Aktualitet

Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit arrestohet për shpërdorim detyre

Shkruar nga Liberale
Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit arrestohet për shpërdorim

Me urdhër të SPAK është vënë në pranga ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme.

Ndërkohë, administratori i njësisë së Fushë Arrëzit është lënë në ‘arrest shtëpie’, ndërsa fadromisti është lënë në masën detyrën paraqitjeje.

Fran Tuci, nga radhët e PS, u zgjodh në krye të bashkisë për herë të parë në zgjedhjet e 2015 dhe më pas në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Ai kandidoi sërish në zgjedhjet e 14 majit për një mandat të tretë, por humbi përballë Hil Currit nga koalicioni "Bashkë Fitojmë".

Sipas SPAK, Tuçi akuzohet për shpërdorim detyre pasi lejoi hapjen e një rrugë duke shkaktuar dëm 234 milionë lekë fondit pyjor.

Njoftimi i plotë i SPAK

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 83 të vitit 2023, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 248 e 25 dhe 150 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 83 datë 12 korrik 2023 ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim F. T., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.

2. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim N. M., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.

3. Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim D.M., si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i K. Penal.

Policia Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datat 12.07.2023 dhe 13.07.2023, masat e sigurimit të caktuara ndaj shtetasve F. T. dhe N. M. Ndërkohë vijon procedura e ekzekutimit të masës së sigurimit të caktuar ndaj shtetasit tjetër në hetim D. M.

Pas përcjelljes së akteve procedurale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Pukë, për shkaqe kompetence lëndore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 67 të vitit 2023, me objekt hetimi procedurën e ndjekur për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, shtetasi F.T., në bashkëpunim më ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

Punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor është provuar të jenë kryer nga shtetasi D. M., administrator i një subjekti tregtar privat. Ky shtetas, duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH