Aktualitet

Gjyq në Venecia

Shkruar nga Liberale
Gjyq në Venecia

Pas publikimit të raportit paraprak vetëm pak ditë më parë, të Komisionit të Venecias, një tjetër betejë ligjore pritet mes shumicës dhe presidentit. Opinioni përfundimtar pritet të dalë më 11 tetor, pasi Komisioni do të dëgjojë edhe njëherë pretendimet e qeverisë dhe juristëve të presidencës, për të dalë me versionin final

Suadela Balliu

Edhe pse ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e quajti pagëzim me “ujin e bekuar” të Venecias konfirmimin e 30 qershorit dhe shkeljen kushtetuese të presidentit, fjala e fundit nga ekspertët e thirrur për të dhënë opinionin e tyre ende nuk është dhënë.

Verdikti i fundit, mbi draft-raportin e publikuar pak ditë më parë, do të jepet  më 11 tetor.

Ai që u publikua në media më 27 shtator ishte në fakt raporti paraprak që Komisioni i Venecias ua dërgoi palëve të përfshira për dijeni, duke u lënë edhe kohë të përgatiten për replika, përgjigje apo sugjerime shtesë, megjithëse delegacioni që vizitoi Tiranën u takua me të gjithë aktorët në Kuvend, opozitën jashtëparlamentare, komisionin hetimor, si edhe presidentin Meta për të pasur tablonë e qartë të ngjarjeve që nisën me dekretin për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale e më pas shtyrjen e tyre.

Raporti paraprak  megjithëse fliste për tejkalim kompetencash kushtetuese nuk shihte elementë të shkeljes së rëndë  që mund të  garantonin shkarkim kushtetues të presidentit, por reagimet nga presidenca si nga zëdhënësi ashtu edhe nga vetë Meta mbanin qëndrimin se nuk ka pasur kurrfarë shkelje kushtetuese.

Duke zgjedhur të mos komentonin një draft-raport që sipas tyre rrodhi nga maxhoranca, presidenti ka zgjedhur të bëjë publik raportin e tij mbi opinionin e Komisionit të Venecias gjatë kësaj jave, ku theksohet mbrojtja e Kushtetutës, por edhe e Konventës së të Drejtave të Njeriut, e vendimit të Gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes, por edhe mbrojtje e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Presidenti pas takimit me delegacionin e “Venecias” do të deklaronte se nëse Komisioni do të dilte në përfundimin se ai kishte kryer shkelje të rëndë, do të jepte dorëheqjen pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por pas publikimit të raportit ai do të deklaronte se “Luani i Artë i Venecias nuk i trembej Komisionit”, duke iu referuar çmimit që mori në qytetin italian për kontributin në promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik,  forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare.

“Askush të mos lodhet kot dhe të mos merret me datën 11, nuk ekziston data 11. Data 11 ekziston për ata që duan të zgjasin krizën, që duan të thellojnë krizën dhe që duan të mbulojnë shumë probleme të tjera që qytetarët i ndjekin”, do të shprehej vetëm pak ditë më parë në një intervistë televizive presidenti Meta, ndërsa pas takimit me delegacionin e Komisionit, do të shprehej se ishte i gatshëm të shkonte  vetë në Venecia, më 11 tetor,  dy ditë më herët nga data e caktuar me dekret prej tij për zgjedhjet lokale. Organizimi i zgjedhjeve më 30 qershor dhe mosmarrja e asnjë veprimi nga presidenti, veç deklaratës së tij se ato ishin të pavlefshëm, nga Komisioni i Venecias shihej si rrethanë lehtësuese ndaj presidentit, i cili nuk ka kompetenca të dhëna as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor apo ndonjë dispozitë e veçantë për anulim apo shtyrje të zgjedhjeve.

Në takimin e 10 tetorit, Komisioni i Venecias  ka ftuar përfaqësues të Presidentit të Shqipërisë dhe të Parlamentit me qëllim, miratimin e projekt-opinionit përfundimtar.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur që në mbledhjen e Komisionit të shkojë kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili pritet të mbrojë kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e presidentit, ndonëse opinioni i parë i Venecias ishte për mungesën e elementëve që çojnë tek ky vendim, që përtej karakterit ligjor është edhe politik.

Pas publikimi të raportit të Venecias, Balla do të shprehej përmes një postimi në rrjetet sociale se presidenti e kishte shkelur Kushtetutën, një term që ekspertët e së drejtës kushtetuese e kishin shmangur, duke përdorur vetëm tejkalim kompetencash.

“Që  e shkele e shkele Ilir! Po sa e shkele do ta vendosë  procesi ligjor”, shkruante Balla, duke cituar një prej paragrafëve të opinionit të “Venecias”, se bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë  të  madhe të  votuesve nuk mund të  ndalojë  zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të  fitonin të  drejtën të pengonin çdo proces zgjedhor në të ardhmen.  E ka thënë Edi Rama pa u lodhur kur i thoshin si mund të bëhen zgjedhjet pa ato parti dhe sot e ka shkruar Komisioni i Venecias, e zeza mbi të  bardhë”, vijonte Balla, duke kujtuar deklaratat e kryeministrit në ngulmimin e tij ndaj  zgjedhjeve të 30 qershorit, për të shmangur precedentin në të ardhmen.

Komisioni i Venecias, në raportin paraprak, thotë se edhe nëse Kuvendi do të marrë në konsideratë shkeljen e rëndë të Kushtetutës,  mund të vendosë në mënyrë legjitime të ndalet nga vazhdimi i procedurave për shkarkim.

Por ministrja Spiropali, pas raportit  të Venecias, ka zbuluar se puna e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit do të vijojë.

“Komisioni hetimor do të vazhdojë sipas procedurës, duke vlerësuar të gjitha elementët që dhe Komisioni i Venecias ka përcaktuar, ne jemi të vendosur që si maxhorancë dhe si Parlament te mbrojmë ligjshmërinë në vend”, është shprehur Spiropali.

Megjithë opinionin e ekspertëve të së drejtës kushtetuese, bashkë hartues së Kushtetutës së Shqipërisë dhe të thirrur në disa raste për të dhënë opinionin e tyre për çështje të  rëndësishme si Reforma në Drejtësi, ligji për Dekriminalizimin apo ai për Pronën, Komisioni i Venecias do të shprehej se i takon Kuvendit e më pas Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse presidenti ka bërë shkelje të Kushtetutës.  “...dhe nëse po, nëse ishte gjithashtu aq serioze në kuptimin e nenit 90 të Kushtetutës për të garantuar procedurën e shkarkimit”, thuhej në një prej paragrafëve të raportit të Venecias.

Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, mbrojtja e presidentit në mbledhjen e 11 tetorit mund të fokusohet tek termi i përdorur nga Komisioni si “tejkalim kompetencash”, duke shmangur termin “shkelje”. “Neni 90 i Kushtetutës thotë se presidenti nuk mban përgjegjësi për aktet gjatë kryerjes së detyrës së tij dhe se presidenti mund të shkarkohet nëse kryen shkelje të rënda të Kushtetutës dhe kryen një krim të rëndë. Në atë tekst që është shpërndarë nuk rezulton që është shkelur ky apo ai nen”, do të shprehej Halimi në një intervistë televizive. Sipas Halimit në të shkuarën ka ndodhur që opinioni i Venecias, në detaje apo kontekste të caktuara  të ketë ndryshuar, në fazën përfundimtare. Sipas ish-ministrit, Komisioni  nuk ka kompetenca për të vlerësuar 30 qershorin, pasi për këtë ka të tjerë institucione ndërkombëtare, që përgjigjen. Megjithë kritikat në raportin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR se zgjedhjet lokale nuk kishin në fokus interesin e zgjedhësit dhe këta të fundit nuk patën mundësi reale për të zgjedhur, kreu i misionit Audrey Glover do të shprehej se i takon autoriteteve vendase nëse do t’i njohin apo jo zgjedhjet. I njëjti qëndrim erdhi edhe nga ShBA, ku zv/ndihmës sekretari i shtetit, Palmer pasi pranoi se kishte rezerva dhe shqetësime reale rreth zgjedhjeve të 30 qershorit, i takonte Kushtetueses të merrte vendimin për to.

Edhe parlamenti gjerman, në nëntë kushtet e negociatave, kërkuan një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e 30 qershorit.

Raporti paraprak i Komisionit të Venecias, i thirrur nga Kuvendi i Shqipërisë me anë të tetë pyetjeve pas nisjes së procesit për shkarkim të presidentit, argumenton se me anulimin dhe më pas shtyrjen, Meta ka prekur të drejtën e votës, që është një e drejtë e njeriut, por njëkohësisht i kujton Kuvendit të ketë parasysh nëse shkarkimi i presidentit do ta ulte apo rriste më shumë tensionin dhe a do t’i shërbente në fund parimit  të ndërsjellë “check and balance” në situatën kur parlamenti dhe të gjitha bashkitë  dominohen nga një parti. Por duket se maxhoranca nuk ka hequr dorë nga e vetja, për ta çuar në fund procesin e shkarkimit të presidentit, si shkelës i Kushtetutës, duke mos përfaqësuar unitetin e popullit, ndërsa presidenca premton raport të ri mbi opinionin e Venecias, se  jo vetëm që nuk e ka shkelur Kushtetutën, por e ka mbrojtur në mënyrë të shkëlqyer atë, pluralizmin dhe demokracinë. Megjithëse maxhoranca e sheh si legjitimim të zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa presidenti megjithë thirrjet për regjistrim të partive në ato të 13 tetorit asgjë konkrete nuk u prodhua për realizimin e tyre, në Venecia dy ditë para atyre që do të ishin zgjedhjet e dekretuara nga kreu i shtetit çështja do të jetë peshojë mbi shkarkimin e tij nga detyra. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH