Kolana UETPRESS – 15 vjet
Autor: Ludwig von Mises
Titulli: Politikat ekonomike
Nga Ludwig von Mises
Janë të shumta rastet kur krahasimet apo metaforat që përdorim janë të pasakta. P.sh, duke folur për industrialistët e mëdhenj modernë apo për drejtuesit e ndërmarrjeve të mëdha, ata cilësohen si “mbreti i çokollatës”, i pambukut apo i automobilit. Mënyra se si njerëzit i përdorin këto terma dëshmon se praktikisht, ata nuk bëjnë asnjë diferencë ndërmjet shefave të sipërmarrjeve moderne dhe mbretërve, princave apo lordëve feudalë të dikurshëm.
Por, në realitet, ndërmjet tyre ekziston një diferencë dhe ndryshim i madh, pasi një i ashtuquajtur mbret i çokollatave nuk qeveris dhe sundon gjithçka, por i shërben të tjerëve. Ai nuk mbretëron në një territor të pushtuar dhe nuk është i pavarur nga tregu dhe klientët e tij.
Mbreti i çokollatës – i çelikut, automobilit apo çdo lloj industrie tjetër të sotme – varet nga industria ku ai punon dhe klientela që furnizon. Ky “mbret” duhet të qëndrojë sa më afër subjekteve të tij, domethënë konsumatorëve; ai e humb “shenjtërinë mbretërore” në momentin kur nuk është më në gjendje t’ju garantojë shërbime cilësore klientëve të tij, si dhe kur nuk mundet të ketë çmime më të ulëta se industrialistët e tjerë me të cilët është në konkurrencë.
Dyqind vite më parë, kur kapitalizmi nuk ishte shfaqur akoma, statusi social i çdo njeriu ishte i përcaktuar dhe i pa ndryshueshëm që në lindje e deri në vdekjen e tij; ai trashëgohej nga para-ardhësit dhe nuk ndryshonte asnjëherë. Nëse kishe lindur i varfër, i tillë mbeteshe gjithë jetën, nëse kishe lindur i pasur – aristokrat apo feudal i madh – titulli i fisnikërisë dhe pronat ruheshin për tërë jetën.
Përsa i takon produkteve të manifakturës, industrialistët e produkteve artizanale të epokës para-kapitaliste jetonin pothuajse tërësisht falë klientëve së individëve të pasur. Shumica dërrmuese e njerëzve (90 për qind, apo akoma dhe më shumë, e popullsisë evropianë) ishin fshatarë që punonin tokën dhe nuk kishin kontakte me aktivitetet industriale të orientuara dhe vendosura afër qyteteve. Ky sistem i ashpër i shoqërisë feudale dominoi përgjatë disa shekujve në rajonet më të zhvilluara të Evropës.
Por, si rezultat i rritjes së shpejtë të popullsisë rurale, erdhi një moment kur kjo masë e madhe njerëzish e kishte të pamundur të jetonte dhe mbahej vetëm me aktivitet bujqësor. Për këtë kategori njerëzish të privuar nga çdo lloj prone e trashëgimie mundësia e punësimit në punët e rëndomta bujqësore në fushë u bë gjithnjë e më e vështirë. Për këtë kategori njerëzish ishte e pamundur transferimi apo zhvendosja drejt aktiviteteve të artizanatit e manifakturës, pasi sunduesit e qyteteve ju a ndalonin një gjë të tillë duke refuzuar hyrjen dhe integrimin e tyre në qytet.
Numri i këtyre njerëzve të “padëshirueshëm” vazhdoi të rritej me shpejtësi dhe askush nuk ishte në gjendje të jepte një zgjidhje për ta. Në kuptimin e plotë fjalës, këta ishin “proletarët”, njerëz të privuar nga gjithçka, të pa arsimuar, pa shtëpi e katandi, për të cilët, e vetmja gjë që sunduesit e qyteteve mund të bënin, ishte ti strehonin e mblidhnin në qendra kujdesi social e asistence jetësore. Në disa rajone të Evropës, veçanërisht në Holandë dhe Angli, ata u shtuan shumë duke u bërë rrezik për sistemin social ekzistues.
Në kohën e sotme, kur diskutohet për situata të ngjashme në shtete si India apo vende të tjera në zhvillim, nuk duhet harruar se në Anglinë e shekullit të XVIII-të, niveli dhe kushtet e jetesës ishin shumë më të këqija.
Në atë kohë Anglia kishte 6 apo 7 milion banorë; dhe nga këta 6 apo 7 milion njerëz, më shumë se 1 milion, ndoshta 2 milion prej tyre ishin thjesht fatkeqe të mjerë për të cilët sistemi social në fuqi nuk mund dhe nuk parashikonte të bënte asgjë. Çfarë duhej bërë me këta njerëz ekstremist të varfër ? Ky ishte një nga problemet më të mprehta në Anglinë e shek.XVIII-të.
Mungesa e lëndëve të para ishte një problem shqetësues. Anglezët e identifikonin si mjaft serioze këtë çështje: çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen kur pyjet tona nuk do munden të na furnizojnë më me lëndën drusore që na nevojitet për industrinë dhe ngrohjen e shtëpive ? Qeveria britanike e vlerësonte situatën si katastrofike. Drejtuesit e lartë të shtetit nuk ishin në gjendje të jepnin një përgjigje bindëse e qetësuese; aristokracia e lartë që kontrollonte pushtetin legjislativ e administrativ nuk kishte asnjë ide se çfarë duhej bërë për të dalë nga kjo situatë dhe rregulluar gjendjen.
Rrënjët e kapitalizmit modern filluan pikërisht nga kjo situatë ankthi e paqartësie. Nga shtresat e varfera dhe të shpronësuara u shfaqën individë që patën iniciativën të organizojnë të tjerët për ndërtimin e punishteve dhe atelieve në të cilat mund të fabrikoheshin objekte e sende të ndryshme. Kjo ishte një inovacion. Këta novatorë nuk prodhonin artikuj të kushtueshëm që nuk mund të bliheshin nga njerëzit e varfër; ata fabrikonin produkte të lira për nevojat e popullit në kuptimin e gjerë të fjalës. Kjo ishte origjina e kapitalizmit, ashtu siç vazhdon të funksionojë edhe sot ky sistem.
Kjo shënoi fillimin e prodhimit masiv, parimit themelor të industrisë kapitaliste. Ndërkohë që aktivitetet e vjetra të artizanatit, që i shërbenin pothuajse vetëm të pasurve në qytete dhe mbijetonin vetëm falë klientëve së klasave sunduese, industritë e reja të porsa lindura filluan të fabrikojnë produkte që mund të bliheshin nga një publik shumë i gjerë. Ishte prodhimi masiv që i përgjigjej nevojave masive të konsumit.
Ky është parimi themelor i kapitalizmit, që vazhdon të funksionojë dhe sot në gjithë vendet ku ekziston një sistem shumë i zhvilluar i prodhimit masiv. Firmat dhe kompanitë e mëdha, të sulmuara egërsisht nga të ashtuquajturit “të majtë”, pothuajse gjithçka e prodhojnë në funksion të kënaqësive dhe plotësimit të nevojave të shumicës dërrmuese të njerëzve. Sipërmarrjet që prodhojnë artikuj luksi të destinuara vetëm për të pasurit e kanë të pamundur të arrijnë përmasat e bizneseve të mëdha.
Në ditët e sotme, janë punonjësit e firmave të mëdha industriale ata që përfaqësojnë kategorinë e konsumatorëve kryesorë të produkteve që prodhojnë uzinat e tyre. Ky është dallimi kryesor fondamental ndërmjet parimeve kapitaliste të prodhimit kundrejt parimeve feudale të kohëve të mëparshme.
Njerëzit bëjnë gabim kur besojnë, apo pretendojnë se besojnë, se kur bëhet fjalë për produktet e prodhuara në kompanitë e mëdha, ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve, Në supermarket-et e mëdha amerikane shihet e dëgjohet kudo slogani: “klienti ka gjithnjë të drejtë”. Por ky klient, është i njëjti person me atë që fabrikon në uzinë mallrat që janë në shitje në qendrat e mëdha tregtare.
Gabohen rëndë ata njerëz që mendojnë se bizneset e mëdha kanë fuqi e pushtet të jashtëzakonshëm, sepse sukseset e këtyre kompanive apo uzinave të mëdha janë tërësisht në dorën e klientelës që ble produktet e tyre. Edhe kompania më e madhe apo më e suksesshme e humb fuqinë dhe ndikimin e saj në momentin kur humbet klientët e saj.
Përpara rreth 60 viteve, pothuajse në gjithë vendet kapitaliste thuhej se kompanitë e hekurudhave ishin shumë të mëdha dhe të fuqishme; ato kishin pozita monopoli dhe ishte pothuajse e pamundur t’u bëje konkurrencë. Kishte nga ata që pretendonin se tashmë, si pasojë e eliminimit të konkurrencës, në sektorin e transportit hekurudhor kapitalizmi kishte arritur në stadin e vetëshkarkimit. Por, ajo që nuk shihej nga këta “studiues” të kapitalizmit ishte fakti se fuqia e kompanive hekurudhore bazohej në cilësinë e lartë të shërbimeve që i ofrohej publikut, e cila ja kalonte çdo forme tjetër transporti.
Natyrisht, përballë faktit se kjo linjë hekurudhore mjaftonte për plotësimin e nevojave ekzistuese të kohës, ishte e kotë dhe pa vlerë të tentoje ta konkurrojë një nga këto kompani të mëdha hekurudhore duke ndërtuar një linjë tjetër paralele me atë ekzistuese. Por, jo për shumë kohë. Së shpejti në skenë do të shfaqeshin konkurrentë të tjerë.
Liria e konkurrencës nuk nënkupton faktin se ju mund të arrini sukses thjesht duke kopjuar apo imituar egzaktësisht atë që të tjerët kanë realizuar përpara jush. Liria e shtypit nuk do të thotë se ju keni të drejtë të rikopjoni atë që të tjerët kanë shkruar më përpara se ju, dhe në këtë mënyrë të shpresoni të korrni të njëjtin sukses me autorin e atyre shkrimeve, i cili e ka merituar atë falë meritave të veprës së tij. Liria e shtypit do të thotë se ju keni të drejtë shkruani diçka tjetër.
Në këtë këndvështrim, liria e konkurrencës në rastin e transportit hekurudhor nënkupton se ju jeni të lirë të shpikni diçka tjetër, të bëni diçka ndryshe, që përbën një sfidë kundrejt kompanive hekurudhore, e cila i vendos në situata të pastra konkurrence këto kompani.
Sfidat dhe konkurrenca kundrejt kompanive të hekurudhave në SHBA – e zhvilluar në formën e linjave të transportit të autobusëve, automobilave, kamionëve dhe avionëve – ka prodhuar goditje të rënda për këto kompani duke i c ‘vendosur ato pothuajse tërësisht nga aktiviteti i transportit të udhëtarëve.
Zhvillimi i kapitalizmit bazohet në nocionin se gjithkush ka të drejtë t’i ofrojë konsumatorit shërbimet më të mira dhe çmimet më konkurruese. Ka qenë pikërisht kjo metodë dhe ky parim, që brenda një kohe relativisht të shkurtër, bëri të mundur transformime impresionuese në mjaft vende të botës; që krijoi kushtet për një shtim të pa precedent të popullsisë botërore.
Në Anglinë e shek.XVIII-të, bujqësia me vështirësi mund të ushqente gjashtë milion banorët e saj që jetonin në kushte jetese të mjerueshme. Sot, më shumë se pesëdhjetë milion banorë gëzojnë një nivel jetese më të lartë se niveli i jetesës së të pasurve dhe aristokratëve të shek.XVIII-të. Niveli aktual i jetesës së anglezëve do të ishte akoma më i lartë nëse nga britanikët nuk do të shpërdorohej një sasi e konsiderueshme energjish në aventura politike e ushtarake që mund të eliminoheshin e kurseheshin.
Ky është realiteti dhe e vërteta për kapitalizmin. Për të gjithë anglezët – dhe për çdo qytetar të kujtdo vendi qoftë – që sot janë kundër kapitalizmit ka vetëm një përgjigje: «ju duhet të dini se popullsia e planetit tonë është tashmë dhjetë herë më e madhe se periudha para-kapitaliste; ju duhet të dini se sot njerëzit gëzojnë një nivel jetese shumë më të lartë në krahasim me para-ardhësit tanë të periudhës para kapitaliste.
Si mund të jeni të sigurte nëse bëni pjesë në kategorinë e atyre 10 për qind të njerëzve që do të ishin duke jetuar në tokë nëse nuk do të kishte ardhur kapitalizmi ? Fakti i thjeshtë që ju jetoni aktualisht, është prova bindëse se kapitalizmi ka qene një sukses, një arritje, që i jep kuptim dhe përmbajtje ekzistencës tuaj.”
Megjithë sukseset dhe avantazhet e mëdha që ka krijuar, kapitalizmi është kritikuar e vazhdon të kritikohet shumë ashpër. Është e nevojshme të kuptohet origjina e kësaj antipatie. Është fakt se urrejtja për kapitalizmin nuk ka lindur në gjirin dhe mjediset e punëtorëve apo në mjediset e varfra popullore, por ka lindur në mjediset e aristokracisë agrare, në Angli dhe kontinentin evropian.
Këta zotërinj e vinin me shpatulla nga muri dhe e akuzonin kapitalizmin për shkak të një fenomeni që atyre ju dukej i papranueshëm: në fillim të shek.XIX-të, pagat e larta me të cilat paguheshin punëtorët në sektorin industrial i detyronin dhe këta lordë feudalë pronarë tokash që të paguanin gjithashtu paga më të larta për punëtorët e tyre bujqësorë. Akuzat më të forta të lëshuara prej tyre kundër industrisë konsistojnë në kritikat ndaj nivelit të jetës të “turmave të punëtorëve”.
Sigurisht, nga këndvështrimi jonë aktual, niveli i jetës së punëtorëve të asaj periudhe ishte jashtëzakonisht i ulët; kushtet e punës dhe jetesës në fillimet e kapitalizmit ishin mjaft problematike, por kjo, nuk ishte pasojë e faktit se industritë e reja kapitaliste funksiononin dhe zhvilloheshin në kurriz të nivelit të jetesës apo shfrytëzimit të punëtorëve. Përpara se të bëheshin punëtorë, njerëzit e punësuar nëpër uzina e fabrika kishin jetuar në mjedise dhe kushte çnjerëzorë.
Historitë e vjetra e të famshme, të përsëritura me qindra herë, që kërkojnë të na bindin se uzinat shfrytëzonin punën e grave dhe fëmijëve, të cilët kishin patur kushte më të miras jetese përpara se të proletarizoheshin në uzinë, janë një nga falsifikimet më të mëdha të historisë. Nënat që vinin të punonin në uzinë nuk kishin asgjë për të bërë në kuzhinë; ato nuk braktisnin shtëpitë dhe kuzhinat e tyre për të shkuar në uzinë, ato shkonin në uzinë sepse nuk kishin fare kuzhinë; por dhe nëse do kishin një të tillë, ato nuk kishin asgjë për të gatuar atje. E njëjta gjë dhe me fëmijët. Ata nuk braktisën çerdhet apo kopshtet e rehatshme për të shkuar në uzinë. Ata ishin duke vdekur nga uria.
Gjithçka që tregohet në lidhje me të ashtuquajturat pretendime në lidhje me vuajtjet e tmerrshme të periudhës së lindjes së kapitalizmit, mund të hidhet poshtë me një fakt të thjeshtë statistikor: në vitet e para të zhvillimit të kapitalizmit anglez, egzaktësisht në periudhën që cilësohet si Revolucioni Industrial në Angli, në vitet 1760 – 1830, pikërisht në këto vite, popullsia e Anglisë u dyfishua; që do të thotë se me qindra mijëra fëmijë – që më parë do të kishin vdekur në moshë të mitur – mbijetuan dhe u rritën duke u bërë burra dhe gra jetëgjatë.
Nuk ka asnjë dyshim se në kohët e mëparshme, kushtet e jetesës dhe ekzistencës ishin mjaft të vështira, dhe për masën kryesore të njerëzve ishin të mjerueshme. Ishte aktiviteti ekonomik kapitalist ai që i ndryshoi ato; për të qenë sa më të saktë, ishin fabrikat e para ato që, direkt apo indirekt duke eksportuar produkte dhe importuar mallra ushqimore dhe lëndë të para, filluan të prodhojnë mallra e produkte për të plotësuar kërkesat e punëtorëve të tyre. Njëri pas tjetrit, shumë nga historianët e kapitalizmit kanë falsifikuar historinë – është e pamundur të gjendet një fjalë më e butë për ta se sa “falsifikimi i historisë”.
***
Sistemi kapitalist nuk u quajt “kapitalist” nga dikush që e adhuronte apo ishte mbështetës i këtij sistemi, por u quajt kështu nga një individ që e konsideronte atë si sistemin më të keq të historisë njerëzore, si murtajën më të tmerrshme që kishte prekur ndonjëherë njerëzimin. Ky ishte Karl Marksi.
Natyrisht që këtu nuk është vendi të polemizohet me vlerësimet e Marksit, por një gjë duhet evidentuar në analizat dhe teorinë e tij: pranimi se kapitalizmi ka qenë burimi kryesor i përmirësimeve të mëdha sociale dhe materiale për masat e gjera popullore. Këto përmirësime janë rezultat i formimit të kapitalit; ato mbështeten në faktin që njerëzit nuk konsumojnë gjithçka që prodhojnë, por e kursejnë një pjesë të saj të cilën e investojnë në procesin e prodhimit. Kjo çështje është relativisht e komplikuar, por gjatë zhvillimit të analizave të mia do përpiqem të diskutoj gabimet kryesore që bëhen në lidhje me problematikën e akumulimit të kapitalit, të përdorimit të kapitalit dhe avantazhet universale që rrjedhin nga përdorimi i tij. Unë do ta trajtoj përsëri kapitalizmin sidomos në ekspozenë mbi investimet e huaja dhe inflacionin, tematika që aktualisht përbëjnë thelbin e debateve dhe kritikave kundrejt politikave ekonomike.
***
Në analizat mëposhtme, në kapitujt e mëtejshëm, do ndalem më imtësisht për ta bërë më të qartë këtë problem, sidomos disa nga termat çelës të tij siç është rasti i “sasisë së kapitalit të investuar për frymë të popullsisë”, pasi gjykoj se ato kanë nevojë të detajohen me kujdes për tu kuptuar si duhet. Megjithatë, një gjë duhet nënvizuar: nëpërmjet politikave ekonomike nuk mund të prodhohen mrekullira. Ju mund të keni lexuar nëpër gazeta, libra e revista apo të keni dëgjuar në fjalime e diskutime të ndryshme shprehjen e të ashtuquajturës “mrekulli gjermane” – ku bëhet fjalë për rindërtimin e Gjermanisë mbas shkatërrimeve dhe humbjes në luftën e II-të botërore.
Por kjo nuk ishte aspak një mrekulli. Përkundrazi, ishte aplikimi eficent i parimeve të ekonomisë së lirë të tregut, i metodave kapitaliste, i aplikimit të plotë dhe në të gjitha fushat i tyre. Çdo vend tjetër që dëshiron mund të përfitojë nga eksperienca gjermane, mund të tentojë të prodhojë të njëjtën “mrekulli” të zhvillimit ekonomik; megjithatë vazhdoj të këmbëngul, ringritja dhe zhvillimi i një ekonomie nuk vjen nga mrekullitë; ajo ka si origjinë adoptimin e një politike ekonomike të qartë dhe eficente.