Aktualitet

Fragment nga romani "Zogjtë e qyqës", botim i UETPRESS/ Kujtimet e një koloni serb

Shkruar nga Liberale
Fragment nga romani "Zogjtë e qyqës", botim i UETPRESS/

Gani Mehmetaj

Ngjarjet e jashtëzakonshme, në shkollë ishin të rralla. Nuk quheshin ngjarje zënkat dhe grindjet apo fishkëllima në ajër e shkopit të mësuesve, ndonjëherë edhe mbi kokën e ndonjë fatkeqi. Prandaj ishte tronditëse, kur u përhap kumti se dikush kishte thyer kornizën e fotografisë së Titos, në klasën VII-3. Hapëm sytë të frikësuar. Të kishte plasur një bombë, do të tronditeshim më pak. Pëshpërima pushtoi korridoret, u fut nëpër klasë dhe doli nga dera kryesore, në rrugë dhe trotuare. Alarmin e dha mësues Milutini. Neve na mbyste kureshtja ta shihnim keqbërësin; u dyndëm në korridor, grumbulli i madh u bë para klasës ku kishte ndodhur hataja. Para se të vinin milicët, mësuesi i cili e dha mandatën, i nxori të gjithë nxënësit nga dhoma e mësimit, e mori në pyetje kornizëthyerësin, e rrahu me shkop kokës e duarve, duke këmbëngulur të tregonte kush e nxiti dhe me urdhër të kujt e theu kornizën. Vajet e tij dëgjoheshin korridoreve. Bardhi, ashtu e kishte emrin nxënësi, përpiqej t'i tregonte mësuesit tonë se e theu rastësisht xhamin e kornizës, duke gjuajtur shokun me një top bore, por ai nuk e besonte dhe nuk pushonte së godituri me shkop. Pastaj erdhi kujdestari i klasës së Bardhit, mësues Petriti, që ia hoqi nga dora nxënësin fatkeq. Dikush tha se mësues Petriti e ofendoi mësues Milutinin.

- Si rrihet nxënësi kështu, bishë e tërbuar, - i ishte hakërryer mësuesit tonë.

Nuk vonuan milicët hijerëndë e të zymtë; i nxorën mësuesit Milutin dhe Petrit nga dhoma dhe u mbyllën brenda me nxënësin fajtor. Ai dridhej, tregonin ata në radhët e para që shihnin nga vrima e derës, sepse çdo derë e kishte nga një vrimë me pamje të mirë mbi çfarë ndodhte brenda. Milicët, mu si mësuesi, ia kërkonin Bardhit njeriun që e shtyu të thyente kornizën e portretit, por kur ai niste t'ua sqaronte, ata i çirreshin: “fol serbisht, nuk të kuptojmë!”. Bardhi nuk e dinte gjuhën tonë. E rrihnin me shpulla; njëri nga milicët nxori revolen dhe i tha se po nuk tregoi do ta vrisnin, kurse nxënësi lëshoi ujët e hollë këmbëzave të pantallonave. Currili i shurrës u zgjat dërrasave të dyshemesë. Ndërsa neve na trondisnin vajet e nxënësit dhe britmat e milicëve, e nxorën nga klasa nxënësin që e mbanin për dore dy milicë, kurse i treti i shkonte prapa. Djaloshi ishte zbehur, si të vinte nga bota e përtejme.

Hija e djaloshit mbeti korridoreve edhe një kohë të gjatë pasi u zhduk prapa dyerve të mëdha të hyrjes kryesore.

Erdhi baba i Bardhit, një burrë i parruar, i shqetësuar dhe me këpucë e pantallona të papastra, ashtu si kishte qenë në punë. U fut në zyrën e drejtorit të shkollës, mirëpo doli po aq shpejt sa erdhi. Tregonin se drejtori e nxori nga zyra me fjalë të ashpra, duke i thënë se rastin e kishte marrë milicia. Djali i tij ishte në milici.

Nuk e la të fliste. Baba doli si pamend, i zbehtë dhe i tronditur.

“E ka nxitur një më i madh”, u përhap thashethemnaja nëpër korridoret e shkollës. “Atij vetë nuk do t'i shkonte mendja të thyente kornizën e fotografisë”. Mësues Milutini, vigjilent si gjithnjë, ishte i mendimit se ai nuk ishte i vetëm. Thyerja e kornizës quhej krim.

- Armiku e kishte bërë këtë, me dorën e një nxënësi të shkollës sonë, - fliste mësuesi ynë.

Ai mburrej që e pa i pari veprën kriminale dhe e kapi keqbërësin ende pa e fshehur dorën. Në shkollë flitej vetëm për këtë ngjarje, mësimi u çrregullua, mësuesit harruan të shpjegonin, nxënësit nuk kujtoheshin të nxirrnin librat e fletoret mbi bankë. Vinin e dilnin mësuesit me ditar në dorë, pa e hapur fare dhe pa thënë asnjë fjalë; shihnin përtej dritares në horizont, të përhumbur. Askush nuk bënte detyra shtëpie.

Kaluan disa ditë dhe Bardhi nuk u duk në shkollë. Dikush tha se do ta mbanin në burg deri në fund të jetës. Rrëqethesha kur flisnim për burgimin, sepse më kujtohej Konti i Monte-Kristos me mjekër të gjatë, në një burg mesjetar; ashtu e mendoja Bardhin fatkeq pas shumë vjetësh. Të tjerët thanë se nuk do ta mbanin në burg djaloshin, ai ishte i mitur, por do të merrnin babanë e tij. Babai ishte hamall.

Në shkollë vazhdonin të na mbanin orë edukative; herë kujdestari i klasës, herë drejtori i shkollës. Hapnim sytë si mëllenja, kur na thoshin se vepra e nxënësit të klasës VII-3 është vepër armiqësore, ndaj keqbërësit do të merreshin masat më të rrepta. Doli një kumtesë nga drejtori dhe Këshilli i Arsimtarëve, ku thuhej se vepra e Bardh Berishës gjykohej rëndë, kërkohej edhe nga organet përkatëse që t'i jepnin dënimin e merituar. Shkolla e përjashtonte, pa të drejtë regjistrimi në shkollat e tjera.

Kohë të gjatë u tha se milicia dhe hetuesit gjurmonin grupin armiqësor që kishte organizuar thyerjen e kornizës. Pastaj pëshpëritej se nxitësi ishte mësues Petriti. U mor në pyetje edhe mësues Petriti. Pse nuk u tregua syçelë? Pse nuk e kishte parandaluar veprën armiqësore? Në mbledhjen e Këshillit të Arsimtarëve, mësues Petritit iu përmend se si e kishte quajtur bishë mësuesin Millutin, në vend që ta përgëzonte për zbulimin e armikut dhe të veprës armiqësore. Mësuesi Petrit nuk erdhi më në shkollë, nuk u pa as nxënësi Bardh.

Pas ndonjë jave, korridoreve të errëta të shkollës, i mbushur frymë, ecte babai i Bardhit, emrin e të cilit nuk e mësuam. U ngjit në katin e dytë. Fjalët që i këmbente drejtori me babanë fatkeq, dëgjoheshin korridoreve. Ndërkaq, baba i gjorë përsëriste se djali i tij nuk ishte armik, ai e donte Titon, e donte Jugosllavinë, ishte për vëllazërim-bashkim.

- Mos e merrni në qafë ta përjashtoni nga shkolla, do të mbetet rrugëve me karrocë në dorë, si unë, - i thoshte me përgjërim drejtorit. Por ai ishte i pathyeshëm. Kot që i fliste.

Bardhin e kam takuar disa herë, shiste zarzavate ose mbante mbi shpinë thasë me speca a patate.

Fitues i çmimin "Kadare" për vitin 2021

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH