pandemike, gjë që parimisht mund të përbëjë edhe Genocid apo Krim Kundër Njerëzimit. Sepse ndër të tjera, shteti nuk reagoi sic duhet për përmbushjen e një prej detyrave kryesore të tij, mbrojen efektive të popullsisë, detyrim ky që sic dihet është pjesë e të drejtës ndërkombëtare zakonore. Megjithatë, pavarësisht vlerësimeve të mësipërme, është më se e qartë se Bolsonaro nuk mund të mbajë i vetëm të gjithë përgjegjësinë e kësaj situate, pa llogaritur këtu edhe përgjegjësinë e cdo individi për të respektuar rregullat e higjenës si dhe distancimin e nevojshëm social. Nga ana tjetër, shkeljet që i adresohen Presidentit Brazilian duket qartë që nuk e kanë mjaftueshëm nivelin e ashpërsisë, ashtu sic kërkohet shprehimisht edhe nga dispozitat respektive të Statutit të Romës, të cilat bëjnë fjalë për Genocidin dhe për Krimet Kundër Njerëzimit. Dhe së fundi për nga radha, por kryesorja për nga rëndësia, është mungesa e anës subjektive për konsumimin e këtyre dy veprave penale. Mungon veprimi i qëllimshëm apo dashja e drejtperdrejte, sipas nje plani konkret e te paramenduar nga ana e personit (Bolsonaros) që me veprimet apo mosveprimet e tij të sjellë pasojat që kërkohen në rastin e Genocidit dhe Krimeve Kundër Njerëzimit. Nuk ka asnjë provë apo indicie që të tregojë se ato janë bërë për të dëmtuar qëllimisht popullsinë e vëndit. Ajo që mund të thuhet në këtë rast është neglizhenca e theksuar në realizimin e detyrave shtetërore e kushtetuese. Por Genocidi dhe Krimet Kundër Njerëzimit nuk mund të bëhen përmes neglizhencës. I ndërgjegjshëm për vështirësitë e këtij procedimi, edhe një nga avokatët e angazhuar për hartimin e dërgimin e kërkesave kundër Presidentit Brazilian në ICC do të theksonte pak kohë më parë se “…shpresojmë në hapjen e hetimeve nga Zyra e Prokurorit, por ajo që ka rëndësi më shumë është thirrja për ndihmë për të reaguar sa më parë ndaj gjëndjes alarmante që po përjetohet në Brazil..”.
Padyshim që akuzat ndaj Presidentit Bolsonaro në ICC pasqyrojnë në një farë mënyre edhe luftën e ashpër apo tensionin e brendshëm e të vazhdueshëm politik në Repubikën Federale të Brazilit. Megjithatë, nga ana tjetër, përsërisim se është fakt i pamohueshëm që Pandemia Covid – 19 është keqmenaxhuar dukshëm nga institucionet më të larta shtetërore. Sidoqoftë, referimi i saj në ICC vlerësohet se nuk është aspak relevant. Por nga ana tjetër, me të drejtë theksohet se ajo mund të përbënte shumë mirë një cështje të të drejtave të njeriut. Si bazë e përgjithshme ligjore mund të shërbenin vecanërisht Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (DUDrNj) e vitit 1948 si dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (PNdDrESK) të miratuara në kuadër të OKB-së, në të cilat, ndër të tjera, krahas detyrimit të cdo shteti anëtar për respektimin e të drejtës së jetës (neni 3 i DUDrNj), permendet qartësisht edhe ai kujdesit të vazhdueshëm shëndetësor (neni 12 i PNdDrESK). Në funksion të rastit konkret duhet përmendur që këto detyrime i gjejmë të reflektuara edhe në Konventën Amerikane të të Drejtave të Njeriut të vitit 1969, e cila është ratifikuar edhe nga Brazili. Mbi këtë bazë mund të investoheshin edhe Komisioni Ndër-Amerikan i të Drejtave të Njeriut si dhe Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut, të cilat, krahas shqyrtimit të cështjes në themel, kanë mundësi të marrin në rast nevoje edhe masa të përkohshme apo paraprake me natyrë parandaluese. Kjo do të bënte të mundur jo vetëm rritjen e presionit publik, por edhe reagimin më të shpejtë e më të përgjegjshëm të institucioneve shtetërore në Brazil ndaj Pandemisë Covid – 19. Në një periudhë më të vonëshme, nëse është rasti, në planin e brëndshëm mund të merreshin edhe masa me natyrë individuale, përfshi këtu edhe hetimin e dënimin penal të personave përgjegjës. Sidoqoftë, eksperieca e keqe dhe mjaft e dhimbshme e Brazilit apo edhe ndonjë vëndi tjetër, duhet të bëhen mësim për të gjithë. Një kontribut me vlerë në rastin e kontinentit tonë mund të jeptnin padyshim edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut si dhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. /Gazeta Liberale