Aktualitet

Këndvështrim/ PD nuk duhet t’i trembet dasisë, ajo ka ndodhur dhe duhet të vazhdojë

Shkruar nga Liberale
Këndvështrim/ PD nuk duhet t’i trembet dasisë, ajo ka

Reldar Dedaj

Në Partinë Demokratike demagogët dhe servilët vazhdojnë të punojnë me orar të plotë, deri sa kanë arritur të krijojnë përshtypjen se përngjitja me ata që sundojnë, me ata njerëz që jo pak herë prekin edhe interesat tona, që grabisin një pjesë të madhe të jetës sonë, është jo vetëm gjëja më normale në botë, por edhe më e natyrshme.

Madje forma të tilla të menduari kanë pushtuar mendjet tona, i kanë stërvitur gjatë, i kanë mbajtur të robëruara deri aty sa kanë arritur të formojnë një lloj admirimi për ata persona që zotërojnë mjetet për të shkatërruar të ardhmen tonë. Në PD, frika ndaj konfliktit, dasisë ka ushqyer prej kohësh përngjitjen dhe uniformitetin e të menduarit.

Demokratët e shohin si të drejtë faktin që të shmangin konfliktin, duhet me patjetër që të eleminojnë dasinë. Por pa konflikt nuk lindin as qytete, as qytetari. Madje sipas mitologjisë, qyteti është pjesë e vëllavrasjes. Është Kaini ai që ndërtoi polis-in e parë sipas gjenezës. Pikërisht pas vrau Remin, Romuli vendosi të themelojë Urbs-in që do të ishte djepi i kodifikimit të së drejtës. E gjithë gjuha e demokratëve është e mbrujtur me këtë frikë thelbësore dhe çdo gjë e saj vihet në kërkim të një mirazhi: t’u jepet fund ndarjeve, konflikteve dhe mospajtimeve.

Në ligjërimin e tyre, më shumë se çdo gjë, shquhet mjaft qartë sentenca se duhet eleminuar gjithçka tjetër që i ndan, pasi vetëm kështu mund të krijohet një humus i përbashkët në PD, një unitet babelian i mendimit. Demokratët janë të mendimit se ndarja ngjall frikë dhe jo vetëm ngaqë mund të prishë paqen brenda familjes së tyre politike, por edhe se mund të vrasë frymën shoqërore nëse del nga kontrolli; nëse nuk e shtrëngojnë në një kuadër normash e rregullash të përbashkëta.

Por frika e demokratëve mbi dasinë nuk duhet të pengojë rrugëtimin e tyre. Sali Berisha mund të ketë sa të duash karburant dhe mund të shfaqet i gatshëm për të vazhduar rrugëtimin e tij imagjinar, por realiteti i përplas të vërtetën ballit, pasi pavarësisht karburantit që ka mbledhur dhe dëshirës së tij për të vazhduar, e vërteta e hidhur është se atij i ka përfunduar rruga. Me pak fjalë, Sali Berisha ka mbërritur në fund të destinacionit dhe mundësia për të vazhduar apo jo rrugëtimin nuk varet nga dëshira e tij, por nga kushtet reale dhe marrëdhëniet tona me vendet aleate.

Është shumë e vërtetë që pjesa më e madhe e grupit parlamentar demokrat kanë kundërshti të ndryshme me njëri-tjetrin, por përkundrejt rithemelimit berishist i mban të bashkuar bindja e gjithsecilit për të mbajtur marrëdhënie të hapura e të ngushta me SHBA-në në vend të izolimit prej tyre. Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë e vetmja vijë ndarëse mes dy grupeve në PD. Madje Partia Popullore Europiane (PPE), grupimi më i madh politik i partive të qendrës së djathtë në Europë, ku bën pjesë prej vitesh PDSH, u tregua indeferente ndaj një PD-je të zaptuar apo drejtuar nga një non grata. Të gjithë e panë se dy delegacionet shqiptare të PDSH-së, ishin ftuar nga shoqatat partnere dhe ndodheshin aty falë lobimit të lidhjeve të ngushta personale dhe jo se PDSH, ishte një trup organik apo i natyrshëm tashmë i PPE-së.

Ndarja në PD është reale dhe si e tillë ajo nuk mund të përshpëritet nëpër dhëmbë, por të trumpetohet madje fort si e vetmja zgjidhje dhe shpëtim për demokratët. Pasi kjo ndarje në vetvete është përmbajtësore, dukshëm përtej kufijve të diversitetit të mendimeve brenda një partie, ku vija kryesore ndarëse është ajo e raporteve me SHBA-të. Me logjikën pro perëndimit, PD vetëm si e tillë, mund të jetë nesër një alternativë qeverisje dhe jashtë kësaj logjike, jo vetëm do jetë një logo e përfunduar, por nuk do arrijë kurrë dot të shndërrohet në një shumicë qeverisëse.

Sali Berisha me të vetët tashmë e ka zgjedhur me dëshirë rrugën e tij, nga pikëpamja ideologjike, duke e rithemeluar vetveten si parti sovraniste-konservatore, pozicionohet si pjesë e grupimit të partive simotra të kësaj stampe, ku shquan ajo e Marine Le Pen në Francë, Lega Nord apo Fratelli D’Italia në Itali, Fides e kryeministrit Urban në Hungari e tjerë.

Duke dalë nga logjika ideologjike për të zbritur në realitet, ish-kryeministri shqiptar shfaqet krejt pa stil, pa masë, por i vërtetë. Atij i ka mbetur në fyt vendimi për non grata dhe ky është ngërçi i vërtetë, që heraherës, aq sa lidhet dhe zgjidhet me amerikanët.../Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH