Presidenti finlandez, Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin kanë thënë se Finlanda do të paraqesë një kërkesë për t'u bashkuar me Aleancën Ushtarake të NATO-s.
“Gjatë kësaj pranvere është zhvilluar një diskutim i rëndësishëm për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës në NATO. Është dashur kohë që i gjithë parlamenti dhe shoqëria të vendosin çfarë qëndrimi do mbajnë për këtë çështje. Është dashur kohë për kontakte të ngushta ndërkombëtare me NATO-n dhe vendet anëtare të saj, si dhe me Suedinë. Ne kemi dashur që t’i japim diskutimit hapësirën që kërkonte. Tani që momenti i vendimmarrjes është afër, ne shprehim qëndrimet tona të barabarta. Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes. Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të marrë këtë vendim do të ndërmerren me shpejtësi brenda ditëve në vijim”, thuhet në deklaratën e plotë të presidentit finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministres Sanna Marin.
Kujtojmë se, Rusia ka paralajmëruar Suedinë dhe Finlandën për pasojat e anëtarësimit në NATO.