Editorial

Dritëhijet e Demokracisë Deliberative në kohën e Internetit 

Shkruar nga Liberale
Dritëhijet e Demokracisë Deliberative në kohën e

Florian Çullhaj PhD

Disa kohë më parë, semiologu Umberto Eco deklaroi në një fjalim se, ‘hapësira e internetit u ka dhënë zë shumë idiotëve’. Pavarësisht ngarkesës së kësaj deklarate, ajo padyshim nuk e zvogëlon përmasën e gjeniut sepse ai e dinte shumë mirë që sarkazma e tij do ta shfaqte të vërtetën e saj. E përnjëmend e shfaqi, sepse një lumë i furishëm deklaratash u derdhën në rrejt mbi interpretimin e saj. Paradoksi i vërtetë në këtë rast është se Eco u profilizua si një elitist përjashtues, si një antidemokrat teknofob etj. Të thuash këtë për Eco-n duhet të jesh vërtet i marrë. Por, megjithatë, përtej deklaratës Eco-s rrjeti gjithmonë e më shumë po shfaq dritëhijet e tij.

Konkretisht, hijet kanë të bëjnë me idenë se, idiotët kanë qenë aty dhe kanë pasur gjithmonë zë, por zakonisht ata nuk kishin qasje në publik dhe idetë e tyre i komunikonin në rrethe të ngushta miqsh. Sot interneti dhe teknologjia sipas Eco-s, ua kanë zgjeruar audiencën duke i dhënë idiotëve të lartpërmendur një tastierë. Kështu që, ata nuk i dëgjojnë më vetëm ata dhjetë miq, por i lexojnë dy ose treqind individë, të cilët komunikojnë me dy ose treqind të tjerë, e kështu me radhë, në një progresion gjeometrik shumë të rrezikshëm me pasoja të rënda. Po ashtu, hijet kanë të bëjnë me idenë se idiotët, analfabetët, e të painformuarit janë atje dhe janë një makineri shkatërruese për të tjerët si ata duke krijuar në këtë mënyrë një hapësire që vërtetë nuk na nevojitet.

Kjo mënyrë banale e të argumentuarit prodhon një opinion publik të rremë që aktivizon edhe të tjerë, duke filluar nga forcat politike që imitojnë modalitete të caktuara, e duke u kthyer ato vetë në shkak shkaktues. Kryeministri Rama për shembull, është kampioni i kësaj butaforie, e shumë të tjerë Rilindës që mëtojnë ta imitojnë duke u shfaqur edhe më grotesk. Kodi stilistik në këtë rast është banaliteti dhe sfida e debatit nuk është asnjëherë mbi forcën e argumentin por mbi kundërshtuarin, duke u përpjekur ta delegjitimosh atë me sulme personale. Kjo çon në reagime simetrike të pashmangshme duke e kthyer çdo diskutim në zënie.

Mjafton të lexosh çdo debat politik që nis aty-këtu nëpër rrejt dhe ai degradon në një grindje midis ‘gjithollogëve’, politikanëve dhe analfabetëve që mbështesin kotësinë e secilit argument. Por, problemi është se sot më shumë se kurrë nevoja e publikut – sidomos e të rinjve – është  të diskutohet siç duhet, ku të jepen përgjigje të mbështetura mbi fakte e të mirë argumentuara. Të luftohet për një mendim cilësor jo sasior, mundësisht me alternativa përkatëse për kapërcimin e vështirësive dhe jo thjeshtë konstatime. Me qëllim që të kontribuojmë në ndërtimin e një demokracie deliberative, ne duhet të diskutojmë për çdo fenomen publik shqetësues, por pikë së pari është imperative që të kemi një diskutim serioz mes palësh. Kjo klimë tensioni e anarkie e bën të lodhshme dhe të pakëndshme ngritjen e debateve në rrejt. Edhe ata të cilët e kanë me pasion dhe e marrin seriozisht këtë aksion, tundohen ta refuzojnë atë apriori sepse nuk janë mësuar me vrazhdësinë e konfrontimit politik.

Megjithatë, për par condicio, ‘drita’ e rrjetit sigurisht që ka ndryshuar informacionin dhe debatin politik me efekte pozitive që duhen mbajtur – e këtë Eco e dinte shumë mirë – por nga ana tjerër, ka prodhuar efekte të dëmshme që duhet të kontrollohen.

Pra, që kjo hapësirë të mos të braktiset, ka ardhur koha për të filluar rregullimin e saj – të paktën sa i përket sferës së debatit politik – që t’ju vihet fre sa më shumë të jetë e mundur idiotëve që ankohej Eco.  Por kjo nuk mund të vijë siç ka filluar kohët e fundit të bëjë Rama, duke paditur poshtë-e-lart të gjithë ata që ‘shpifin’, kjo nuk është rruga për ta zgjidhur problemin. Sepse, nëse të gjithë do të vendosnim për këtë mënyrë, gjykatat do të mbyten me qindra mijëra padi të pavlera thashethemesh dhe sistemi i drejtësisë do të shkonte në kolaps edhe më shumë se çështë sot.

Si përfundim, zgjidhja duhet të kërkohet brenda vetë rrjetit. Një ide mund të ishte krijimi i një rrjeti të posaçëm për debat politik, të cilit mund t’i bashkohet kushdo, por, duke e detyruar atë të zbatojë një kod sjellje të caktuar, shkelja e të cilit mund të të çojë në përjashtimin ose pezullimin nga ky rrjet. Këtu jemi të qartë se, askush nuk mund ta parandalojë që komente politike do ketë edhe në pjesën tjetër të rrjetit por, kushdo që lundron në këtë mjedis të ri duhet ta kuptoj që është i tëhuajtur prej mungesës së kualifikimit. Kjo mund të mos jetë ndonjë masë kushedi se çfarë, por të paktën është një hap fillestar për bonifikimin e kësaj hapësire të ndotur. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH